Futboll Sport

ANGLIA E SOUTHGATE ËSHTË NJË MIKS GLOBAL/ Multikombësi prej 1.3 miliardësh, por “Luanët” janë edhe…

Angli e Garet Sauthgejtit është fytyra tjetër e atij kombi që me një referendum më 23 qershor 2016 votoi “Brexit”, një miks kulture, historie dhe futbollistësh me vlera kartoni stratosferike, por me burra të rritur me shumë probleme varfërie ekstreme në fëmijëri.

Është pikërisht kjo “Angli e re”, duke përdorur fjalët e trajnerit aktual të “Tre Luanëve”, pikërisht kjo skuadër të dielën mund të dhurojë paradoksin e paradoksit, të fitojë titullin europian, gjithmonë nëse Danimarka pikësëpari do t’ia lejojë, pikërisht në vitin e daljes nga Bashkimi Europian.

1.3 MILIARDË € – Kuotimi i grupit anglez në këtë “Euro 2020” prek bindshëm 1.3 miliardë eurot. 10 futbollistë janë shumë herë mbi kuotën e 50 milionëve: Kejn, Sterling, Rashford, Sanço, Foden, Bellingam, Maunt, Saka, Grilish e Rais, por gjatë këtij turneu shifrat e kartonëve të këtyre yjeve kanë qenë vetëm në rritje. Pas 3 golave të realizuar ndaj Gjermanisë e Ukrainës, çmimi i Herri Kejnit “kërceu” nga 120 në 150 milionë euro. Totenhemi deri tani ka shtyrë konkurrencën e dy klubeve të Mançesterit dhe jo vetëm, me klubin që deri tani po këmbëngul se gjiganti i sulmit të tyre nuk është në shitje.

“Euro 2020” gjithashtu ka vënë në vitrinë dhe ka rritur edhe vlerat e lojtarëve të tjerë, si Saka (Arsenal) dhe Rajs (Uest Hem), por edhe lojtarëve të tjerë si Meguajër (Junajtid), Filips (Lids) dhe Shou (Junajtid). Madje, nëse Filips është surpriza më e madhe e deritanishme, me Bielsën që u ka formuar një kampion ekzemplar anglezëve, Shou i cili prej vitesh kishte një debat të ashpër me Zhoze Murinjon në distancë, me paraqitjet e tij ka ditur si t’i bëjë portugezit të ndryshojë mendje dhe me këtë të fundit që ka ulur hundën dhe i ka kërkuar falje publike mbrojtësit të majtë, për të gjitha akuzat e bëra, pasi Shou është deri më sot rekordmeni i asistove (3) në këtë “Euro 2020”.

ORIGJINAT – Megjithatë, kjo Angli nuk është vetëm merkato milionash, por edhe një miks historish e popujsh të ndryshëm. Ndërsa nga njëra anë Anglia votoi që të dalë jashtë Bashkimit Europian, brenda “Tre Luanëve” ka dhjetëra kombësi të ndryshme: Grilish e Rajs për shembull kanë rrënjë irlandeze.

Uoker, Sterling e Filips janë me gjak xhamajkan; Saka nigerian, Meguajër spanjoll, Mings nga Barbadosi, Sanço nga Trinidad e Tobago, Rashford nga ishujt Saint Kits, ndërsa babai i Çilluellit është nga Zelanda e Re. Po përveç multikombësive, kjo kombëtare njeh edhe mjaft persona me formime fantastike, si Tripier për shembull i cili është diplomuar për mjekësi në vitin 2015.

Në të njëjtën kohë, kapiteni Henderson dhe Sterling janë vlerësuar me çmimin “Anëtar i Urdhrit të Mbretërisë Britanike” për merita sportive gjatë pandemisë, por edhe për nismën kundër diskriminimit. Ndërkohë, ka të tjerë që kanë disa historira urie mbi shpatulla si në rastin e Rashfordit e Filips.

“Shpesh hanim vetëm një vakt që na garantonte shkolla dhe kaq”, shprehej sulmuesi i Junajtidit, i cili prej gati dy vitesh ka ndërmarrë një nismë personale për ngritjen e mensave në shkolla, por edhe për të pastrehët, me kontribute të vetat dhe vullnetare. Me pak fjalë, kjo kombëtare aktuale di jo vetëm që të luajë futboll dhe të rikthejë ëndrrën në ishull, por në të njëjtën kohë ka një mendje dhe një zemër shumë të madhe, pikërisht ato që duhen për të bërë diferencën në fushë, siç kanë treguar deri në çerekfinale.

Related posts

MERKATO E VERËS/ Gati të pranojë ofertën, Majkëll Ngo pranë rikthimit në Superiore tek klubi…

Delo.autor

“Çdo ditë e kaluar tek Inter ka qenë e jashtëzakonshme. Dhe ai gol…”

Q.Autor

TEKNIKU TUCHEL PRANË KALIMIT TEK CHELSEA/ Trajneri anglez: Kush tha se ai është i madh? Nuk tregon…

Delo.autor

Leave a Comment