Futboll Seria A Sport

NDRYSHIM SKEME DHE MERKATO/ Trajneri Pioli zbulon kartat: Gati për një sezon madhështor

I fundit që u largua nga Milani në përfundim të sezonit të kaluar dhe i pari që çel këtë sezon të ri. Stefano Pioli është gati për një tjetër faqe të aventurës së tij milaniste, teksa dje në një konferencë për shtyp ka folur për pritshmëritë, merkaton dhe objektivat e Milanit në vitin që shënon edhe rikthimin në Champions.

Për sa javë e shijuat fitoren me Atalantën?

Nuk e di se për sa kohë, por të jeni të sigurt që e shijova. Më pas nisa të mendoj për atë që duhet të bëj në të ardhmen, sepse unë dhe klubi nisëm të mendojmë menjëherë për sezonin e ri. Sot është dita e parë e një kapitulli të ri dhe është emocionuese.

A do të jetë e ndryshme faza përgatitore sivjet?

Në fakt, secili prej nesh ka nisur të punojë pak më herët. Duam t’i hedhim hapat me qetësi. Kaluam një sezon të lodhshëm, por kemi pushuar e të gjithë jemi gati. Duam të jemi përsëri protagonistë.

Si prisni të jetë kjo verë më Donarumën e Çalhanoglunë që janë larguar?

Të gjithë te Milani duam të jemi konkurrues dhe që të kemi vazhdimësi në punën tonë. Presim të përmirësohemi individualisht dhe si kolektiv. Do të kisha dashur të kisha organikën e plotë që sot, por e di që merkato është e gjatë.

Ku do të mundohet të arrijë Milani në sezonin e ri?

Fillimisht pres që ky sezon të shënohet nga rikthimi i publikut nëpër stadiume që futbolli të kthehet në normalitet. Për Milanin duhet të jetë një vit konfirmimi e të tregojmë se mund të përballemi me çdo rival në Itali apo edhe Europë ku na pret Champions-i.

Sa rëndësi ka Kesi dhe si duhet të jetë pasardhësi i Çalhanoglusë?

Frenk (Kesi) është rritur ashtu si shokët e tij. Është i fortë, por mund të bëhet edhe më i fortë. Unë dhe klubi ia dimë rëndësinë. Pas sezonit u martua, pastaj pushoi e tani do t’i bashkohet kombëtares. Është i qetë dhe i motivuar, e mezi pret të na bashkohet. Çalha, ashtu si Xhixho, i ka dhënë shumë grupit, por sidoqoftë, edhe pa ta do të dimë të ecim përpara. Milani ka nevojë për lojtarë cilësorë.

Keni pengje për Donarumën pasi po shihni se çfarë po bën në Europian?

Jo, unë mbetem shumë i lidhur me lojtarët e mi dhe i falënderoj për ato që i kanë dhënë ekipit. Tani fillon një sezon i ri, ata kanë bërë zgjedhjet e tyre dhe ne kemi një rrugë për të vazhduar. Ne duam të insistojmë në këtë rrugë me dëshirë për t’u përmirësuar.

Po kapitenin e ri e keni vendosur?

Kapiten ishte dhe mbetet Romanjoli, por forca e një ekipi qëndron në të pasurit disa kapitenë. Në momentin e duhur do të vendosim për zëvendëskapitenët, sepse në skuadër vërej shumë ndjenjë përkatësie.

Si është gjendja e Ibrës, Kalabrias dhe Benaserit?

Me Zlatanin kam folur çdo ditë. Doktori që e operoi ishte i kënaqur. Është mirë, por do të duhen disa javë për ta parë përsëri në fushë. Kalabria bëri një vizitë dje dhe shkoi mirë. Ai nuk do të jetë në gjendje të fillojë në grup menjëherë, por mund ta bëjë së shpejti. Nga ana tjetër Benaser po punon dhe është gati të bashkohet me grupin.

Me Kjaerin keni folur këto ditë?

Edhe me Simonin kam folur. Përjetoi një situatë delikate, shumë u mahnitën nga kthjelltësia e tij, por jo ne te Milani sepse i njohim mirë cilësitë e tij njerëzore.

Çfarë mendoni për Tomorin?

Tomori u përshtat më së miri me mënyrën tonë të punës. Klubi bëri një sforco të madhe për ta blerë, por e bëri për një lojtar që dëshmoi se mund të ishte shumë i rëndësishëm për skuadrën.

Si e prisni të jetë sezoni i ri?

Në kampionat ka konkurrencë të madhe, ka shtatë ekipe që janë më të fortë se të tjerët dhe ata të gjithë kanë qëllimin e arritjes në Ligën e Kampionëve. Ka shumë trajnerë të shkëlqyeshëm, Alegri, Spaleti dhe Murinjo janë kthyer, më vjen keq për Konten, sepse kampionati do të kishte një nivel edhe më të lartë. Seria A do të jetë një turne i bukur.

Do të bëjë klubi ndonjë sakrificë për Kesin?

Këto çështje i përkasin klubit. E dimë se sa i rëndësishëm është Frenku dhe se sa mirë ndihet në Milan. Gjë tjetër nuk mund të shtoj.

Thuhet se Tonali mund të luajë më i avancuar. E vërtetë?

Jam i lumtur për konfirmimin e tij. Rëndësi ka që lojtarët të vendosen në kushte për të dhënë më të mirën.

Vjet patë shumë dëmtime. Keni marrë masa që situata të mos përsëritet?

Vitin e kaluar patëm kalendar të ngjeshur. Sivjet e nisim pak më me qetësi e uroj të përgatitemi si duhet.

Me Menjan keni folur?

Po dhe shpesh madje. Kemi marrë një portier cilësor, të cilin e kam parë shumë entuziast. Pas Europianit ka nevojë të pushojë, por kur të na bashkohet do të jetë i motivuar.

A duhet të presim ndonjë risi taktike?

Mund të ketë, por këto janë gjëra që unë i kam bërë gjithmonë në karrierën time. Të jesh i paparashikueshëm mund të jetë një avantazh. Ne do të provojmë gjëra të reja, por pa harruar karakteristikat tona.

Related posts

NJË TJETËR KLUB NË GJURMËT E JAMES RODRIGUEZ/ Futet në garë “gjiganti” i Premier League…

Delo.autor

NUK DO TA BESONI/ Projekti i ri i ICARDIT përfshin një… PESHKAQEN

Isa.Autor

PAS HUMBJES NDAJ KUKËSIT/ Trajneri Stojku nuk pranon të flasë, ja justifikimi…

Delo.autor

Leave a Comment