Futboll Seria A Sport

“KËTË VIT HISTORIA KA PËR TË NDRYSHUAR”/ Tonali: Në ekip kam tre baballarë, mezi pres të luaj në Champions

Në një kohë kur futbol listët kërkojnë gjith monë e më tepër, Sandro Tonalit duket se Milani i del dhe i tepron. Në momentin kyç të bisedimeve për transferimin e tij, 21- vjeçari uli rrogën me 300 mijë euro vetëm për të treguar se sa shumë dëshiron të mbetet kuqezi. Në këtë fazë përgatitore po mundohet të tregohet i gatshëm, teksa në intervistën për “La Gazzetta dello Sport” shpjegon se si ka ndryshuar qasja e tij me botën Milan.

Milani ju besoi përsëri. Si ndiheni?

Fillimisht dua të falënderoj klubin që vuri bast mbi mua për të dytën herë. Nuk më pëlqejnë premtimet, por ju siguroj se do të bëj gjithçka për të treguar se e meritoj Milanin.

Ta nisim nga rroga. Përse e zvogëluat?

Sepse dëshira për të mbetur te Milani ishte më e rëndësishme se sa paratë. Huazimi nga Bresha kishte përfunduar dhe bisedimet nisën nga e para. Kishte shumë rëndësi për mua që të bëja një hap në drejtim të Milanit.

Mund të kishit shkuar diku tjetër apo nuk e morët në konsideratë si mundësi?

Dikush mendon për karrierën e të tjerë për paratë. Te Milani ndjej se mund të arrij synimet e mia dhe jam i lumtur për zgjedhjen time.Kishte shumë klube të interesuara për mua, madje duke më ofruar edhe më tepër, por unë jam i lumtur këtu. Mendoj se të ndjerit mirë në një skuadër është kriteri kryesor për të dhënë më të mirën.

Pra sivjet është sezoni i duhur?

Tonalin e vërtetë keni për ta parë sivjet. Jam një vit më i pjekur si brenda, ashtu edhe jashtë fushe. Në favorin tonë luan edhe fakti se njihemi prej shumë kohësh tashmë, si mes lojtarësh, ashtu edhe me trajnerin. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar janë objektivat, sepse jemi Milani dhe synojmë gjithmonë majat.

Çfarë ju pengoi në sezonin e kaluar?

Nuk e nisa siç shpresoja. Fillimisht COVID-i, pastaj nuk po arrija ritmin e grupit. Këtë vit historia ka për të ndryshuar. Fakti që jam te Milani nuk është një arritje, por thjesht pikënisja, sepse jam i vetëdijshëm që më duhet të përmirësohem.

Sa ndikojnë kritikat në përditshmërinë tuaj?

Kur nuk kemi ndeshje apo stërvitje unë preferoj të kaloj kohën e lirë duke lexuar apo parë ndonjë film. Kritikat dhe elozhet përpiqem të mos i marr shumë për bazë, sepse do të ketë gjithmonë njerëz që kanë një mendim ndryshe.

Si është raporti juaj me trajnerin Pioli?

Shumë i mirë, e kam si baba. Unë jam ende i ri dhe ai e di se si të më flasë. Më ka njohur mirë dhe shpeshherë më fut të punoj me shokët e tjerë të repartit, me të cilët analizojmë ndeshjet dhe gabimet. Jemi shumë të bashkuar.

Kesi e Benaser ju kanë mësuar ndonjë gjë?

Patjetër që po, sidomos gjatë stërvitjeve. Ata janë rritur së bashku me ekipin dhe për të gjithë janë shembulli që duhet ndjekur. Në skuadër është edhe Kruniç e këto kohë edhe Pobega. Jemi miq, ndaj më shumë se konkurrencë, janë stimuli që më shtyjnë për të dhënë më të mirën. Kështu përfiton edhe skuadra.

Po veteranët si Ibra e Kjaer ju kanë dhënë ndonjë këshillë?

Janë dy karaktere të ndryshme, por që i japin shumë skuadrës. Kur luan me Ibrën ke stimuj të jashtëzakonshëm, sepse ai na karikon edhe kur nuk zbret vetë në fushë. E di që na e ka nevojën, siç edhe ia kemi, e kjo na ka bërë një trup të vetëm. Kjaeri flet dhe na shpjegon shumë kur jemi në fushë. Për ne është si një trajner i dytë.

Paolo Maldini beson shumë te ju. A keni marrë ndonjë këshillë?

Paolo është kolonë e Milanit, sidomos në këtë periudhë. Në ekip ka shumë të rinj dhe fakti që punojmë përpara syve të tij apo që i flasim na mbush me energji të veçanta. Kur nënshkrova kontratën, Maldini ishte i pranishëm e së bashku bëmë një përmbledhje të asaj që kaloi e të objektivave që duhen arritur. Ishte vërtet shumë bukur!

Zhiru dhe Ibra flasin për titull. Mendoni se mund t’ia dilni?

Asgjë nuk ka ndryshuar e te Milani kërkohet gjithmonë maksimumi. Mendimi ynë është i njëjti. Diskutimi vlen edhe për Championsin, ku do të mundohemi të shkojmë sa më larg edhe pse rikthehemi pas shumë vitesh mungesë. Europa është shtëpia e Milanit.

Keni ndonjë preferencë për shortin?

Do të doja të luaja kundër Modriçit, të cilin e kam admiruar gjithmonë. Do të ishte kënaqësi e veçantë nëse do të mund ta sfidoja.

Mançini ju grumbulloi që 19 vjeç, ndërsa Europianin e patë si tifoz…

Kombëtarja është pasojë e asaj që gjithkush bën me ekipin e klubit. Nëse eci mirë me Milanin, do të rikthehem edhe tek Italia. Europianin e pashë si tifoz, por sidoqoftë e kam shijuar dhe ndihem krenar për suksesin e tanëve.

Çfarë ndieni t’u premtoni milanistëve?

Kam dy vjet që pres të shoh “San Siro”-n e stërmbushur. Do të jetë bukur, ndaj u premtoj që do të bëj maksimumin për të nderuar këtë fanellë. Deri atëherë, shpresoj që edhe skuadra të ketë ecur mirë, kështu kënaqen edhe shokët e mi, shumica e të cilëve janë milanistë.

Related posts

Brazil-Belgjikë/ Trajneri i “Seleçaos” nuk mban sekret asgjë duke treguar edhe formacionin zyrtar

Isa.Autor

MOTI I KEQ/ Dëbora mbulon stadiumet, anulohen 4 ndeshje. Ja sfida e vetme që do të luhet sot… (VIDEO)

Delo.autor

BARCELONA BËN SURPRIZËN/ Kampioni i botës pranë transferimit te “Katalanasit”

Delo.autor

Leave a Comment