Champions League Futboll Sport

LIVERPOOL-MILAN/ Legjenda Kaka: Entuziazmi i dikujt që e ëndërron turneun mund të bëjë diferencën

Milani nuk ka luajtur kurrë në “Anfield”, por ja që dikush me fanellën kuqezi ia ka dalë, pavarësisht se ishte një miqësore e legjendave të të dyja skuadrave.

Ai është Rikardo Izekson Dos Santos Leite, në artin e futbollit Kaka dhe një protagonist i historisë së afërt milaniste dhe shënues i golit të fundit kuqezi në Champions. Ndaj Liverpulit ka humbur, por edhe është hakmarrë, ndaj intervista e tij për “La Gazzetta dello Sport” merr kuptim sot më shumë se kurrë.

Si e parashikoni “debutimin” e Milanit në Champions?

Shumë të vështirë, por përbërësit për të parë një duel të madh janë të gjithë. Dy rivalë niveli dhe një test për Milanin që do të kuptojë mbi cilët lojtarë mund të besojë në të ardhmen.

Me çfarë rezultati mund të përfundojë?

Pashë fitoren ndaj Lacios dhe m’u duke një Milan agresiv, i shpejtë dhe i aftë për gjithçka. Përvoja e pakët mund të ndikojë për keq, por nëse Milani luan si ndaj Lacios atëherë mund të argëtohemi. Rezultati do të varet nga mënyra se si ekipet do t’i interpretojnë momentet. Një angleze si Liverpuli ka tjetër ritëm nga një ekip italian, megjithatë kjo është e bukura e Champions-it.

Çfarë ka më tepër Milani sesa Liverpuli?

Një përzierje mes lojtarëve me përvojë dhe të rinjve të talentuar. E kam përjetuar vetë diçka të tillë dhe e di se sa rëndësi ka të punosh krah dikujt si Maldini, Kafu, Sheva apo Inzaghi, njerëz që mendonin për të mirën e Milanit dhe jo për kontratat.

Kjaer e Zhiru do të tregojnë rrugën dhe nuk më duket se kuqezinjve u mungon cilësia. Milani ka uri tjetër nga ajo e Liverpulit që Champions-in e ka fituar dhe luan në këto nivele prej vitesh. Entuziazmi i dikujt që e ëndërron turneun mund të bëjë diferencën.

Deri ku mund të arrijë Pioli në pankinën kuqezi?

Trajner i aftë dhe menaxher i zoti. Ka gjithçka për t’u futur në Olimpin e trajnerëve kuqezi. E vlerësoj faktin që Milani e konfirmoi dhe nuk i kërkoi menjëherë rezultate duke i dhënë kohë të ndërtojë diçka.

Rinia e disa lojtarëve është faktor pozitiv apo negativ?

Ndeshjet e këtij niveli janë ëndrra e çdokujt që shkelmon një top. Si fillim, kuqezinjtë do të kenë mundësi për të luajtur të paktën 6 herë.

Sa shanse ka Milani për të kaluar grupin?

Diferenca të mëdha nuk shoh në grupin e Milanit, ndaj gjithçka mund të ndodhë. Që nga 1/8-at e tutje çdo gjë ndërlikohet në mënyrë të frikshme. Sidoqoftë, kush del nga ky grup do të ketë avantazhe.

Italianet e tjera çfarë mundësish kanë?

Champions-i të jep shanse e aq më tepër Atalantës që nuk është më rishtare. Interi ka humbur lojtarë me peshë, por ekipi mbetet i fortë. Juvja është mësuar me këto nivele.

Po për titull a mund të luftojë Milani?

Ky sezon mund të jetë i duhuri për Milanin. Juvja nuk ka më Ronaldon, ndërsa Interi do të duhet të kompensojë kontributin e Lukakut i cili më kujton Adrianon kur ishte në ditët e tij më të mira. Vitin e kaluar Interi fitoi me meritë, por nëse Konte nuk hoqi dorë kurrë nga belgu, Piolit iu desh të bashkëjetonte për shumë kohë me mungesat ku spikaste edhe ajo e Ibrës. Ekipit i është shtuar Zhiru, ndaj mbetem optimist.

A do të ndikojë mungesa e Ibrahimoviçit?

Se sa peshon në fushë e pamë ndaj Lacios. Me të, Milani do të kishte më tepër shanse, sidomos në duelet me Van Dajkun. Ai ka cilësi individuale të jashtëzakonshme të cilat i kam pëlqyer gjithmonë, por futbolli është sport kolektiv e pa shokët nuk fiton dot asgjë. Ibrës i mungon një trofe ndërkombëtar, por nuk është ylli i vetëm që nuk ka fituar “Topin e Artë”. Kjo nuk e zhbën mitin e tij. Ibra është legjendë.

Diazi dhe ndoshta Mesiasi janë armët e reja të Milanit…

Brahim Diazi më pëlqen shumë e jam i bindur se do të ecë. Jam kurioz ta shoh ndaj Liverpulit sepse golat e asistet peshojnë, por personaliteti ka më tepër rëndësi. Sa për Mesiasin nuk e njoh, por kam besim te Paolo Maldini. Më vjen mirë që te Milani ka një brazilian, fundja kemi një traditë për të çuar përpara.

Një armë më shumë në “Anfield” mund të ishte Donaruma….

Zgjedhjet janë personale dhe nuk i diskutoj. Nuk besoj se zgjodhi largimin për të fituar më shumë diku tjetër, por mendoi për profesionin e tij. Është kampion Europe dhe do të synojë Champions-in sepse është ndër më të mirët në botë në rolin e tij. Milani ka Tonalin dhe Kalabrian që në të ardhmen mund të jenë ata që kanë qenë dikur për mua lojtarë si Maldini, Kostacurta, Gatuzo apo italianët e tjerë të klubit…

Related posts

KU ËSHTË ZHDUKUR ZHANG? Presidenti i Interit nuk duket në Milano prej 4 muajsh!

Delo.autor

U MUNDËN NGA SASSUOLO/ De Vrij: Kemi ende punë për të bërë, do të fitojmë…

Isa.Autor

“LEGJEONARËT”/ Goli i Cikalleshit nuk mjafton, Koniaspori mposhtet me përmbysje (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment