Futboll Sport

“DRIDHET” INTERI/ Abramoviç zbarkon në Milano për Romelu Lukakun. Marota ka gati…

Telefoni i Romelu Lukakut nuk ka të ndalur ditët e fundit. Pas telefonatave të vazhdueshme me trajnerin e ri të Interit, Simone Inzagi, që stabilizuan një lidhje të fortë mes tyre pa u prezantuar ende fizikisht, tashmë nga ana tjetër e telefonit gjenden drejtuesit e Çelsit, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër duan ta bindin sulmuesin t’u bashkohet kampionëve në fuqi të Europës.

Pas zërave për ofertën e mundshme prej 130 milionë eurosh dhe ofertës që përfshinte Timo Vernerin, plus një shumë të madhe parash, hapi i radhës ka ardhur pikërisht në drejtim të vetë belgut: 10 milionë euro rrogë në sezon dhe sigurimin e vendit si lider në ekipin e bluve.

Nga Lukaku ka ardhur një refuzim i prerë, por me mirësjellje, pasi ishin pikërisht blutë të parët që besuan tek ai dhe bënë kalimin e madh në Angli, duke u dhënë sinjale të drejtpërdrejta drejtuesve të londinezëve se do ta vazhdojë karrierën në Itali dhe duke i komunikuar Interit vendimin e tij.

Pas fjalëve të Marotës se e konsideronin belgun të pashitshëm, vlerësimit të Inzagit dhe komunikimit të fundit mes tyre pas mbërritjes në “Apiano Xhentile” të 28- vjeçarit, qëndrimi i udhëheqësit të sulmit të zikaltërve ka qenë i qartë, duke i premtuar dashuri ngjyrave të klubit. Ka të paktën dy arsye pas këtij vendimi të qendërsulmuesit.

BESNIK NDAJ INTERIT – E para dhe më e rëndësishmja: Romelu, përveçse i lumtur në Milano, i është mirënjohës klubit që dy vjet më parë e largoi nga makthi i Mançester Junajtidit dhe nga një kampionat në të cilin kishte hyrë në një rrugë pa krye, duke bllokuar rritjen e karrierës së tij.

Arsyeja e dytë është se Lukaku mendon se mes tij dhe “Premier League”-s nuk mund të ketë më një të ardhme. Kthimi në Angli nuk e stimulon absolutisht Romelunë dhe ideja e kthimit atje ku ka qenë, tashmë nuk i bën asnjë përshtypje, edhe pse do e bënte këtë si fitues, status që e arriti pikërisht në Itali.

As oferta e lartë ekonomike Çelsit nuk është një motiv i mjaftueshëm për ta çuar në ishull futbollistin, që me sa duket është i kënaqur me 7,5 milionë eurot që fiton te Interi.

Përpos gjithë panoramës që ofron sulmuesi, merkatoja nuk ka mbaruar akoma dhe insistimi i bluve po vjen gjithmonë e më në rritje duke përqendruar gjithë energjitë e tyre në sigurimin e shërbimeve të Lukakut dhe për këtë ka zbarkuar në Milano, vetë djali i presidentit Roman Abramoviç, që po e ndjek nga afër situatën dhe do të bëjë çdo gjë për ta marrë me vete në Londër belgun.

Ndërkohë, në mungesë të arritjes së një akordi me vetë futbollistin, në drejtim të klubit italian nuk ka ardhur akoma asnjë ofertë zyrtare, që pritet të jetë e menjëhershme në rast se Lukaku bindet. Blutë e kanë vlerën e duhur për t’i tunduar zikaltrit dhe 130 milionë eurot do të ishin një lehtësim i madh për financat e klubit që ndodhet në vështirësi ekonomike.

duvan zapata

DY ZËVENDËSUES – Në rast se marrëveshja do të ndodhë, Marota e Auzilio i kanë tashmë ndërmend emrat që do të zëvendësojnë belgun, të cilët janë pjesë e Serisë A dhe përshtaten lehtësisht me mentalitetin e kampionatit. Bëhet fjalë për Duvan Zapatën, gjigantin e Atalantës i cili është gati të marri rolin e qendërsulmuesit dhe Xhakomo Raspadorin, 21- vjeçarin e Sasuolos që përveçse pjesë e ekipit aktual, do të ishte një garanci edhe për të ardhmen.

raspadori

Në këtë treg transferimesh nuk është asgjë e sigurt dhe ndërkohë që numri 9 i Interit premton besnikëri, Interi është krejtësisht i vetëdijshëm për situatën dhe po mendon çdo skenar të mundshëm. Deri më sot të certifikuar janë vetëm presioni i vazhdueshëm i Çelsit dhe përgjigjja aktuale e Lukakut, verdikti final do të jepet vetëm në mbyllje të merkatos.

Related posts

ÇËSHTJA E SHIRITIT/ Ironizon “Bild”: A nuk KA PROBLEME të tjera ITALIA që merret me…

Isa.Autor

Tronditet Chelsea! Ylli i madh do largohet në verë drejt Spanjës

Sadik.Autor

FOTO/ E kishin harruar zborin në Shqipëri. Dy kuqezinjtë i nënshtrohen për 4 ditë në Zvicër

Q.Autor

Leave a Comment