Futboll Seria A Sport

“SHIJOJ ENDE TITULLIN, TEK INTER HAPIM NJË CIKËL”/ Presidenti Zhang: Conte s’kishte qëllimet tona, ja pse u largua

Arkat e Interit duhet të pasurohen me 70 milionë euro, ndërkohë që lojtarëve u është propozuar të ulin rrogat në masën 15 për qind. Ky aspekt, por edhe shumë të tjera, janë komentuar nga Stiven Zhang në pesëvjetorin e kalimit të zikaltërve nën pronësi të grupit “Suning”.

President Zhang, pesë vite më pas jeni në dhomën e trofeve me titullin…

Është një krenari e madhe që kam arritur këtë qëllim, 11 vjet pas titullit të fundit, duke ndërprerë një seri prej 9 kampionatesh të njëpasnjëshme të Juventusit. Puna e vështirë ka dhënë fryte dhe sot ne e dimë që Interi ka aftësi, cilësi dhe mundësi për të fituar dhe për të vazhduar planifikimin e një të ardhmeje solide dhe shpërblyese.

Si do ta përkufizonit ciklin tuaj deri më sot?

Më pëlqen më së shumti të theksoj përforcimin e strukturës së klubit ndër vite. Ajo e Interit është një nga realitetet më të forta dhe të organizuara në nivel europian.

Edhe pse pronarët janë të huaj, shumica e drejtuesve janë italianë…

Duhet të hyja në botën e Interit dhe rrënjët e tij milaneze. Askush nuk mund ta ma shpjegonte më mirë se drejtuesit italianë. Ishte mënyra e vetme për të pasur një shembull tekniko-taktik sepse duhet të kuptoja se historikisht fitoret në Itali ndërtohen duke u nisur nga soliditeti i mbrojtjes. Mbaj mend kur Piero (Auzilio) më shpjegoi rëndësinë e të pasurit një themel të fortë dhe kënaqësinë e tij ditën që arriti të merrte Bastonin dhe Shkriniiarin së bashku për t’i shtuar ata krah De Vrajit…

A ka pasur oferta për klubin sepse janë përfolur propozime prej 750-800 milionë eurosh?

Jo, nuk është e vërtetë, nuk kemi pasur asnjë ofertë. Dhe nga ana tjetër ne po kërkonim diçka tjetër. Në këtë fazë postpandemike, nuk është e lehtë të gjesh grupe të gatshme për të investuar në futboll, i cili aktualisht është një sistem në të cilin humben shumë para çdo vit. Qëllimi ynë tani është të gjejmë ekuilibër financiar duke zvogëluar kostot, përndryshe investitorët nuk do të gjenden kurrë.

Do të mjaftojë huaja nga fondi “Oaktree” për të qetësuar situatën? 

Tek Interi çdo plan është afatmesëm e afatgjatë. Jemi gjithmonë të hapur për partneritete të reja që i bëjnë mirë klubit.

Çfarë mendimi keni për Super Ligën?

Nevojiten risi me pamje nga e ardhmja. Duhen marrë përsipër rreziqe, por në dakordësi me FIFA-n dhe UEFA-n. Super Liga ishte vetëm një shembull i përpjekjeve që duhen bërë.

Me stadiumin e ri çfarë po ndodh?

Na nevojitet për të rritur forcën tonë ekonomike në aspektin e sponsorëve dhe partneritetit tregtar. Për më tepër, një stadium do t’i lejonte tifozët ta përjetonin ndeshjen në 360 gradë.

Largimi i Kontes tronditi tifozët. Ishte vërtet e pamundur ta mbanit?

Që nga dita e parë që morëm Interin e shihja Konten si trajner ideal. Isha e jam i bindur që është fitues i lindur, ndaj edhe investuam shumë tek ai. Edhe vjet financat tona nuk ishin fort të mira, por vazhduam me Konten e rezultoi vendimi më i mirë. Llogaria e sivjetshme ishte edhe më e rëndë, ndaj na nevojitej kursim për të ekuilibruar bilancin. Duhen ulur kostot dhe të kontrollohen rreziqet e kjo ndikon në merkato. Në këtë mënyrë mes nesh e Kontes ndryshuan këndvështrimet dhe vendosëm për ndarjen sepse ajo që ishte thelbësore për Interin nuk ishte për Konten. Mbetet një trajner i madh, por unë si president duhet të mendoja për klubin.

Çfarë përshtypjesh ju ka lënë deri tani Simone Inzagi?

Simone ka treguar vitet e fundit se është një teknik me vlerë dhe përvojë. Ai ka cilësitë për ta mbajtur klubin konkurrues, gjë që ne duam, por duke bashkëpunuar me ne për të siguruar që Interi të mbetet një ekip solid dhe pa rreziqe. Ai e njeh projektin tonë, e pranoi dhe ne jemi shumë të lumtur që e kemi këtu duke shpresuar të fitojmë së bashku

A do të jetë Romelu Lukaku simboli i Interit 2021- 2022?

Nuk është as e drejtë dhe as elegante të zgjedhësh një lojtar të vetëm si imazhin e një klubi. Futbolli është një sport me 11 lojtarë të zgjedhur nga një listë shumë më e gjerë dhe të gjithë bashkëpunojnë, luftojnë dhe janë të rëndësishëm për të arritur qëllimet. Titujt fitohen së bashku dhe jo falë një lojtari të vetëm. Por, sigurisht mund të them që Romelu ka një personalitet të fortë, ai është një lojtar që shokët e respektojnë.

Cilat janë qëllimet për sezonin e ardhshëm?

Ato ekonomike i thamë. Ekziston një nevojë për një rritje kapitali në fund të merkatos, por duam ta mbajmë ekipin shumë konkurrues për t’i lejuar të bëjnë mirë në Champions dhe pa dyshim që të marrim pjesë përsëri vitin e ardhshëm, sepse duam të qëndrojmë në klubet e mëdha evropiane. Për titullin nuk do ta kemi të lehtë sepse kemi 7 rivalë që ëndërrojnë të njëjtën gjë. Fillimisht le të shijojmë atë që sapo fituam.

Related posts

Zhbllokohen shifrat në “Bernabeu”, Ronaldo nuk ndalet shënon ndaj Atleticos

Sadik.Autor

ZEMËROHET ME STOLIN SPARTAK MOSKA/ Trajneri Spalletti: Ata na tallën, ja pse i shkova… (VIDEO)

Delo.autor

“PERLA” NGA ANGLIA/ Realizohet goli i sezonit në Premier League

F.autor

Leave a Comment