Futboll Sport

POLEMIKAT PËR AKSIONIN E PENALLTISË/ Dy topa në lojë, rasti që solli 11-metërshin e Stërling duhej ndërprerë

Penalltia e Anglisë, në kohën e parë shtesë, ka ndezur shumë polemika, pas gjysmëfinales së fituar 2-1 ndaj Danimarkës. Ajo që ka bërë diskutimin që të nxehet në mënyrë të frikshme nuk është vetëm “hedhja” e Sterlingut, i cili më shumë sesa pengohet duket sikur e detyron veten që të rrëzohet për të vënë në dyshin arbitrin dhe VAR-in (penallti e dyshimtë), por ky aksion as që duhej të ishte lënë të përfundonte.

Arsyeja është fakti se gjatë zhvillimit të aksionit dallohen dy topa në fushën e lojës. Rregullorja e UEFA-s nënvizon se “nëse një top i dytë apo një objekt tjetër hyjnë në fushën e lojës, arbitri duhet: – Të lejojë zhvillimin e aksionit, nëse ky top apo një element tjetër i jashtëm nuk interferon me zhvillimin e lojës, në pritje që të largohet sa më shpejt nga fusha. Në të kundërt, duhet frenuar loja”.

Dhe sipas kësaj pike, arbitri holandez, Dani Makelie, nuk ishte i detyruar që të frenonte lojën, por në rastin e djeshëm dhe, siç tregohet shumë qartë edhe në foto, topi jo vetëm që ishte shumë pranë aksionit, por mund të përbënte një element shpërqendrues si për Sterlingun, ashtu edhe për danezin Maehle që po e markonte nga pranë. Dhe po, vërtet aksioni vazhdoi rrjedhshëm, por pyetja është:

Po sikur Sterling të ishte ngatërruar me topin tjetër, çfarë do të kishte ndodhur? Dhe akoma më shumë se kaq, si ka mundësi që as kryesori Makelie, por as dy asistentët dhe arbitri i katërt nuk lajmëruan njëri-tjetrin që ta bënin këtë? Këtë përgjigje është e pamundur ta japim, ndonëse pa diskutim VAR-it nuk do t’i ketë shpëtuar. Por, duke mbetur edhe te argumenti VAR, nga salla e kontrollit, për një rast si ky i një topi të dyfishtë apo një objekti tjetër në fushë, sipas protokollit, nuk nevojitet ndërhyrja e tyre. Rasti në fjalë i lihet në dorë arbitrit dhe arbitrave të fushës që ta zbatojnë sipas mënyrës së tyre.

PENALLTIA E STERLINGUT – Ndërkohë, me t’i kaluar shumë pranë topit që kishte hyrë gabimisht në fushë, Sterling driblon në zonë mes Maehles dhe Jensenit dhe më pas rrëzohet, teksa duket sikur është prekur me gju nga danezët. Kryesori Makelie vendos menjëherë për penallti, ndonëse pamjet nga pozicioni i tij dukeshin mjaft të vështira.

Por, me sa duket, me ndihmën e VAR-it, ndonëse “bilbili” holandez as që mendoi të shkonte t’i rishihte pamjet, konfirmoi vendimin e tij, pavarësisht protestave të danezëve. Gjithsesi, edhe pas pamjeve nuk ekziston absolutisht bindja se ajo që dërgoi Anglinë në finale është një 11-metërsh neto apo jo.

FRIKË TEK ITALIANËT – Sikur të mos mjaftonte siguria në pamje e tepruar e Dani Makelies lidhur me disa vendime të djeshme, fati donte që arbitri holandez të mos shihej me sy të mirë nga “Axurrët” dhe dje të jepte edhe një shkëndijë tjetër se mos ndoshta Anglia në mënyrë direkte apo indirekte po ndihmohet, duke qenë se luan në shtëpi. Pikësëpari, Makelie me penalltinë e djeshme solli në kujtesë edhe atë penallti flagrante, për prekje të topit me dorë, që nuk ia akordoi Italisë në ndeshjen hapëse kundër Turqisë.

Atë episod ai jo vetëm që nuk shkoi ta rishihte, por me këtë të djeshmin në Angli-Danimarkë, papritur te tifozët italianë ka nisur të rritet presioni se mos ndoshta në radhët e “bilbilave” ka një shtysë “politike” për të ndihmuar të zotët e shtëpisë. Gjithsesi, përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta marrim të dielën, ndërsa Makelie njollos sërish Europianin e tij, duke parë se episodi në Itali-Turqi dhe ky i dy topave në fushë, akoma më shumë se penalltia, janë rastet më të kontestuara deri tani.

Related posts

KA DITËLINDJEN/ Sot 53-vjetori i Michael Schumacher, mesazhi: Je frymëzim për të gjithë ne

Delo.autor

Manchester United shumë afër arritjes së marrëveshjes me mesfushorin e Shakhtar Donetsk

Sadik.Autor

ISH-LOJTARI I BARCELONËS PREZANTOHET TEK LEEDS/ Firpo i çudit të gjithë: Mërzitem duke parë futboll

Delo.autor

Leave a Comment