Futboll Sport

SHËNOI NË “WEMBLEY” PARA 48 VITESH/ Fabio Capello: Itali, fito për ne… kamarierët

Italia-Angli dukej sikur ishte e destinuar që të ishte finalja e këtij “Euro 2020”. Nëse të parët ishin ata që ngritën siparin e këtij kompeticioni, në “Olimpiko”, më datë 11 qershor, të dytët do të jenë ata që do të presin finalen e madhe dhe të dorëzojnë trofeun e rëndësishëm.

Nëse të kaltrit nga njëra anë nuk fitojnë një Europian që prej 1968-ës (53 vite), “Tre Luanët” do të luajnë në shtëpi finalen e dytë ndërkombëtare, 55 vite nga hera e fundit, ku pikërisht në “Uembli” fituan të parin dhe të vetmin trofe, Kupën e Botës në vitin 1966.

ACARIME POLITIKE

Itali-Angli, në pritje të finales së 11 korrikut, ishte një betejë që u luajt në distancë edhe jashtë fushës së lojës. E gjitha për shkak të çështjes së organizimit të finales në “Uembli” dhe hapjes në kapacitet thuajse total të impiantit, ndonëse në Londër rastet me Koronavirus kishin pësuar një rritje të frikshme, që nga nisja e këtij turneu.

Kryeministri italian, Mario Dragi, në një takim dhe në një zë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, kërkonin hapur që të mendohej edhe hipoteza e një transferimi të finales diku tjetër, me Italinë që doli e para me Dragin dhe të kërkonte që ajo të luhej në Romë. Por me të ndodhur kjo, hakmarrja erdhi e përpiktë, teksa me rastin e sfidës së 1/ 8-ave, anglezët u mohuan italianëve që të bënin stërvitjen e fundit në “Uembli” përpara takimit me Austrinë.

FITUAN KAMERIERËT

Gjithsesi, përplasjet mes anglezëve e italianëve nuk janë diçka e re. Historia tregon se sa herë që është gjendur në dukje me shpatulla pas murit, Italia ka ditur se si t’u japë një shuplakë ishullorëve.

Kjo, si për shembull, në miqësoren e trazuar të vitit 1973 në “Uembli”, u parapri nga 48 orë në të cilat media angleze i quajti italianët kamerierë (duke qenë se emigrantët bënin këtë punë më së shumti në ishullin britanik), por ky ofendim u erdhi mbrapsht si shuplakë.

Po, pikërisht kështu, teksa më 14 nëntor 1973, ndërsa Dino Xofi me duart e tij priti edhe gjëra të pamundura, në minutën e 86-të erdhi goli i “Don” Fabio Kapelos, i cili vendosi një heshtje varri në “Uembli”. Dhe të gjithë presin e shpresojnë që e njëjta gjë të ndodhë edhe të dielën.

FLET KAPELO

Madje, vetë protagonisti i asaj ndeshjeje të luajtur gati gjysmë shekulli më parë (48 vite) nuk e ka harruar atmosferën, edhe pse ai dhe “Tre Luanët” në mes të kësaj periudhe jo vetëm kishin bërë paqe me njëri-tjetrin, por i kishin deleguar Kapelos shpresat për realizimin e një ëndrre të madhe. Trajneri italian punoi në krye të kombëtares angleze nga viti 2008 deri në 2012-ën, gjatë të cilave e pa veten të eliminohej në 1/8-at e Botërorit 2010 nga Gjermania pas një goli fantazmë, me topin që kaloi gati 1 metër vijën fatale në favor të “Tre Luanëve”. Ndërkohë, përpara “Euro 2012”, Kapelo vendosi të dorëhiqej në shkurt, ndonëse ishte ai që ia dhuroi kualifikimin.

Por pavarësisht kësaj, “Don Fabio” shpreson, madje karikon bandën e Roberto Mançinit që të bëjnë të njëjtin rezultat si ai dhe kombëtarja e tij në vitin 1973: “Anglisë, të luajturit në ‘Uembli’ finalen mund t’i shtojë shumë presion. Është e vërtetë që zhurma që bën ai stadium mund t’i ndihmojë të zotët e shtëpisë, por kur përballen me një skuadër personalitet si kjo Itali e Mançinit, pa dyshim që anglezët mund të bllokohen. Nëse ‘Axurrët’ luajnë me personalitet, nuk vuajnë presionin pak a shumë si me Spanjën dhe realizojnë siç duhet gjithçka dinë të bëjnë trofeu do të jetë yni, – shprehet italiani i parë që shënoi në tempullin e futbollit anglez. – Bindja ime është se me lojtarët që aktualisht kemi, me përuljen që na ka karakterizuar në çdo ndeshje dhe nëse rigjejmë shpejtësinë e treguar deri në sfidën me Belgjikën do të fitojmë ne”.

Ndërkohë, i pyetur mbi fitoren e 48 viteve më parë, Fabio Kapelo shton: “Mbi suksesin për fitoren tonë në ‘Uembli’ në vitin 1973 kujtoj dedikimin që u bëmë 20 mijë kamerierëve që punonin në Angli në atë kohë. Media angleze, kujtoj që na bëri leckë, por tashmë italianët që jetojnë në Londër janë të paktën 700 mijë dhe gjatë periudhës që unë punova në kombëtaren angleze takoja shumë njerëz që nuk shpreheshin të lumtur për trajtimin që u bënin.

Prandaj, unë mendoj se për faktin se si shumë bashkatdhetarë tanët trajtohen nga anglezët, djemtë e Mançinit duhet të jenë dyfish të motivuar, të karikuar. Fundja, në lojë është kombësia jonë, jo vetëm një trofe. Unë jam një fatlum që do të kem mundësinë ta ndjek këtë finale në ‘Uembli’, por shpresoj mbi të gjitha që të jem një ndër 60-68 milionë fatlumët kudo në botë që në fund do të festoj për rikthimin e trofeut të Europianit në Itali”, përfundoi 75-vjeçari.

Related posts

MAKINAT, DIETA dhe DROGA. Ja jeta “fenomenale” e Cristiano Ronaldos

Isa.Autor

DERBI PARTIZANI-TIRANA/ “Bardheblutë” i japin fund “makthit”, fitojnë në frymën e fundit

Delo.autor

STADIUMET E MBYLLURA NGA KORONAVIRUSI/ Shikoni sa humbasin klubet e mëdha në Serie A

Delo.autor

Leave a Comment