Sport Të tjera

VOLEJBOLL/ Trajneri Tomorri: Partizani kërkon një cikël të gjatë fitues, do paraqitemi sërish me ekip të ri

Më shumë se një muaj e gjysmë nga fitimi i dopietës (Kampionat+Kupë), Ylli Tomorri, trajneri i Partizanit në volejboll për meshkuj, rikthehet të komentojë sezonin e suksesshëm të “demave”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Tomorri tregon edhe Partizanin e së ardhmes, teksa bën të ditur se do të ndiqet “modeli Studenti”, ekip me të cilin trajneri Tomorri ka pasur një cikël të jashtëzakonshëm titujsh. Tekniku i të kuqve flet edhe për rivalët, ndërsa komenton gjithashtu edhe paraqitjen e ekipit tonë kombëtar në eliminatoret e europianit.

Mbyllët një edicion të jashtëzakonshëm me dopietë. Si e ka kaluar Partizani këtë periudhë prej më shumë se një muaji nga titulli?

Është e vërtetë që mbyllëm një sezon të shkurtër me fitimin e dy trofeve, Kupën e Shqipërisë dhe Kampionatin Kombëtar. Që në fillim të sezonit ne ndërtuam një skuadër të re, pa lojtarë të huaj, por me lojtarë të rinj dhe me shumë perspektivë. Punuam shumë në periudhën më të egër të pandemisë, ku për fat të keq të gjitha garat dhe stërvitjet u mbyllën, por ne e vazhduam stërvitjen në këtë kohë në mënyre virtuale. Me shumë vështirësi realizuam disa stërvitje edhe më pas, por këto nuk na bënë që të lëkundej besimi për realizimin e dy objektivave që ne i vumë vetes. Kështu që, me njoftimin për nisjen e kampionatit, ne ishim një skuadër e përgatitur dhe me shumë ambicie. Ia dolëm duke fituar mbi çdo kundërshtar, duke mos pësuar asnjë humbje deri në fund. Aktualisht, jemi në stërvitje aktive për të kaluar me pas në një fazë pushimi të shkurtër, e më tej të formatojmë ekipin e Partizanit për sezonin 2021-2022.

Ndonëse është ende herët, si e keni menduar Partizanin e sezonit të ardhshëm?

Në bashkëpunim të ngushtë me klubin dhe drejtorin Shkëlqim Muça, e kemi menduar që të kemi një skuadër mbi bazën e asaj përbërjeje që kishim, e ndoshta edhe me ardhje të reja, por gjithmonë me moshë të re, me perspektivë dhe me mentalitet fitues. Kemi vendosur objektiva të qartë që të ndërtojmë më shumë një ekip afatgjatë dhe të aftë për të realizuar objektivat tona.

A i ka mundësitë ky Partizan të hapë një cikël të ngjashëm fitues si ish-Studenti juaj?

Ne duam t’i japim Partizanit një hapësirë reale që të jetë gjithnjë kandidat për trofe, ashtu sikundër vepruam dhe me ekipin e Studentit. Për këtë projekt, kemi gjetur në mënyrë korrekte dakordësinë e drejtorit Shkëlqim Muça, si dhe të sponsorëve tanë Luan Leka, Vasil Naçi dhe Bankës Credins, që janë me kryesorët në zhvillimin e volejbollit në Klubin Partizani për meshkuj.

Një prej skuadrave që ka lëvizur më shumë në merkato është Tirana. Mendoni se do të jenë bardheblutë rivalët tuaj kryesorë?

Në kampionat ka shumë ekipe konkurruese si Tirana, Erzeni, Skënderbeu dhe Vllaznia. Besoj se të gjithë do të bëjnë përpjekje për t’u organizuar sa më mirë për ta filluar sezonin me ambicie. Është e natyrshme që Tirana të këtë dëshirë për të dalë kampione, pasi ka bërë shumë ndryshime në funksion të kësaj, duke nisur nga stafi drejtues e deri në afrimin e lojtarëve të rinj nga klube të tjera si Erzeni. Unë dëshiroj shumë që të kemi disa ekipe rivalizuese që kampionati të bëhet më interesant dhe tërheqës. Tirana ka qenë gjithnjë rival i fortë dhe po kështu mbetet. Një ekip me pretendime për të qenë fitues i dy trofeve, por këtë do t’ia lëmë fushës së lojës, si për ne ashtu dhe për të gjitha ekipet që përmenda më sipër.

Një koment nga ju për paraqitjen e Kombëtares në eliminatore?

Kombëtarja jonë duke parë rezultatet, mendoj që nuk bëri një paraqitje të mirë. Mendoj që dhe ekipi kombëtar ne vetvete është si një ekip i një klubi, i cili kërkon që në nisje një ndërtim dhe menaxhim të mirë, si nga ana financiare, përzgjedhja lojtarëve, stafit drejtues, stërvitjeve, kohën në dispozicion dhe në fund më kryesorja, objektivi që duhet të arrijë. Këtë ekip e ka në juridiksion Federata Shqiptare e Volejbollit, që për mendimin tim nuk e ka kryer 100% detyrën. Ne kemi lojtarë shumë të mirë, cilësorë, të cilët luajnë me ekipe të huaja me mjaft sukses. Kemi një ekip kombëtar me moshë të re dhe duhet punuar e analizuar në çdo detaj që mos të na humbasë ky brez. Ne nuk duhet të mbetemi në pikën që të quajmë sukses pjesëmarrjen në këto kompeticione, sepse kjo është shumë pak për këtë brez të ri të dhe të talentuar. Duhet të kemi më shume ambicie. Prandaj në të ardhmen i uroj suksese ekipit tonë kombëtar.

Related posts

10 fakte nga jeta e Salah që e bëjnë një njeri të madh

Sadik.Autor

Oddo: Ndaj Crotones vendoset e ardhmja e Udineses

Sadik.Autor

U TRANSFERUA NË AMERIKË/ Agolli shënon nga goditja e dënimit, por e mbyll finalen me… (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment