Futboll Sport

MUNGESA E YJEVE TEK “PANCERAT”/ Klopp xheloz për Anglinë: Ka 7 sulmues, ne pse nuk kemi?

Jyrgen Klop ka shprehur zhgënjimin e tij për mungesën e sulmuesve në kombëtaren gjermane, ndërkohë që ka marrë shembullin e kombëtares angleze, e cila ka shtatë numra 9 në dispozicion nga të cilët Garet Sauthgejt mund të përzgjedhë. Trajneri i Liverpulit e shikon sulmin e Hansi Flikut si një prej defekteve më të mëdha të kombëtares së “Pancerave”: “Anglia ka 7 sulmues, ne pse nuk kemi?”

Gjermania e rinisi fushatën e saj të kualifikueseve të Botërorit “Katar 2022” ditën e djeshme me transfertën në Lihtenshtejn, ku Hansi Flik regjistroi ndeshjen e tij të parë në stolin e përfaqësueses. “Die Mannschaft” u eliminua në 1/ 8-at e Europianit nga rivalët e Anglisë dhe Klop pranon se ai është xheloz për forcën sulmuese të “Tre Luanëve”.

“Anglia ka të paktën shtatë sulmues klasikë, të cilët mund të luajnë me kombëtaren. Ne përse nuk i kemi? Ne nuk kemi një skuadër kaq të madhe. Lojtarët duhet të vijnë nga diku. Nga ata pak djem që janë në qarkullim, do të ishte fantastike sikur të dilte një qendërsulmues për të ardhmen”, tha 54-vjeçari për televizionin “RTL”.

Joakim Lëv i dha fund karrierës 15- vjeçare në stolin e Gjermanisë pas “Euro 2020” këtë verë, ndërsa sulmues natyral ai kishte vetëm Timo Vernerin dhe Tomas Mylerin. Ndërkohë që kolegu i tij, Sauthgejt thërriti në Europian Herri Kejnin dhe Dominik Kalvert-Ljuinin, të cilët janë gjithashtu në dispozicion të ishullorëve gjatë kualifikueseve të këtyre ditëve. Markus Rashford ishte gjithashtu pjesë e kombëtares angleze, por mungon në grumbullimin e fundit si pasojë e një operacioni në shpatull. Sulmuesi i Lidsit, Patrik Bamford, mori ftesën e parë për këto kualifikuese javën e shkuar. Por Anglia ka në dispozicion edhe talente si Mejzon Grinud, Deni Ings, Olli Uatkins, Temi Abraham dhe Kallëm Uillson.

Ndërkohë që Flik ka grumbulluar në skuadrën e tij në kualifikueset e këtij muaji talentin e Salcburgut, Karim Adejemi. 19- vjeçari, i cili u transferua në Austri në vitin 2018, mund të luante edhe për Nigerinë, por zgjodhi Gjermaninë, kombëtare të cilën e ka përfaqësuar edhe me moshat U16 dhe U-17, përpara se të vinte edhe ftesa nga U-21. Klop u përfol për të marrë drejtimin e Gjermanisë pas tërheqjes së Lëvit, por ai ka thënë gjithnjë se pas karrierës me Liverpulin (kontrata i skadon në 2024) do të bëjë një vit pushim.

Related posts

MOURINHO rikthehet te REALI? Tekniku PORTUGEZ jep përgjigjen e PAPRITUR

Isa.Autor

“FRIKACAKU” SOLARI/ Ja pse të gjithë po qeshin me veprimin e tij (VIDEO)

Delo.autor

GODITJA BOMBË/ Ish-ylli i MILANIT shënon një SUPERGOL, E HEDH portierin në TOKË (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment