Futboll Sport

ITALI-ANGLI/ Arbitri kryesor i finales në “Wembley”: Është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime

Bjorn Kaipers do të jetë arbitri kryesor në finalen e madhe të Uemblit mes Italisë dhe Anglisë. 48- vjeçari që është edhe pronar i një supermarketi në Oldenal, në Holandë do të ketë nderin të jetë nesër në qendër të vëmendjes në një detyrë të vështirë. Finalet nuk janë një gjë e re për të pasi në 2014 arbitroi finalen e Champions-it, dy finale të Europa Ligës në 2013 dhe 2018, një Superkupë UEFA në 2011 dhe një finale të U-21 dhe U17 në 2009 dhe 2006.

Pra, gjithçka ka nisur nga një finale moshash për të arritur në majë. “U emocionova shumë kur mora vesh që do të gjykoja këtë finale, – tha holandezi për faqen e UEFA-s. – Shpresoja shumë që të kisha mundësinë të arbitroja një finale Europiani, kam punuar fort me ekipin tim për të qenë këtu. Është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime, një moment magjik, një nder i madh”. Deri tani Kaipers ka arbitruar dy ndeshje në grup, BelgjikëDanimarkë dhe Spanjë-Sllovaki. Në fazën me eliminim direkt ai vuri drejtësi në sfidën Çeki-Danimarkë. Ai ishte gjithashtu arbitër i katërt në ndeshjen mes Anglisë dhe Kroacisë. “Europiani deri tani ka qenë i jashtëzakonshëm. Mendoj që niveli i arbitrave ka qenë shumë i lartë. Mes nesh ka mbizotëruar një ndjesi familjare. Të gjitha kanë qenë aty për njëri-tjetrin, një familje e vërtetë”.

KËSHILLA E BABAIT

Ndonjëherë një incident i thjeshtë mund të jetë një katalizator për të ndryshuar rrjedhën e jetës. Kjo ka qenë edhe çështja te Kaipers, ku në moshën 16-vjeçare babai i tij i ndryshoi jetën. “Kur isha adoleshent luaja futboll dhe nuk isha lojtari që sillesha mirë me arbitrin”, kujton ai.

“Babai im gjykonte moshat në atë kohë dhe gjatë një ndeshje më tha: ‘Dëgjo, nëse mendon se i di gjërat më mirë, atëherë shko bëj një kurs arbitri dhe bëje vet’. Kështu nisi rruga ime drejt një kapitulli të ri. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës babait tim për ato fjalë”. Në këtë mënyrë nisi një karrierë e re për Bjorn Kaipers, i cili pranoi se kurrë nuk e nisi punën e tij si arbitër duke synuar të gjykonte yjet e futbollit.

“Kur nisa arbitrimin kuptova se sa shumë më pëlqente diçka e tillë, por brenda meje kurrë nuk vendosa qëllime të mëdha. Mendova t’u shkoja gjërave hap pas hapi dhe të më pas të shikoja se sa larg do të shkoj. Ajo që më ndihmoi ishte këshilla e njerëzve të duhur në rrugëtimin tim.

Në vitin 2006 mora dhe stemën e FIFA-s një privilegj që jo të gjithë e kanë. Aty nisa të mendoj ndryshe dhe të vendosja qëllime serioze në karrierën time. Isha me fat që u promovova në elitën e arbitrave në Europë”. Që nga ajo ditë, Kaipers nuk e ktheu më kokën prapa. Si një nga arbitrat më të mëdhenj në Europë, ai mësoi si t’i përjetonte uljet dhe ngritjet e një prej profesioneve më të vështira në botë dhe më të paragjykuara.

“Për të përballuar ndeshje të nivelit të lartë, duhet të jesh fit në aspektin fizik dhe mendor, të shijosh atë që bën, në të kundërt, ajo që bën nuk ka një kuptim. Aftësia për të menaxhuar njerëzit është shumë jetësore, ashtu si dhe të kuptuarit futbollin. Nëse arrin të fitosh besimin e lojtarëve dhe tifozëve, puna jote bëhet edhe më e thjeshtë”. Kaipers dhe ekipi i tij kanë udhëtuar që dje në Londër nga baza e arbitrave që ishte në Stamboll.

Holandezi pranoi se atmosfera e finales ka nisur të ndihet që para disa ditësh. “Kur po shihnim gjysmëfinalen me skuadrën time, kuptuam se si mund të ishte atmosfera në “Uembli” nëse do të shkonim në finale, pasi deri në atë moment nuk dinim asnjë gjë. Tani mezi po presim që ta përjetojmë atë ambient në finalen e së dielës.

BASHKËPUNIMI

Në një ndeshje të tillë, ajo që të mbetet në mendje është dalja në nxehmje dhe përjetimi i atmosferës që krijohet nga tifozët, të cilët mezi presin që të nisë ndeshja. Më pas vijnë himnet dhe parakalimi afër trofeut. Në ato momente do të mendoj për ata njerëz që më ndihmuan gjatë rrugëtimit tim deri këtu dhe në veçanti familjen time”. Kapiers e di që tifozët më të mëdhenj të tij do të jenë gruaja Marlis dhe dy fëmijët e tij që do të jenë në “Uembli” për ta ndjekur finalen.

“Nuk mund ta shpreh mjaftueshëm rëndësinë që kanë ata për mua”. Në fund, dhe fjalë besueshmërie për ndihmësit e tij. “Kemi bërë një rrugë të gjatë së bashku. Kemi kaluar dështime dhe suksese. Pa asistentët e mi ndoshta nuk do të isha këtu. Kam një besim të verbër tek ata dhe mendoj që së bashku do të arrijmë ta kalojmë dhe shijojmë edhe këtë moment të rëndësishëm në karrierën tonë”, u shpreh Kaipers.

Related posts

U DËNUA ME 6 MUAJ BURG/ Ja gjoba e majme që do të paguajë Luka Jovic…

Delo.autor

ZBULON MAKTHIN ME “JASHTËTOKËSORIN”/ Portieri Oblak: Shikon gjithçka, po lëvize të ndëshkon

Delo.autor

NDODH EDHE KJO/ Danimarka rrezikon dënimin, lojtarët marrin një VENDIM ABSURD

Isa.Autor

Leave a Comment