Futboll Sport

RREGULLORJA E LA LIGËS DHE SHOKËT E EKIPIT/ Ja kush e tradhtoi Leo Mesin

Lionel Mesi nuk do të jetë më një futbollist i Barcelonës, por largimin e tij nuk do ta qajë vetëm klubi dhe populli katalanas, por mbi të gjitha edhe kampionati spanjoll. Dhe fajtor për këtë, nëse mund të quhet i tillë, është vetë presidenti i Ligës spanjolle (presidenti i kategorisë së parë dhe të dytë), Havier Tebas.

Ky i fundit, edhe pse ndoshta bëri një lëvizje në të mirë të mbijetesës së futbollit spanjoll, ndoshta fillimisht duhet të ishte informuar lidhur me borxhet, por në të njëjtën kohë me humbjet që solli COVID-i në dy sezonet e kaluara, përpara se të përpilonte ligjin e “Tavanit të shpenzimeve”.

Ky ligj detyronte nga vjet që të gjitha klubet të mos shpenzonin më shumë sesa të fitonin dhe pikërisht ky fakt e dogji Lionel Mesin që të largohej si imazhi më i fortë i kampionatit spanjoll. Pas ardhjes së Joan Laportës në presidencë, ky ishte problemi i parë që “bosi” i ri duhet të zgjidhte kundrejt 1 miliard e 173 milionë eurove borxh që kishte Barcelona.

Që Laporta të ruante vendin dhe klubi të mos përfundonte në faliment, presidenti duhet të fuste në arkat e klubit 500 milionë euro, në mënyrë që klubi të kishte likuiditete për rrogat dhe shpenzimet e tjera administrative. Por, gjithsesi, fakti që Barcelona për të çuar sezonin deri në fund mund t’i lejonte vetes vetëm 383 milionë euro si shpenzim për rrogat (plus taksat) nga 657 milionë euro në total (-274 milionë më pak se sezonin e kaluar), diçka e tillë nuk mund të bëhej nëse të gjithë futbollistët e klubit nuk pranonin që të ulnin pagat e tyre me 41.7 për qind.

Përndryshe, zgjidhja tjetër ishte që vetë Lionel Mesi të pranonte që të paktën për vitin e parë apo edhe për të dytin derisa Barcelona të fuqizonte ekonominë e saj, të pranonte të paguhej me vetëm 30 për qind të 25-milionëshit (pra 7.5 milionë euro neto në vit) që ishte paracaktuar në kontratë, ndërsa shokët e tjerë, duke nisur nga Pike e me radhë të vazhdonin me 10, 15 apo më shumë milionë euro në sezon.

Dhe diçka e tillë për Lionel Mesin ishte pa dyshim e papranueshme. Fundja, përveç Tebasit, në ndërgjegje këtë divorc të “Pleshtit” me Barcelonën do ta kenë mbi të gjithë shokët e tij të ekipit, të cilët nëse do të kishin pranuar uljen e pagës me 41.7 për qind të kërkuar nga presidenti Joan Laporta, dje firma dhe rinovimi i argjentinasit me katalanasit do të kishte qenë thjesht një formalitet.

Mbase, vetëm pasi kanë marrë lajmin e djeshëm, të gjithë futbollistët e kuqebluve do ta kenë kuptuar më qartë se çfarë i kanë bërë skuadrës së tyre, por pa dyshim edhe vetes, pasi të luash në të ardhmen pa Lionel Mesin nuk ul vetëm vlerat e Barcelonës, por edhe vlerat e imazhit të marketingut, por edhe kartonit të secilit prej “yjeve” në “Camp Nou”.

Related posts

INTER-ROMA/ Pas një assit perfekt nga Darmian, mesfushori Brozovic ndëshkon “Verdhekuqtë” (VIDEO)

Delo.autor

MBLEDHJE TEK SKËNDERBEU/ Memelli: Koha të tregohemi burra dhe të luftojmë për fanellën

Delo.autor

Spalletti nuk fokusohet te rezultati, Gattuso i gëzohet barazimit

Sadik.Autor

Leave a Comment