Futboll Sport

PËRGATITJET PËR “EURO 2020″/ Gjumë në kontejnerë dhe vaktet në “Pazar”, ja kampi i gjermanëve…

Të martën në mbrëmje nisi për Jogi Lëvin dhe skuadrën e Gjermanisë grumbullimi zyrtarë për Europianin. “Pancerat” do të qëndrojnë në “Home Ground” në godinën e “Adidas”-it. Aty lojtarët do të qëndrojnë në kontejnerë të mëdhenj, të cilët janë dizenjuar si dhoma gjumi.

Çdo lojtar do të ketë krevatin, televizorin dhe tualetin e tij. Edhe pse dhomat në një kontejner do të jenë plot katër. Kjo për të mos i ndarë plotësisht lojtarët nga njëri-tjetri dhe për të mos prishur frymën e grupit. Kështu, në një shtëpi(kantier) do të qëndrojnë Kai Haverc, Bernd Leno, Joshua Kimish dhe Leroi Sane. Sane-Kimish do të jetë një dyshe interesante duke parë që para disa ditësh të dy patën një debat në fushën e lojës. Edhe pse Kimish deklaroi disa ditë më vonë se gjithçka kishte qenë një debat normal. Në një ambient të rrethuar nga pylli, skuadra do të jetë jashtë zhurmës dhe e fshehur mes pemëve. E qetë për t’u përgatitur nga ana mendore.

Ndërkohë, kontejneri më interesant do të jetë ai i Tomas Mylerit, Robin Gësen, Kevin Trap dhe Leon Goreckës. Myler njihet për humorin e tij dhe kjo do të jetë diçka interesante për lojtarët që do të qëndrojnë ngjitur me dhomën e tij. Toni Kros do të qëndrojë me Matias Ginterm Florian Nojhaus dhe Kristian Gynter, lojtarë të rinj dhe të qetë, të përshtatshëm për karakterin e yllit të Realit.

TAKIMI

Trajneri Joakim Lëv ka planifikuar që të gjithë lojtarët të mblidhen në qendër të kampit që do të quhet “Marktplatz”, në shqip pazari. Ky vend do të shërbejë për t’u takuar dhe për të konsumuar vaktet. Gjithashtu, do të ketë vend edhe për lojëra të ndryshme si pingpong, bilardo ose “Tec Ball”. Federata Gjermane po ndjek të njëjtin model si në vitin 2014 në Brazil. Atëherë skuadra gjermane u grumbullua në qendrën “Campo Bahia”.

FRYMA E GRUPIT

I gjithë ky organizim dhe ideim është bërë në mënyrë që skuadra të kultivojë frymën e grupit. Sa më shumë lojtarët kalojnë kohë më njëri- tjetrin, aq më mirë pritet të jetë edhe bashkëpunimi në fushë. Gjermania po përgatitet për të përballuar një grup ferri me Francën, Portugalinë dhe Hungarinë dhe ajo që ka rëndësi është bashkëpunimi, ashtu siç e theksoi edhe në konferencën për shtyp trajneri Joakim Lëv.

Deri tani gjithçka duket se është në shinat e duhura, Gjermania e Europianit është duke nxehur motorët në shtëpinë e “Adidas”-it, një nga firmat më të mëdha sportive në vend dhe njëkohësisht sponsori i skuadrës gjermane të futbollit prej disa dekadash.

Related posts

EUROPA LEAGUE/ Kukësi kalon në epërsi kundër Tropedos, shënon Reginaldo

Isa.Autor

ËSHTË 19-VJEÇ/ Mbappe dhuron për bamirësi, të ardhurat nga Botërori

Isa.Autor

KLUBI I LAZIOS NË MBËSHTETJE TËSHQIPËRISË/ Italianët nisin mbledhjen e fondeve për familjet e prekura

Delo.autor

Leave a Comment