Futboll Kategoria Superiore Sport

PËRBALLJA NDAJ DINAMOS/ Trajneri Ndreu: E nisim me fitore, ekipi im di të sakrifikojë

Ramadan Ndreu është i kënaqur për mënyrën se si i kanë shkuar përgatitjet në këto dy muaj, prandaj dhe beson se Kastrioti do ta nisë me fitore kundër Dinamos sot në orën 13:45 në stadiumin e Kamzës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i krutanëve foli për situatën në ekip, merkaton dhe ndeshjen e parë.

Zoti Ndreu është gati Kastrioti për startin e kampionatit?

Ndoshta jo 100 %, por pa diskutim që jemi gati. Kemi pasur një farë kohe për të bërë atë që duhet, por do të ishte shumë më mirë nëse do të kishim edhe pak më tepër. Gjithsesi, skuadra është stërvitur mirë dhe kemi afruar lojtarë që besoj e kanë cilësinë dhe forcën për ta përballuar kampionatin.

Jemi munduar që në këtë periudhë të bëjmë atë që është e rëndësishme për një skuadër që ka shumë ndryshime nga sezoni i fundit. Jemi munduar të konsolidojmë grupin dhe harmoninë. Vështirësia qëndron sepse janë shumë afrime dhe koha është e shkurtër. Megjithatë, kam besim që do të ecim mirë.

Do të luani ndaj Dinamos, ka diçka që ju shqetëson në prag të kësaj ndeshjeje?

Në fakt, ndeshjet e para janë gjithmonë të vështira sepse skuadrat ende nuk i njohim. Rezultatit nuk i dihet në të tilla ndeshje, por ne do të jemi shumë të kujdesshëm në këtë start të kampionatit. Sinqerisht ne duam edhe pak kohë si skuadër që të kolaudohemi mirë, kështu që ne do të luftojmë fort me mundësitë që kemi. Arma jonë kryesore të cilën e kemi bërë mirë edhe në sezonin e kaluar është dëshira për të fituar dhe sakrifica në fushë.

Keni ndonjë peng nga merkatoja?

Pengu i vetëm është që këta lojtarë që kemi afruar duhet t’i kishim marrë pak më herët. Ndoshta sulmi dhe krahët e mesfushës, mund të kishim edhe ndonjë lojtar tjetër, por gjithsesi e mira s’ka fund. Do të mundohemi të sistemohemi me këtë grup që kemi.

Afrimet e fundit do të jenë në fushë ndaj Dinamos?

Nuk besoj sepse kanë ardhur të pastërvitur. Kryesisht ata që vijnë nga jashtë në momentet e fundit kanë një gjendje të dobët fizike. Duan kohën e vet dhe këtë ua kam bërë të qartë. Në fushë do të jenë ata lojtarë që kanë gjendjen më të mirë dhe kanë punuar shumë në këto dy muaj. Pra, ata që sakrifikojnë dhe vrapojnë më shumë.

Besoni te një fitore kundër bluve të rikthyer në Superiore?

Absolutisht po, do të futemi për fitore. Jemi një skuadër që në këto dy muaj jemi stërvitur shumë mirë. Ekipi është OK nga ana fizike dhe duke qenë se kemi shumë djem të rinj kam shumë besim te fitorja.

Kur do të jetë i gatshëm Edon Hasani për të luajtur me Kastriotin?

Hasani është një lojtar me shumë vlera, por i duhet ende kohë për të qenë në fushë, në gjendjen e tij më të mirë.

Related posts

“PREJ ATIJ JAM AKOMA TEK ARSENAL-I” Xhaka: Një ditë do t’ua rrëfej fëmijëve

Delo.autor

Llallana pyet fansat: Si mund t’i shkrij këmbët?

Q.Autor

MANAJ PO SHKËLQEN/ Trajneri i Barcelonës B: Ju tregoj si e motivova në fillim

Delo.autor

Leave a Comment