Futboll Sport

SOUTHGATE MOTIVON “LUANËT” ME VIDEO/ Mbrojtësi Shou: Do përgatisim edhe… penalltitë

Garet Sauthgejt ka nisur të motivojë “Tre Luanët” e tij duke u treguar lojtarëve video të momenteve më të mira të historisë së Anglisë gjatë një takimi në kampin e kombëtares “St George’s Park”.

Trajneri i mblodhi lojtarët e tij me qëllim për t’i motivuar dhe frymëzuar për të sjellë në shtëpi trofeun e parë europian. Sauthgejt u kërkoi lojtarëve që të kujtojnë fëmijërinë e tyre kur koleksiononin albumet e Europianit dhe u kujtoi se tani do të jenë fëmijët që do të përpiqen të plotësojnë albumet e turneut me fytyrat e tyre.

“Videoja ishte për lojtarët e së shkuarës dhe tregonte se sa të rëndësishëm ishin për Anglinë. Në fund të videos kishte një moment që na kushtohej neve. Ishte një film shumë frymëzues”, tha mbrojtësi Ljuk Shou. Pas një sezoni të gjatë, ka shqetësim për lodhjen në skuadër, por Shou këmbëngul se ngarkesa fizike nuk do të jetë një justifikim dhe lojtarët janë gati të pështyjnë gjak.

“Sigurisht që ka qenë një sezon i lodhshëm, por kur vjen puna te një turne i rëndësishëm, lodhja del nga dritarja. Ti do të japësh jetën për skuadrën, je gjithçka për të bërë të gjithë kombin të lumtur. Lodhja as që nuk bëhet fjalë”, tha mbrojtësi i majtë. Ai zbuloi se “Tre Luanët” po përgatitin edhe penalltitë për çdo të papritur gjatë turneut. Pas një rekordi negativ në goditjet nga 11 metrat, ishullorët e kanë përmirësuar pak shënjestrën e tyre, duke dalë fitimtarë në dy turnetë e fundit:

“Për të fituar një kampionat, ti duhet të jesh gati edhe për penalltitë. Dy seritë e tyre të fundit i kemi fituar, çka është pozitive, por sigurisht që duhet t’i praktikojmë ato, pavarësisht sa larg mund të jenë ndeshjet me eliminim direkt. Ne duhet të jemi gati dhe praktika i perfeksionon gjërat”.

Anglia është eliminuar tri herë me penallti nga një Europian. Shou ishte një nga ata që u tregua i saktë në finalen e Ligës së Europës kundër Vijarealit më 26 maj në Gdansk, pavarësisht se Mançester Junajtid humbi. “Ne duhet të praktikojmë dhe të jemi gati për situatën kur të paraqitet, në mënyrë që të mos i lëmë në dorë asgjë rastësisë se ku do të godasim dhe kush do të ekzekutojë”, përfundoi Shou.

Related posts

PSG “PESHKON” NAINGGOLANIN/ Mesfushori i Interit “INDIFERENT”

Delo.autor

Vora fiton ndaj Elbasanin dhe ngre trofeun e Kategorisë së Dytë

Sadik.Autor

POLEMIKAT PËR HUAZIMIN E MBROJTËSIT NË JANAR/ Kthesë e papritur, Mourinho ndryshon mendje për Kumbullën

Delo.autor

Leave a Comment