Futboll Seria A Sport

“BONUCHI DHE CHIELLINI DY DINOZAURË”/ Lippi: Ky Juventus e thyen PSG-në

Alegrit ia kishte thënë me kohë që rikthimi te Juvja është pozitiv. Fundja edhe ai vetë u rikthye dhe fitoi dy tituj dhe shkoi në finalen e Champions-it. Marçelo Lipi nuk ka dyshime që Juventusi me trajnerin “e vjetër” do të jetë cilësor dhe këtë e ka dëshmuar në intervistën e dhënë për “Gazzetta dello Sport”.

Marçelo, keni thënë shpesh se Alegri ju ngjason. Ku bazoheni?

Ka disa analogji, pikësëpari që jemi nga rajoni i Toskanës. Maks fitoi titullin e parë sapo mbërriti te Juvja, ai në moshën 47-vjeçare, ndërsa unë 46 vjeç. Për më tepër, po flasim për një nga trajnerët italianë më modernë e të zhdërvjellët në qarkullim. Është njeriu i duhur në vendin e duhur.

Mendoni se ngjasoni edhe në lojë?

Filozofia më duket e njëjtë me skuadra të organizuara, moderne, por pa e tepruar. Ashtu si unë dikur, edhe ai përpiqet për lojën e bukur dhe rezultatet duke rreshtuar një ekip ofensiv. Juvja ime kishte në sulm tre sulmues që ushtronin presing kur nuk e kishim ne topin. Asokohe diçka të tillë nuk e bënte askush. Ashtu si unë, edhe Alegri di të lexojë lojën dhe t’u japë role të reja futbollistëve. Shoh shumë ngjashmëri e me moshën që kam mund të them këtë pa frikën se mund të gjykohem.

Dy vite largësi a nuk do të sjellin probleme?

Jo, aspak. Në këto nivele pak pushim të bën mirë, sidomos kur ke fituar shumë sezone radhazi. Juvja ka skuadër të fortë dhe Alegri e njeh mirë. Binomi është i duhuri, sidomos pas provave të bardhezinjve për të fituar me trajnerë të tjerë.

Mund të fitojë titullin, por në Champions mund të synojë vetëm vendin e dytë duke parë çfarë po bën PSG-ja…

Skuadrat e tjera do të sfidohen për të arritur në finalen ku i pret PSG-ja. Nëse ia del, te Juventusi e dinë historikisht se në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka.

Nejmar, Mesi dhe Mbape. Çfarë rreziqesh ka kjo PSG?

Duke pasur tre lojtarë të tillë, nuk mund të mos i hedhësh në fushë së bashku. Sigurisht, Poçetino do të ketë edhe probleme organizimi, e mbase Di Marias do t’i duhet të luajë në mesfushë, megjithatë vështirësitë e mëdha do t’i kenë rivalët.

A mund të cilësohet si rivale kjo Juve?

Nuk është se bardhezinjtë kanë një ekip të keq. Gjithçka, si me PSG-në, do të varet nga organizimi dhe puna e sulmuesve. Të mos harrojmë se Juvja ka emra si Dibala, Morata, Kieza e Kulusevski…

Por gjithçka sillet rreth Ronaldos apo jo?

Unë mendoj se portugezi është realizuesi më i mirë kur i paraqitet mundësia, ndaj rëndësi ka që të furnizohet si duhet. Nuk ka qenë kurrë pykë dhe ka pasur shpesh nevojë për lojtarë si Benzema, një element që Juvja nuk e ka. Besoj se Alegri do të vendosë Ronaldon në mes të dy sulmuesve në një sistem ku ndryshimet e pozicioneve nuk do t’i lejojnë rivalët të kenë pika referimi.

Alegri me Ronaldon nuk është se janë ndarë fort mirë…

Nuk më kujtohet, por besoj e dini se lojtarët me trajnerët grinden shpesh. Edhe mua më ndodhte, por bëja sikur nuk dëgjoja dhe përpiqesha të kuptoja momentin e nervozizmit që po përjetonte një futbollist.

A është Juvja favorite për titullin pas çmontimit që po pëson Interi?

Juvja është gjithmonë favorite dhe sivjet më shumë se zakonisht. Vërtet nuk fitoi titullin sezonin e kaluar, por ka uri dhe dëshirë për të shijuar kampionatin. Edhe Interi nuk më duket keq. Humbën Lukakun, por kanë Xhekon dhe nuk besoj se do të shesin të tjerë.

Po skuadrat e tjera të Serisë A si ju duken?

Napoli më duket mirë dhe agresiv. Dora e Spaletit duket, sidomos në sulm. Nëse duhet të bëjë diçka, do të ketë punë me repartet e tjera.

Inzagi-Inter, Murinjo-Roma, Sarri-Lacio e Spaleti-Napoli: sa shumë revolucione nëpër pankina…

Janë të gjithë trajnerë që nuk e vuajnë presionin, janë konkretë dhe sjellin rezultate. Nëse i arrijnë me skema si 3-5-2 apo 4-3-3, nuk ka rëndësi. Murinjo do t’i bëjë veçanërisht mirë futbollit italian.

Po Milanit çfarë i nevojitet për të arritur nivelet më të larta?

Që të luajë Ibrahimoviçi. Riaftësimi i suedezit është thelbësor, por sidomos nuk duhet të dëmtohet përsëri. Ibra është i rëndësishëm edhe në tribunë, ndaj e imagjinoni dot se çfarë bën në fushë. Për rolin që ka është si lokomotivë.

Keni kureshtje për ndonjë lojtar të veçantë?

Dy: Dibala dhe Zaniolo. Vitin e kaluar juventini nuk i dha thuajse asgjë ekipit dhe shpresoj që të ketë fatin me vete për të bërë diçka më tepër sivjet. Zaniolo më duket gati fizikisht, ndaj uroj që të vazhdojë siç ishte përpara dëmtimit. Aq më tepër që është bërë baba dhe më duket i pjekur.

Kaq shumë i nevojitet Alegrit një regjisor si Lokateli?

Do të doja shumë ta shihja te Juvja. Më pëlqeu shumë në Europian duke treguar se është një mesfushor i kompletuar pasi markon, luan topin, sulmon hapësirat dhe shpërndan lojën. Të mos harrojmë se di edhe të shënojë. Çdo ekipi i nevojiten lojtarë që bëjnë kaq shumë.

Lajme të mira edhe për një juventin: Kieza.

Që është “kafshë” e dimë. Në vrapimet e tij është monstruoz dhe ndërton shumë raste për vete dhe shokët. Është i jashtëzakonshëm.

Do flasim për “dinozaurë” si Bonuçi e Kielini?

Kielini është si Ibrahimoviçi, një nga ata lojtarë që janë të rëndësishëm edhe kur nuk luajnë. Mbase nuk luan dot 50 ndeshje në sezon, por 30 i bën patjetër.

Related posts

“U GËZOVA SHUMË PAS DY GOLAVE TË SHËNUAR”/ “Heroi” Shaqiri: Kualifikimi? Të presim çfarë do të…

Delo.autor

E BUJSHME NGA FRANCA/ “Los Blancos” kërkojnë të “rrëmbejnë” yllin e Liverpool…

Delo.autor

KONSIDEROHET INIESTA I RI/ Talenti i Barcelonës vendos të qëndrojë në “Camp Nou”

Delo.autor

Leave a Comment