Futboll Sport

KA THYER 5 HERË HUNDËN/ Angli, kujdes nga “Gorilla” Chiellini me diplomë

Herri Kejn do të jetë ende duke festuar golin fitues të gjysmëfinales ndaj Danimarkës, por kapiteni i Anglisë në ndeshjen e fundit të kompeticionit do të ketë përballë një nga kundërshtarët më të ndërlikuar: mbrojtësin e Italisë, Xhorxho Kielini. 36-vjeçari, i cili me klube luan për Juventusin, është një lojtar i “gardës së vjetër” që do të bënte gjithçka për të mbrojtur zonën e tij.

Duket si i keqi i një përralle me fytyrën e tij të ashpër, por ka një zemër të artë dhe personalitet, faktorë që e bëjnë të jetë kapiteni perfekt për klubin dhe kombëtaren.

PSEUDONIMI – I përshkruar si djalli me aureolë, Kielini nuk ka asnjëherë frikë të vendosë trupin e tij përpara rivalit dhe të përdorë krahët e tij, duart apo gjithçka të mundshme për të bllokuar goditjet ose për të ndalur sulmuesit që të shënojnë. Përgjatë “Euro 2020”-ës, paraqitjet e Kielinit përkrah shokut të repartit dhe mikut të tij Leonardo Bonuçi në qendër të mbrojtjes kanë qenë të jashtëzakonshme dhe i kanë garantuar skuadrës siguri në prapavijë. Edhe përballë Belgjikës së Romeu Lukakut, i konsideruar për momentin sulmuesi më i mirë në botë, Kielini qëndroi i palëkundur dhe e detyroi kundërshtarin e tij të luante ndeshjen më të shëmtuar të kompeticionit. Pseudonimi i tij “Gorilla” e përfaqëson më së miri stilin e tij të lojës. Tani i shoqëron golat e shënuar duke goditur kraharorin dhe gjithashtu i ka vendosur emrin një loje celulari të quajtur “Go Go Gorilla”.

SI IKONAT – Në fakt, aftësia e tij mbrojtëse admirohet aq shumë në Itali, sa të shumtë janë ata që mendojnë se është i denjë për një vend në panteonin e mbrojtësve ikonë të kombëtares. Pa dyshim nuk do të dukej jashtë vendi të luante përkrah Alesandro Nestës dhe Fabio Kanavaros, heronjtë e Italisë në fitoren e Botërorit të 2006-ës. Dhe një pjesë e madhe po ashtu mendon se qëndron përkrah ikonave si Franko Barezi dhe Paolo Maldini, legjendave të mbrojtjes. Kielini, një majtosh, mund të luajë në mbrojtjen me tre apo me katër dhe kjo i lejon “Axurrët” të përziejnë formacionet, faktor qmund t’u shkaktojë probleme Anglisë ditën e diel. I gjatë dhe i hollë, plot me gërvishtje dhe mavijosje nga një karrierë e gjatë, Kielini ka thyer hundën e tij plot pesë herë në 10 vitet e tij te Juventusi. Fytyra e tij plot shenja dhe pamja e tij e ashpër mund të japë përshtypjen se është një 50-vjeçar, por paraqitjet e fundit kanë treguar se në ato këmbë ka plot energji.

NË DYSHIM? – Si rrallëherë në futbollin modern, Kielini mbron prej kohësh ngjyrat e Juventusit dhe ka qenë një pikë referimi për trajnerët e skuadrës bardhezi që nga momenti kur u ble nga Fabio Kapelo në vitin 2005. Kejn mund të kishte vazhduar formën e tij të mirë me “Tre Luanët” pas realizimit ndaj Danimarkës, por tani përgatitet të përballë mbrojtësin më të mirë në qarkullim. Kjo, nëse do të jetë në 100% të formës. Trajneri i Italisë dhe rreth 60 milionë tifozët italianë që do të shohin finalen, po mbajnë frymën sepse ka dyshime lidhur me praninë e Kielinit në këtë sfidë. Seancat e fundit stërvitore mendohet të jenë thelbësore për 36-vjeçarin, i cili po riaftësohet në maksimumin e formës së tij pas 120 minutave sfilitëse ndaj Spanjës të martën në mbrëmje. Kielini është rikthyer në fushë pas një sezoni të kaluar me shqetësime në pulpë. Problemet e tij fizike kanë prekur tri vitet e fundit të karrierës së tij dhe nuk ka qenë i gatshëm të luajë një sezon të plotë pa një problem. Rikthimi i trajnerit Masimiliano Alegri te Juventusi ka bërë të qartë faktin se Kielini do të mbetet një pikë kyçe e mbrojtjes bardhezi edhe për së paku 12 muaj. Eksperienca e tij konsiderohet thelbësore, edhe pse aktualisht trupi i tij ka nisur të mos i përgjigjet si më përpara.

JETA PRIVATE – I lindur në Piza, Kielini ka dy motra dhe dy vëllezër, njëri prej të cilëve ka qenë edhe menaxheri i tij për shumë vite. Është njëri prej pak futbollistëve italianë me një diplomë pasi ka studiuar ekonomi-biznes në Universitetin e Pizës: përfundoi studimet në vitin 2010 me 109 pikë nga 110 dhe me një tezë për financat e një klubi futbolli; gjithashtu ka përfunduar masterin në administrim biznesi, duke përdorur Juventusin për ta ndihmuar ekonomikisht. Përpara gjumit në mbrëmje, gjen gjithmonë kohë për të lexuar. Flet një anglishte të pastër: e tregoi edhe duke folur me gjyqtarin përpara penalltive ndaj Spanjës. Është një person shumë privat dhe rrallë publikon foto të familjes së tij në rrjetet sociale. Ka për bashkëshorte Karolinën, me të cilën është martuar në vitin 2014 dhe së bashku kanë dy vajza, Nina dhe Olivia. Gjithashtu është një i pasionuar pas videolojërave, e adhuron “Playstation”-in e tij dhe lojën “Football Manager”. Thotë që databaza e madhe e simulatorit e ndihmon të mbajë shënime për shokët e tij të skuadrës dhe kundërshtarët e ardhshëm. Nuk ka fituar asnjëherë me kombëtaren e tij dhe kjo mund të jetë mundësia e fundit përpara Botërorit të Katarit.

Related posts

Barcelona ka “asin nën mëngë” për të nënshkruar me Milinkovic-Savic

Sadik.Autor

I KUNDËRPËRGJIGJET FRANK LAMPARD/ Klopp: Duhet të mësojë diçka… (VIDEO)

Delo.autor

PUBLIKOHET LISTA/ Ancelotti me gjashtë mungesa për sfidën ndaj Valencias, ja emrat…

Delo.autor

Leave a Comment