Futboll Sport

STUDENTI ME PULLË TË KUQE I MANCINIT QË KA HOBI LATINISHTEN/ Ja çfarë duhet të dini për “diamantin” e ri të Italisë…

Sa duhet për të fituar vitrinat e të gjithë botës së futbollit dhe t’i garantosh vetes publicitetin e duhur, që të garanton edhe të ardhmen e një karriere të ndritur?

Asgjë më shumë sesa një ndeshje si titullar në një Europian, shoqëruar pastaj edhe me një gol fenomenal si ai që realizoi kundër Uellsit. Mateo Pesina e konfirmoi veten të dielën në mbrëmje, ndonëse emri i këtij talenti kishte 6 muaj që pëshpëritet në ambientet e rëndësishme të sportit më të bukur në botë.

NË KOMBËTARE – Përveç trajnerit Xhanpiero Gasperini, i cili e riktheu tek Atalanta, pas huazimit të Verona për një sezon, vlerat e Pesinës i kishte vënë re edhe Roberto Mançini, i cili më 11 nëntor 2020, në moshën 23-vjeçare i dhuroi atij edhe debutimin me “Axurrët”.

Përgjigjja e mesfushorit ishte ajo e një kampioni, e një personi që e di shumë mirë se një rast i tillë të vjen një herë në jetë dhe pasi u zhbllokua me një dopietë më 28 maj 2021, në fitoren 7-0 ndaj San Marinos, edhe një miqësore vlejti që atalantini të priste biletën për në “Euro 2020” dhe të ishte pjesë e grupit të të kaltërve.

Madje, Mançini edhe pse ishte i ndarë mes tij dhe internistit Stefano Sensi, ishte një shenjë e Zotit se ky i fundit do të dëmtohej sërish dhe do t’i jepte lejekalimin përfundimtar një tjetër ylli të futbollit italian që të shprehte të gjithë potencialin e tij, por në të njëjtën kohë duke tërhequr, pas vetëm një goditjeje të saktë në rrjetë kundër Uellsit, edhe vëmendjen e klubeve më të mëdha në Itali dhe në kontinentin e vjetër.

FAMILJA – Babai Fabio është një biznesmen. Pak javë më parë, në një gazetë lokale ai kujtoi verën e 14 viteve më parë, kur papritur nga Monza vjen një telefonatë, pasi drejtuesit e klubit ishin të interesuar për djalin e tyre të vogël, pikërisht nga skuadra e vendit ku Mateo kishte lindur më 21 prill 1997.

“Dogja pushimet pa u menduar dy herë. Më saktë, bashkëshortja dhe vajza shkuan, unë qëndroja me Mateon për ta ndjekur çdo ditë në grumbullim, në temperaturat mbytëse monceze të muajit gusht. Por edhe tani kur i kujtoj ato ditë mallëngjehem, pasi aty nisi forcimi i marrëdhënies sime me djalin tim”, tregonte i ati.

MILAN, PSE? – Mateo Pesina e bëri debutimin e tij me Monzën më 6 janar 2015, në moshën 17-vjeçare, madje duke i shënuar edhe një gol Pro Patrias. Por atë sezon, klubi falimenton dhe i duhet ta nisë nga Seria B. Futbollisti, duke dalë pa kontratë, ftohet t’i bashkohet Milanit, i cili fillimisht e huazon te Leçe, më pas te Katania e pastaj te Komo. Deri kur në 2017-ën e shet tek Atalanta, si pjesë e tratativës që afroi në “Milanelo” Kontin.

Gasperini besoi shumë tek ai, por pasi i la që të luante dy sezone si titullar te Specia e Verona, te kjo e fundit Pesina shpërtheu dhe Atalanta e riktheu në shtëpi me një mision më shumë sesa të vështirë: të zëvendësojë në fushë kapitenin e larguar “Papu” Gomez. Milani ka ruajtur të drejtën e 50-përqindëshit të shitjes së mundshme të mesfushorit, por nëse ai prek kuotën 100 ndeshje me bergamaskët, atëherë “Djalli” duhet të kënaqet vetëm me 3 milionë euro. Aktualisht shifrat për Pesinën flasin për 59 ndeshje në total me Atalantën.

ZERO TATUAZHE – Por në jetën e Pesinës nuk është vetëm futbolli. Hobit e tij janë skitë, tenisi (është i çmendur pas Roxher Federer), goli dhe NBA-ja. Madje, akoma më shumë se këto është kërcimi klasik, duke qenë se motra e tij, Karlota, është një balerinë, por Pesina e adhuron teksa e sheh “në aksion”.

Në listën e gjatë të hobeve është edhe kuzhina e shëndetshme, ku pjata e preferuar është rizoto e shtëpisë. Një “çun mami” me pak fjalë, duke parë se ai nuk ka asnjë tatuazh në trup, nuk luan “Play Station”, është i limituar në rrjetet sociale dhe nuk i pëlqen buja e “Gossip”-it, përkundrazi është zero në këtë aspekt.

FLET LATINISHT – Që të jesh një fenomen në fushë duhet ta kesh kokën plot, pasi edhe shpejtësia e mendimit e veprimit janë të lidhura ngushtë. Madje, shpesh shokët e tij te Atalanta e tallin, duke qenë se ai duket se vjen nga një epokë tjetër. Mateo e adhuron latinishten, një gjuhë që e ka studiuar nga gjyshja e tij mësuese e kësaj lënde, aq sa në dhomën e tij, kudo që shkon merr gjithmonë me vete edhe një kornizë ku në latinisht shkruhet: “Gutta cavat lapidem” (Një pikë uji çan gurin).

STUDENT ME BURSË – Pesina ka frekuentuar liceun shkencor (njësoj si e ëma arkitekte), ku përveç latinishtes ka një pasion shumë të madh edhe për lëndët teknik. Ai aktualisht po ndjek studimet për “Ekonomi e Menaxhim” në Romë, ku edhe pse paratë nuk i mungojnë, Pesina ndryshe nga të tjerët ka fituar bursën e studimit: “Është një djalë i edukuar, një student shembullor dhe i përgatitur.

Është pak a shumë si mënyra e tij të të luajturit në fushë, gati për të bërë hapin final të suksesit, objektiv që e bazon te përulësia e tij”, shpjegon ish-profesori i tij i italishtes dhe latinishtes, Stefano Mota.

REALI E TONI KROS – Më 24 shkurt dhe 16 mars, Mateo Pesina realizoi ëndrrën e parë të madhe të jetës: u përball me skuadrën që bën tifozllëk, Realin e Madridit, në 1/8-at e Champions-it, klub në të cilin do të jepte gjithçka për të luajtur një ditë, Por kjo dashuri për madrilenët e ka një arsye të fortë: “Nisa të luaja futboll duke ëndërruar që të luaja një dirë për Realin e Madridit, kjo sepse Toni Kros është frymëzimi im”.

ME PULLË TË KUQE – Më 11 korrik 2019, mesfushori i Italisë u prezantua në grumbullimin e Atalantës me një çantë, me logon e “PornHub” (uebsajti i famshëm pornografik), në të cilën ishin edhe autografet e pornostareve më të famshme në botë. Diçka e tillë ishte e pamundur që të mos bënte xhiron e rrjeteve sociale, pas fotove dhe talljeve që morri nga shokët e tij.

Madje, pas një muaji që ajo foto qëndronte në “Instagram”-in e tij Mateo Pesina kishte marrë një letër falënderimi nga uebsajti pornografik për publicitetin fals që i kishte bërë. Madje, kompania në fjalë, përveç një tjetër çante, i kishte dërguar të gjithë setin e aksesorëve zyrtarë: pulovër me kapuç, kapele, bluzë dhe çorape madje të loguara “PornHub”.

Related posts

SFIDA NDAJ “KORÇARËVE/ Tirana “gradon” kapitenin e ri, ylli Ngo në dyshim. Ja formacioni i mundshëm…

Delo.autor

SFIDA NDAJ HUNGARISË/ Mbrojtësi Hysaj: Ne shkojmë për 6 pikë, duhet të besojmë te vetja jonë. Kemi analizuar…

Delo.autor

ZBULON PRAPASKENAT/ Aksel Vitsel: Kanavaro nuk më la të shkoja tek…

Isa.Autor

Leave a Comment