Futboll Sport

HISTORIA/ Southgate, truri i Anglisë që trajneri i tha ta linte futbollin

Për një njeri që shkëlqen në komunikim, është e saktë që këtë histori për Garet Sauthgejtin ta nisim me një telefonatë. Në verën e vitit 2013 nuk kishte një atmosferë pozitive përreth Federatës Angleze. Ishte një moment negativ në ekipet kombëtare zinxhirë, ndërsa U-21 ishte turpëruar në Europian nga Izraeli.

Stjuart Pirs pagoi çmimin dhe kontrata e tij nuk u rinovua. Ai kishte qenë një lojtar i shkëlqyer i kombëtares. E njëjta gjë vlen edhe për Dejvid Platin, trajneri i U-21 2001-‘04. Që të dy zbuluan se arritjet e së shkuarës nuk ishin burim frymëzimi për brezin aktual.

“Pse duhet të ishte ndryshe me Sauthgejtin?”, pyesnin kritikët. Përballë kishin një njeri që ishte shkarkuar nga Midëllsbrou në tetor 2009 dhe ishte në stol kur ata ranë nga kategoria në maj. Por, FA pa përtej këtyre fakteve, ashtu siç pa trajneri i tij i parë te Kristal Palasi, Alan Smith.

“Pasi humbëm një ndeshje, e thërrita në zyrë dhe i thashë: Garet, mendoj se je shumë i zgjuar për këtë punë. Duhet të bësh një zgjedhje. Nëse do më takonte mua, mendoj se ti duhet të bëhesh agjent udhëtimesh”. Gjithnjë një model në fushë dhe jashtë saj, në jetën e tij ka një moment kur gjatë një turi në Itali, Sauthgejt e shkeli me alkoolin. Dhe njeriu i pafat që vuajti dehjen e mbrojtësit ishte presidenti i ndjerë i Kristal Palasit, Ron Noades.

Gjatë një turi me skuadrën e të rinjve në Viarexho (Toskanë), Garet rrëkëlleu disa gota më shumë tekila. Gjatë kthimit në hotel, në ashensor ai ishte me presidentin Ron. Sauthgejt nuk e mbajti dot veten dhe volli në rrobat e presidentit dhe këpucët e tij të bardha.

“Nuk e di se çfarë i tha Ron ditën tjetër, nuk mund t’i përsëris fjalët e tij, por di që Garet u ndie shumë në faj dhe i kërkoi shumë herë ndjesë”, tregon Alan Smith. Mëngjesin tjetër, rrobat e Ron ishin jashtë dhomës së Garetit gati për të hyrë në lavanderi. Sauthgejt u emërua trajneri i U-21 në një garë me 10 kandidatë, ku në listë kishte emra si Stiv MekLaren apo ish-asistenti i Junajtidit, Ren Meulenstin.

Por, në dy intervistat në “Wembley”, përpara presidentit të federatës, shkëlqeu Sauthgejt. Për ta pasur ndërgjegjen e qetë, duhej të bënte një telefonatë, mikut të tij Stjuart Pirs. Në turin e famshëm në Hong Kong në 1996, ishte Pirs ai që e mbajti larg asaj mbrëmjeje të çmendur, e cila përfundoi me dehjen e skuadrës në “karrigen e dentistit”, vetëm pak ditë përpara nisjes së Europianit.

Një sulmues premtues, i quajtur Herri Kejn, shënoi tregolësh në ndeshjen e tretë me Sauthgejtin në stol kundër San Marinos. Anglia e tij shënoi 23 gola në 6 ndeshjet e para atë vjeshtë. Në 2016-ën, Hoxhson hoqi dorë nga stoli i kombëtares, Sauthgejt tha se nuk donte ta pasonte, por pas skandalit të korrupsionit me trajnerin e ardhshëm Sem Allardajs, ai e dinte se nuk do t’i vinte më ky shans. Një Botëror i lavdishëm në “Rusi 2018”, për pak sa nuk solli finalen e parë të Botërorit që mungon prej 1966-ës. Tri vite më vonë, pas 55 vitesh, Anglia mbërrin në finalen e parë të një Europiani.

Është vetëm një ndeshje larg trofeut të parë prej 1966-ës. Dhe me atë që kemi parë gjatë muajit të fundit: vendime të vështira, ndryshime moduli, nuk është një rastësi, sepse ky njeri ka punuar 8 vite për të mbërritur këtu. Mos e vini në dyshim që njeriu në stolin e Anglisë nesër në “Wembley” do të jetë gati për ta rikthyer futbollin në shtëpi.

Related posts

ISH E DASHURA E DYBALËS/ “Arsyeja e ndarjes tradhtia? Ai nuk më dedikoi kurrë një…

Isa.Autor

MORA NJË GODITJE NË KAVILJE DHE…”/ Lorenc Trashi: U mundova të zbatoja detyrat që më la trajneri Reja

Delo.autor

PAS FITORES NDAJ BOLOGNAS ME GOLEADË/ Inzaghi: Ja pse e kisha shumë frikë këtë ndeshje

Delo.autor

Leave a Comment