Futboll Sport

“EURO 2020”, TURNEU I REKORDEVE/ Realizohet një gol çdo 32 minuta, ja minutazhi kur shënohet më shumë…

Në pritje për të mësuar se kush do ta fitojë këtë Europian apo fillimisht se cilat përfaqësuese do të luajnë në finalen e 11 korrikut, “Euro 2020” ka hyrë në histori si kompeticioni me mesataren më monstruoze të golave, duke shtuar ndjeshëm dozën e spektaklit deri tani.

Vërtet janë larguar shumë shpejt pretendente si Franca, Gjermania e Portugalia, por futbolli luhet për të shënuar gola dhe pa dyshim që kombëtaret të cilat kanë ardhur deri në këtë pjesë kanë folur dhe kanë kontribuuar për të pasur numra të frikshëm deri tani.

SA SHUMË GOLA

Nuk ka dyshime se me 135 gola në 48 ndeshje nga 51 në total, ky Europian është më produktivi kundrejt 15 edicioneve të kaluara. Deri në këtë pjesë tifozët kanë festuar shënimit e një goli çdo 32 minuta lojë ose, e thënë ndryshe, çdo sfidë ka ofruar mesatarisht 2.82 gola për ndeshje.

Kjo është një çmenduri nëse mendojmë se në të kaluarën nuk ka pasur kurrë një mesatare kaq të lartë, kur flasim për formulën moderne. Kundrejt “Euro 2020” edicionet më të mira kanë qenë: “Euro 2000”, me mesatare 2.74 gola për ndeshje; në 2004 e 2008 kishte 2.48 gola për ndeshje; 2.45 në 2012-ën dhe 2.12 në 2016-ën. Nëse shohim të shkuarën dhe edicionet kur direkt nga grupet luheshin vetëm gjysmëfinale dhe finale, mund të kuptohet qartë se shifrat ishin shumë herë më të fryra: 4.25 gola në 1960- ën; 3.25 në 1964-ën dhe 4.75 gola për ndeshje në edicionin e vitit 1976.

REKORD AUTOGOLASH

Por nëse golat janë për rekord, edhe më e frikshme është shifra e autogolave, duke qenë se deri në fazën çerekfinale janë 10 të tillë. Kjo është një çmenduri nëse mendojmë se në 15 edicionet e historisë së Europianëve ishin shënuar 9 autogola në total. Kjo statistikë nënvizon jo vetëm një marzh gabimi, por edhe një lloj intensiteti që kanë ofruar ndeshjet e luajtura në këtë edicion.

“KËPUCA E ARTË”

Aktualisht, golashënuesi apo golashënuesit më të mirë të “Euro 2020” janë Kristiano Ronaldo i Portugalisë dhe Patrik Shik i Çekisë. Gjithsesi, siç thekson rregullorja e “Euro 2020” dhe e UEFA-s, nëse situata do të mbetet e tillë deri në fund, ai që do të fitojë “Këpucën e Artë” do të jetë kapiteni i luzitanëve, pasi CR7 përveçse ka luajtur më pak ndeshje se ylli i Çekisë, ka në favorin e tij edhe një asist të ofruar.

Nëse shohim renditjen aktuale të golashënuesve, të vetmit ende në aktivitet që mund t’i afrohen portugezit Ronaldo janë dy anglezët Herri Kejn dhe Rahim Sterling me nga 3 gola secili, por edhe danezi Kasper Dolberg.

MINUTAZHI

Lidhur me golat e shënuar deri tani, minutazhi në të cilin skuadrat janë dukur më të uritura, por njëkohësisht edhe më të sakta, është çerekorëshi i parë i pjesës së dytë (46-60).

Nga 135 golat e realizuar deri tani, 29 janë shënuar në këtë periudhë kohe, ndërsa pas saj janë hapësirat 61-75 dhe 75- 90 ku është shënuar më tepër, saktësisht nga 23 gola në secilën periudhë kohe. Për sa i përket minutazhit ku është shënuar më pak ato janë minutat shtesë së pjesës së parë dhe të kohës së rregullt, 5 gola në secilën prej tyre. Dhe në fund, në ndeshjet që kanë kërkuar shtesën 30-minutëshe janë realizuar 4 gola në 15- minutëshin e parë dhe 2 gola në 15-minutëshin e dytë.

Related posts

Belgjikë-Tunizi, “yjet” e Martinezit për të siguruar kualifikimin ndaj afrikanve

Sadik.Autor

E BUJSHME NGA ANGLIA/ Ancelotti zbulon dëshirën e parë, kërkon yllin e Real Madrid…

Delo.autor

“PAGUANTE 100 MIJË EURO NË MUAJ”/ Ndihmonte 50 familje, zbulohet sekreti i Maradonës pas vdekjes

Delo.autor

Leave a Comment