Futboll Kategoria Superiore Sport

“SHERIFI I FORTË, POR TEUTA DI SI FITOHET”/ Mbrojtësi Kotobelli tregon arsyet pse u rikthye sërish në Durrës

Pas 48 orësh pushim, Teuta zbriti dje në fushë për të vijuar punën për sfidën e shumëpritur ndaj Sherif Tiraspolit për raundin e parë të Champions-it.

Skuadra vijon punën me rimte të larta me shpresën që të bëjë një paraqitje pozitive që në ndeshjen e parë që e luan më 7 korrik ndaj moldavëve në “Niko Dovana”. Pasi ka mbyllur fazën trejavore në Ohër ekipi nën drejtimin e trajnerit, Edi Martini, dhe stafit kanë vijuar dje punën në rezidencën e Skënderbeut, “Tropikal Resort”.

Ekipi është i plotë dhe gjendja është optimale. Blerim Kotobelli është një nga afrimet që ka bërë Teuta në merkaton e verës, por bëhet fjalë për kthimin e një ishi. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” para ndeshjes me Sherif Tiraspolin, ai ka prekur disa tema në lidhje me këtë takim dhe me skuadrën. Kotobelli foli edhe për rikthimin, kundërshtarin në Europë dhe objektivin.

Blerim, pas disa vitesh riktheheni përsëri te Teuta. Si ndiheni?

Ndikimi i parë është shumë pozitiv. Të gjithë më  kanë pritur shumë mirë. Ndihem mjaft mirë për këtë lëvizje. Këtu gjithçka ecën në sinkron dhe qetësisht. Sigurisht që ndihem mirë dhe i emocionuar, pasi kam kaluar 3 vite të bukura në Durrës.

Kishit ndonjë arsye pse vendosët të vinit sërish në Durrës?

Ka shumë arsye, por veçanërisht klubi dhe projekti që Teuta më parashtroi. Pa dyshim edhe objektivat madhorë që ka klubi dhe lojtarët që ka në ekip.

A jeni ambientuar me grupin, si dhe a besoni se do të kaloni një tur në Champions?

Po jam ambientuar shumë shpejt, pasi këtu është një grup kompakt dhe lojtarët kuptohen shumë mirë me njëri-tjetrin, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Starti i Champions-it po afron, por unë di të them që momentalisht jemi të fokusuar vetëm te stërvitja. Teuta i ka të gjitha mundësitë, por mendoj se në këtë moment shanset janë 50 me 50.

Sa e keni studiuar Sherifin dhe çfarë përshtypjeje ju ka bërë?

Sherifin e kemi parë në video dhe studiuar. Më kanë bërë përshtypje lojtarët sulmues. Sherifi ka një ekipi shumë cilësor, por edhe ne nuk jemi për t’u nënvlerësuar. Teuta ka treguar që në Durrës di të fitojë, ndaj mendoj se edhe të mërkurën do të jetë e njëjta gjë.

Për çfarë objektivash erdhët te Teuta, titullin apo Europën?

Teuta këto vitet e fundit i ka rritur shumë pretendimet si ekip dhe mendoj se ashti si sezonin e shkuar do të jemi aty për të luftuar për çdo trofe. Normalisht kërkohet edhe paraqitja pozitive në Kupat e Europës.

Çfarë synimesh keni në aspektin personal me Teutën?

Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me ekipin e Teutës që klubi ta arrijë synimet e tij. Normalisht që çdo futbollist është me mendimin të shkojë sa më lart.

Related posts

Spalletti sulmon lojtarët pas barazimit me Napolin

Q.Autor

“KATAR 2022″/ Gati rikthimi në kombëtare, bomberi Ibrahimovic mund të luaj kundër…

Delo.autor

Manchester United arrin marrëveshje me PSG-në për Lucas Mouran

Q.Autor

Leave a Comment