Futboll Kategoria Superiore Sport

“MË KA KONTAKTUAR OSMANI”/ Mesfushori Totre rrëfen objektivat: Tiranë, erdha për titullin

Enur Totre është i qartë në objektivat që ka me Tiranën: kërkon të shpallet kampion! Mesfushori i qendrës, që pak ditë më parë la Shkëndijën e Tetovës për bardheblutë, flet për herë të parë për mediat në Shqipëri.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 24- vjeçari rrëfen të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Enur Totre është konsideruar nga klubi bardheblu si një lojtar i rëndësishëm në projektin e sezonit të ri.

Në kampionatin e Maqedonisë së Veriut Enur Totre ka qenë protagonist sezonet e fundit dhe ka pasur një rritje të vazhdueshme në aspektin profesional, duke tërhequr edhe vëmendjen e klubeve të reja.

Enur, prej disa ditësh po stërviteni me bardheblutë. Çfarë ju bindi të firmosnit me Tiranën?

Tirana është një klub i madh, jo vetëm në Shqipëri. Kur të vjen një ftesë nga klubi me më shumë trofe në Superiore, unë e konsideroj një privilegj që duhet pranuar.

Cilat ishin ekipet e tjera shqiptare që të kërkuan në këtë merkato, pasi është përfolur se patët kontakte edhe nga Partizani, Teuta dhe Kukësi?

Të them të drejtën, më ka kontaktuar vetëm drejtori Osmani. Nuk kam pasur asnjë kontakt me klube të tjera.

Pse u larguat nga Shkëndija? Dimë që keni pasur nga janari e në vazhdim ditë të vështira…

Unë jam lojtar që jam formuar te Shkëndija e Tetovës dhe kam arritur suksese të mëdha me këtë skuadër. Mendoj se Shkëndija më ka ndihmuar për atë që jam sot. Tani janë në të njëjtin nivel që kanë qenë më parë. I uroj Shkëndijës të arrijë sa më shumë suksese në Europë dhe në kampionat.

Vini në një skuadër tjetër të madhe të futbollit shqiptar. Çfarë kërkon të arrish te Tirana?

Kur isha te Shkëndija gjithmonë luanim për të fituar kampionatin, edhe Tirana ka të njëjtat ambicie. Deri tani kam konstatuar se Tirana ka një grup të mirë futbollistësh. Çunat janë shumë të mirë, punojmë fort dhe mendoj se edhe këtu do të dalim kampionë.

Kush ishte njeriu që ju bindi për ta bërë këtë lëvizje?

Të them të vërtetën, i vetmi njeri që më ka ndihmuar është Osmani, por normalisht ka edhe njerëz të tjerë që ndikuan. Mendoj se ishte zgjedhja e duhur për mua, sepse kisha që prej janarit pa luajtur dhe u bë një kohë e gjatë që nuk jam në fushën e lojës.

Cili është pozicioni ideal për ju, para mbrojtjes apo më afër portës?

Të them të drejtën kam luajtur më shumë difensiv kur kam nisur të luaj futboll që prej moshës 17-18 vjeç, por 2-3 vitet e fundit kam pasur detyra më tepër sulmuese.

Keni qenë te Kombëtarja U-21 e Shqipërisë… A keni ambicie për kuqezinjtë apo Maqedonia është kombëtarja që ju do të vazhdoni në të ardhmen?

Po, kam qenë te Shqipëria U-21, por pas kësaj nuk kam pasur ndonjë ftesë. Unë jam grumbulluar me Maqedoninë e Veriut dhe kombëtaren A, puna është se mora ftesë, pata minutazh, domethënë pata luajtur, por këto ndeshje që nuk luajta me Shkëndijën (mosaktivizimi prej janarit) ndikuan që të mos isha pjesë e Europianit. Mendoj se do të vazhdoj me Maqedoninë.

Related posts

Ngujim dhe shumë kritika, Tirana do Kupën e Kategorisë së Parë

Sadik.Autor

Unai Emery: Neymar do të luajë në ndeshjen e fundit të Ligue 1

Sadik.Autor

VAZHDOJNË RRUGËN DREJT TITULLIT/ Suarez vulos fitoren ndaj Alaves

Delo.autor

Leave a Comment