Futboll Seria A Sport

RRËFEHET PAGOTTO/ Kokaina e transformoi në pjatalarës dhe magazinier. Ja historia e ish-portierit të Milanit…

Dy skualifikime për doping, 10 vite jas htë futbollit: “Isha fajtor vetëm një herë”. Nga heroi i mbrëmjes së Barcelonës, një natë që dukej se nuk do mbaronte kurrë, në një jetë të dytë dhe modeste që ka nisur një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit italian.

Mes një pune dhe një tjetre, sot Anxhelo Pagoto është një magazinier, por ndoshta me një rikthim të shpejtë në botën e futbollit. Në pak sekonda mund të hedhësh në erë gjithçka, jo vetëm karrierën, por edhe dhuntinë që të jep Zoti dhe vetëm e vetëm për të qenë pjesë e një grupi. Të gabuar fatkeqësisht… “Qëndroja mes djemve të rinj që dilnin xhiro me pistoleta, por që më bënin të ndihesha një pjesëtar i familjes. U tregova një m… Dhe këtë gjë fatkeqësisht tani më duhet ta paguaj gjatë të gjithë jetës”. Angelo Pagotto sot është 45 vjeç, por brenda vetes ka rigjetur forcën për të folur për gabimet e tij. Në vitin 2015 përfundoi dënimin prej 8 vitesh skualifikim, për një të thithur kokainë, kur luante në radhët e Krotones. Dhe kjo ishte hera e dytë që “kapej”, ndonëse… “Herën e parë në Peruxha isha i pafajshëm”.

Ky rrëfim nis nga e tashmja e një portieri që jo vetëm hodhi dorezat, por ndryshoi dhe uniformë për keq. Sot mund të kishte qenë në një plazh diku larg, në një ishull, duke shijuar paratë që mund të kishte fituar nga futbolli. Ndërkohë i duhet të zgjohet shumë herët në mëngjes për të bërë një punë normale, si shumica e njerëzve në fortë. Bar, sektori tekstil, magazinier i një kompanie veshjesh. “Kjo është jeta ime sot. Shtatë orë çdo ditë. Por nuk më tremb, madje falënderoj motrën time që më gjeti këtë punë. Që kur mu desh të hiqja dorë nga futbolli kam përveshur mëngët. Kam bërë kuzhinierin, picaiolin, çfarë të më dilte përpara, kur shkova fillimisht në Gjermani. Punoja ditë e natë, laja pjatat për të marrë një grusht para dhe për të rimarrë në dorë jetën time. Dhe jam ku jam sot,  ende në këmbë!”.

Për vite me radhë, Anxhelo Pagoto konsiderohej si një prej portierëve me perspektivën më të madhe në futbollin italian dhe jo vetëm. Një portier që kishte gjithçka për të qenë titullari i Kombëtares italiane. Karriera e Pagotos gjithsesi nuk ishte asnjëherë në lartësinë e pritshmërive. Ajo që e frenoi në mënyrë decizive ishin problemet jashtë fushe, të cilat nuk i lejuan të bëjë atë çfarë kishte cilësitë për ta bërë në mënyrën më të mirë. Ish-portieri i Milanit, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport” e kujtonte ende se ishte ai titullari i Shpresave të Italisë, në Europianin U-21 të vitit 1996, ndërsa Xhanluixhi Bufon ishte zëvendësi i tij, i cili e admironte i ulur nga stoli. Dhe pikërisht në finalen e atij Europiani, Pagoto bënte çmendurira, pasi edhe pse me 9 vetë, Italia e dërgoi Spanjën deri te penalltitë, ku Pagoto i ndalonte gjuajtjet Raul Gonzalesit dhe Ivan De La Penjës, duke u shndërruar në një hero kombëtare dhe duke i dhënë trofeun “Axurrëve”.

“Në atë periudhë Bufon nuk ishte ende ai që është shndërruar sot. Ishte pak më i vogël se unë në moshë, por Shpresat në atë kohë më preferonin mua. Gjithsesi, unë dhe Xhixhi dukej që ishim të destinuar të bëheshim dy prej portierëve më të mëdhenj në Itali dhe në botë”. Në atë periudhë edhe Juventusi ia vuri syrin, por Pagoto e injoroi ofertën e bardhezinjve: “Nuk e di nëse gabova apo jo me atë zgjedhje. Nëse e shoh veten time tani, sigurisht që do kisha bërë mirë të kisha firmosur me Juven. Unë dhe menaxheri im menduam se ndoshta zgjedhja më e mirë mund të kishte qenë Sampdoria, ku Zenga ishte në fund të karrierës. Te Juventusi, do më ishte dashur të djersija për vendin e titullari. Dhe pasi i thashë ‘jo’ Luçiano Moxhit, mu mbyllën si me magji të gjitha dyert e klubeve të tjera”. Në verën 1996 vjen firma me Milanin, akomodimi në një klub të madh.

“Ishte një qytet i ftohtë dhe akoma më i akullt ai klub. Sebastiano Rosi kishte probleme familjare dhe nisi të bëjë gafa në vazhdimësi. Kështu që më hodhën mua mes turmës dhe nisa të mbyll vrimat. Dhoma e zhveshjeve të Milanit të sezonit 1996-1997 përmblidhej e gjitha në një fytyrë: Franko Barezi komandonte brenda dhe jashtë fushe. Unë kisha më tepër miqësi me francezët sesa me italianët. Ishte edhe Maldini me mua, por në atë kohë nuk ishte ende kapiteni që të gjithë njihnin. Teknikisht ishte i jashtëzakonshëm, por karakterialisht ishte ‘uthull’”. Në vitin 1999, kur ishte te Peruxha vjen pozitiviteti ndaj kokainës. “Në ato vite mund ta trukojë një test antidopingu dhe nëse do të kisha pasur një ndërgjegje të pisët mund ta kisha bërë. Por isha i qetë, pasi kisha rezultuar negativ dy javë më parë në Parma, javën më pas në Padova, ndërsa në testin e tretë pas ndeshjes me Fiorentinën rezultova pozitiv. Çudi… Isha i pafajshëm, këtë herë e dija, por edhe në hetim ndonëse u thanë se provëzat ishin hapur dhe ishin pa emra, mes katër lojtarëve i vetmi që u dënova isha unë. Çudi!”.

Pas dënimit të parë me dy vite, Pagoto i dalë jashtë botës së futbollit u gjen papritur i vetëm: “U zhdukën të gjithë. Nuk kishte më miq. I kalova ato dy vite në Liguria me mamanë time, në hotelin që kishim hapur. Ajo më besonte. Ndërsa unë, e kisha të vështirë të zgjohesha shumë ditë me radhë në mëngjes, pas mbrëmjeve që nisa të kaloj nëpër diskoteka. Bëja një jetë të shthurur, por kur e kuptova se jeta po më shpëtonte nga duart, pashë veten në pasqyrë dhe vendosa të ndryshoj. Nuk më vjen turp ta pranoj se mu desh psikiatri që të mposht depresionin. Ndryshe nuk do ia kisha dalë”. Pas rikthimit në fushë vjen goditja definitive: pozitiv ndaj dopingut në vitin 2007, kur vishte bluzën e Krotones: “këtë herë e dija se herët a vonë do të ndodhte. Nuk kisha më adrenalinën për të zbritur në fushë dhe atë e kërkoja te kokaina. Nisa të frekuentoj shoqëri të gabuara që më bënin të ndihesha protagonist. Mund ta kisha mbyllur karrierën siç duhej, madje kisha firmosur edhe me Salernitanën, por e dogja veten sërish dhe përfundimisht”. Sot, Pagoto bën përgatitësin e portierëve te Avelino, por pas skualifikimit ai kishte gjetur një punë krejt tjetër: “Shkova fillimisht në Gjermani, ku bëra picaiolin, kuzhinierin, larësin e pjatave dhe tani jam një magazinier i lumtur, falë edhe bashkëshortes Karolina, me të cilën do të martohem së shpejti”, përfundoi Pagoto.

Related posts

Lemar nuk dëshiron transferimin në Angli, refuzon tri skuadrat e mëdha

Q.Autor

“ZOTI I FUTBOLLIT ËSHTË VETËM NJË”/ Messi përlot opinionistin italian me “magjinë” (VIDEO)

Delo.autor

MERKATO E JANARIT/ Mesfushori Calhanoglu nuk rinovon me Milan, gjigantët e Spanjës në garë për ta “rrëmbyer”

Delo.autor

Leave a Comment