Futboll Sport

NGA HISTORIA TEK KOMBËTARJA/ Një shtizë xhamajkane për Anglinë, Sterling u rrit pak metra larg “Wembley”-t

Njeriu i cili po tërheq Anglinë drejt një ën drre dhe ka rizgjuar krenarinë nacionaliste të një kombi goditur nga “Brexit”, ka gjak xhamajkan. Kur ishte një djalë i vogël, në një shkollë të lagjes londineze Nisden, me pamje nga stadiumi i “Wembley”-t, dëgjoi këtë profeci nga njëri prej mësuesve të tij: “Ose do të bëhesh futbollist, ose do të bëhesh gangster”.

Nëna e Rahim Sterlingut, ish-sprinterja Nadin Klark, e kishte shumë të qartë problemin, pasi kishte humbur burrin në Kingston, i cili mbeti viktimë e të shtënave me armë kur i biri ishte ende 2 vjeç:

“Nëse duhet të luash futboll, larg Londrës”. Rahim ishte pjesë e akademisë së QPRsë pas hapave të parë në një klub të lagjes, Alfa dhe Omega. Çelsi, Arsenali, Kristal Palasi, Fulhami ishin në gjurmët e tij, por duke respektuar këshillën e nënës Nadin (“njeriu më i rëndësishëm i jetës sime”), djaloshi Sterling u transferua te Liverpuli për 450 mijë sterlina në 2010-ën. Dy vite më vonë, në 24 mars 2012, debutoi në Premier Ligë me fanellën e “Reds”-ave: ishte 17 vjeç e 107 ditë.

HISTORIA – Fëmijëria dikton fatin e burrave dhe ajo e Sterlingut nuk ishte një shëtitje në luks. Zbarkoi në Angli kur ishte ende fëmijë, në momentet më të vështira ndihmoi edhe nënën për të pastruar hotelet e Londrës. Lindi në një lagje jo të lehtë, një stacion larg “Wembley Park”, atij që të drejton drejt stadiumit londinez.

Ka pasur gjithnjë një përqindje të konsiderueshme emigrimi, në veçanti xhamajkane, në vitet 1970. Në këtë zonë, kaloi një pjesë të jetës së tij Bob Marlej, ndërsa mes qytetarëve të shquar është edhe Xhinxher Bejkër, bateristi i famshëm i grupit të rokut Cream, i shuar në 6 tetor 2019.

SULMI – Sterling zbarkoi shpejt në futbollin e rëndësishëm dhe gjithnjë duke djegur kohët, la Liverpulin në 2015 për të përqafuar Mançester Sitin. Kartoni i tij u pagua 44 milionë sterlina, plus bonuset. Ndikimi nuk ishte i lehtë. Paratë dhe suksesi mund të tronditin edhe personalitetin më të fortë. Imagjinoni një djalosh si Sterling, i cili në moshën 10-vjecare u dërgua në një shkollë për fëmijë të “vështirë”.

Prezenca e nënës, së cilës i dhuroi një shtëpi prej 2 milionë sterlinash, me 10 dhoma (me komente të pashmangshme thumbuese të tabloideve britanike), shmangu ato devijimet e rrezikshme. 16 dhjetori 2017 shënoi episodin që e riktheu Sterlingun në rrugën e duhur: një sulm racist që pësoi në Mançester.

Protagonisti u arrestua dhe dënua, por historia e zhyti futbollistin sërish në makthin e ksenofobisë. Lulëzoi shpirti i angazhimit qytetar dhe marrjes së pozicioneve të forta. Donacioni për viktimat e zjarrit në kullën “Grenfell” në 2017, ishte hapi i parë. Sterling konsiderohet sot një ikonë e luftës kundër racizmit. Mbretëresha Elisabet II, përpara Europianit, i dha titullin “Urdhri të Perandorisë Britanike”, për shërbimet ndaj barazisë raciale.

KOMBËTARJA – Kjo përgjegjshmëri eci paralel me rritjen e tij profesionale. Statistikat me kombëtaren janë të shkëlqyera. Nga viti 2012-2017, 35 prezenca dhe 2 gola. Nga 2018 deri më sot, 30 ndeshje dhe 15 gola. Gola në fushë, impenjim social në jetën e përditshme.

Në 2020 dhe 2021 u përfshi në listën e 100 britanikëve me ngjyrë me ndikimin më të madh. Është lideri i Anglisë, por ka ruajtur lidhjet e forta me origjinën. Verën e shkuar mori pjesë në festën e 34-vjetorit të Usain Boltit në Xhamajkë. Anglia po ëndërron falë tij. Një djalosh nga “Wembley”, i cili kur hapte sytë në mëngjes, ndërsa vështronte nga dritarja, shikonte siluetën e stadiumit të Londrës. Sot ai stadium është shtëpia e tij.

Related posts

Fusha më e bukur e futbollit sapo është ndërtuar në Maldive

Sadik.Autor

TRAJNERI I RI I TIRANËS PARA MEDIAVE/ Mema: Nuk pyes presidentin për merkaton e klubit

Isa.Autor

ËSHTË ZYRTARE/ Armando Sadiku firmos me klubin e ri spanjoll… (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment