Futboll La Liga Sport

U LARGUA NGA REALI PAS 16 SEZONESH/ Sergio Ramos përlotet gjatë fjalimit të lamtumirës

Sergio Ramos, ditën e lamtumirës nga Real Madridi, ka pozuar me të gjithë titujt e fituar aty, plot 22 gjithsej. Ai ka luajtur 671 ndeshje për të bardhët dhe ka shënuar 101 gola, gjatë gjithë karrierës së tij në “Bernabeu”. Dukej qartë një akt shumë emocional, në të cilin lojtari dhe presidenti Perez ishin shumë të dashur me njëri-tjetrin. Nuk munguan lotët e Ramos dhe familjes së tij gjatë konferencës për shtyp, kur qendërmbrojtësi siguroi se një ditë do të kthehet.

Ai ka pozuar zyrtarisht me Florentino Perez dhe familjen e tij para konferencës për shtyp, e cila ka pasur interesim të jashtëzakonshëm të medias. Presidenti Pérez i dhuroi Ramosit shenjat e arit dhe diamantit të klubit, mirënjohja më e lartë e Real Madridit. Më pas fjalimi emocional i Ramos: Një fazë unike në jetën time po mbyllet. Asgjë nuk do të jetë si ajo që kam jetuar këtu. Dua të vazhdoj të tregoj nivelin tim më të mirë dhe t’i shtoj një titull më shumë rekordit personal. Faleminderit shumë të gjithëve. Ky është një takim mirupafshim, jo lamtumire përfundimtare, sepse herët a vonë do të kthehem.

Unë jam rritur e përkrahur nga prindërit dhe vëllezërit e mi qysh fëmijë dhe, falë Zotit, tani kam një familje të shkëlqyeshme. Dua t’i falënderoj ata, të cilët kanë qenë gjithmonë me mua. Po ashtu klubin tim, presidentin për gjithë dashurinë; trajnerët e mi, punonjësit e klubit. Shikoj fytyrat e tyre dhe është e pashmangshme të ngazëllehesh.

Faleminderit tifozëve, ata më bënë të fluturoja në çdo kohë. Më kishte pëlqyer t’iu thoja lamtumirë në “Bernabéu”. Sidoqoftë, gjithmonë do t’ju mbaj në zemrën time. Ka ardhur momenti, një nga më të vështirët e jetës sime. Njeriu nuk është kurrë i gatshëm t’i thotë lamtumirë Real Madridit (Ramos shpërthen në lot)!

Më herët, presidenti Perez kishte nënvizuar: “Përtej shifrave, ju do të jeni përgjithmonë një nga kapitenët tanë dhe një nga më të dashurit. Ne ju falënderojmë për zgjerimin e legjendës së klubit tonë. Sot nuk është një ditë e lehtë, sepse ju, gjatë gjithë kësaj kohe, keni qenë dikush i veçantë për mua. Prandaj, ju uroj që të jeni të lumtur me të dashurit tuaj. Duhet ta dini se kjo do të jetë gjithmonë shtëpia juaj. Një legjendë si ju do të jetë gjithmonë ambasador për Real Madridin.

Në çdo pjesë të botës ku të jeni, gjithmonë do të mbeteni njeriu i “La Décima”. Unë gjithashtu dua të them disa fjalë dashurie dhe mirënjohjeje për familjen tuaj. Është shumë e vështirë të arrish gjithçka që ke arritur ti në Madrid. Në total, 22 tituj, që ju bëjnë, së bashku me Marcelo, lojtarin e dytë me më shumë trofe në klubin tonë, vetëm pas Gento.

Unë jam me të vërtetë krenar për atë që keni arritur. Ju jeni një nga legjendat e Real Madridit. Ju keni fituar respektin dhe admirimin e të gjithëve në fushë. Tifozët do t’ju kujtojnë gjithmonë. Faleminderit për gjithçka që keni dhënë këtë klub, duke mbrojtur fanellën dhe gjithmonë duke luftuar deri në fund.

Ky akt sot është i mbushur me ndjenja dhe emocione për të gjithë madridasit. Kemi kaluar shumë vite me Sergio, me shumë dashuri. Unë nuk do ta harroj ditën e prezantimit të Sergio si një lojtar i Real Madridit. Ai ishte vetëm 18 vjeç dhe kishte një dëshirë të pabesueshme për të pushtuar botën. Një fëmijë nga Camas, me një forcë të madhe. Një nënshkrim, që nuk ishte i lehtë, por ne e dinim se do të bënte epokë”.

Ramos shoqërohej nga gruaja dhe fëmijët. Prindërit dhe shumë të afërm kanë marrë pjesë, gjithashtu.

Related posts

PAS “EL CLASICO”/ Ramos del hapur kundër Conte: Respekti fitohet, s’imponohet

Isa.Autor

E MASAKROI NË STËRVITJE/ Ibra: Pasi e GODITA me kokë, filloi të LUTEJ DUKE QARË

Isa.Autor

Barcelona fillon merkaton, gati zyrtarizmi me “yllin” brazilian

Sadik.Autor

Leave a Comment