Futboll Seria A Sport

“GIROUD MË I ASHPËR SE IBRA ME GRUPIN”/ Saelemaekers: Milani gati, mezi presim Champions-in

Alexis Saelemaekers përgatitet për ka mpionatin e dytë si kuqezi, teksa në këtë fazë përgatitore, siç u pa edhe dje, ka qenë titullar. Belgu ka dhënë një intervistë për italianët e “Tuttosport” duke folur për të gjitha aspektet dhe pritshmëritë që ka në lidhje me sezonin e ri.

Si ka qenë kjo fazë përgatitore?

Do të thosha pozitive sepse nuk pa pasur lojtarë me dëmtime serioze, teksa të gjithë kemi marrë ngarkesën e duhur. Pushimet janë të rëndësishme, por edhe rikthimi gradual ka rëndësinë e tij. Trajneri na ka pritur me ide të reja dhe besoj se me kalimin e ndeshjeve do të rritemi në paraqitjet tona.

Po ju personalisht si ndiheni?

Në fushë kam gjithmonë e më tepër besim sepse me shokët njihemi më mirë e po ashtu kemi ide më të qarta mbi kërkesat teknike. Kemi fatin që nuk kemi ndryshuar trajner, ndaj do të kërkojmë të përmirësojmë detajet dhe ato aspekte të cilat vitin e kaluar mund t’i kemi gabuar.

Çfarë mund të na thoni për gjendjen e grupit?

Që jemi më të fortë se vitin e kaluar pasi na janë bashkuar lojtarë të fortë si Zhiru, Menja apo Ture. Ky është mendimi im, por duhet ta vërtetojmë në fushën e lojës. Për t’ia dalë mbanë, do të nevojitet shumë punë. Kanë ardhur lojtarë cilësorë, por janë larguar edhe Xhixho me Çalhan… Donaruma dhe Hakani bënë zgjedhjet e tyre, por për mua nuk ndryshon asgjë. Jam te Milani dhe përqendrohem tek ekipi im. Për ta nuk dua të flas.

Atëherë na thoni se si ju duket Menja në portë?

Majku na ka habitur. Flet që tani italisht dhe ky është një sinjal se sa shumë dëshiron ta ndihmojë skuadrën. Mendoj se është në rrugën e duhur dhe se mund të na ndihmojë. Te Milani jemi të lumtur që e kemi në portë.

Pas miqësores kundër Realit, ju pret Champions-i. Si ndiheni?

Kualifikimi ishte magjik. Ndjesitë janë të jashtëzakonshme, edhe sepse e kam për herë të parë pjesëmarrjen në Champions. Kemi punuar shumë për ta arritur dhe uroj të tregojmë se çfarë skuadre jemi. Unë mendoj se mund të bëjmë gjëra të mëdha.

Mendoni se grupi ka përvojë të mjaftueshme?

Niveli i Champions-it është i ndryshëm nga ai i Serisë A, aq më tepër që në ekip ka vetëm 5-6 lojtarë që kanë provuar shijen e Ligës së Kampioneve. Përvoja do të na mungojë, por jo dëshira, ndaj mund të imitojmë Ajaksin. Vijimësia e punës me Piolin do të jetë një tjetër faktor ndihmës.

Mund të jetë problem fakti që lojtarët me më shumë përvojë në sulm kanë moshë të madhe? Unë nuk kam pasur kurrë një shok skuadre si Ibra. Nuk është e lehtë të stërvitesh me të sepse pretendon maksimumin dhe të imponon të kapërcesh kufijtë. Ai është një nga shtysat e rritjes sonë. Edhe Zhiru ka profil të ngjashëm. Ka fituar Botërorin dhe Champions-in e për grupin është e rëndësishme të kemi lojtarë të tillë në gjirin tonë. Jam i bindur se Zlatani dhe Olivie do të na mësojnë të fitojmë e të kemi besimin e duhur për t’ia dalë mbanë.

Po për kampionatin çfarë parashikoni?

Vitin e kaluar qëndruam për shumë kohë në majë dhe jemi mësuar me trysninë. Sivjet jemi më të gatshëm për një përvojë të tillë, edhe sepse kemi bërë një fazë përgatitore më të përshtatshme sesa ajo e një viti më parë kur ndaluam pak, për shkak të impenjimit në Europë. Kemi mundësi të tregojmë cilësitë tona dhe do të bëjmë të pamundurën të kënaqim tifozët. Mundësisht duke i pasur në shkallët e stadiumeve

Related posts

KORONAVIRUSI/ Shtyrja e Olimpiadës shpresë të sportistët rusë, CAS vendos në nëntor

Delo.autor

Dëshira e madhe e Barcelonës në mbrojtje është talenti ri francez

Sadik.Autor

ARSENAL-WEST HAM/ Përfundon sfida me vendasit që arrijnë të gjejnë dhe fitoren e parë

Isa.Autor

Leave a Comment