Futboll Seria A Sport

“SHUMË NGA VUAJTJET SOT JANË…”/ Nga aksidenti tek alkooli, Milan zbarkon ish-hamalli Mesias

Hovin cilësor në karrierë, pas të tridhjetave. Është ky rasti i Zhunior Mesias i cili arrin majën duke ndryshuar stil jetese. Mbase në këtë ndodhi ka gisht edhe Zoti. Ngjarjet hyjnore mund të ndodhin kurdoherë, e jo vetëm sepse quhet Mesias. Dikur një djalë problematik, sot, sulmuesi më i ri i Milanit bën një jetë të rregull me familjen dhe fëmijët si përparësi.

Kjo nuk do të thotë që nuk kujdeset për ushqimin dhe stërvitjet e rregullta. Fundja nuk pati rrugë tjetër, duke parë që alkooli po i shkatërronte jo vetëm karrierën, por edhe jetën. Këtë e ka pranuar vetë në një intervistë të pak kohëve më parë ku tregonte: “Më thoshin të ecja ngadalë, por unë i jepja gaz, gjithnjë e më shumë.

Makina ishte e rrënuar, timoni anonte, më duhej të ushtroja forcë për ta mbajtur drejt. Po udhëtoja në një rrugë të ngushtë, më pak se një kilometër, dhe do të futesha në rrugën kryesore. Kisha qenë në dasmën e vëllait tim dhe isha plotësisht i dehur, shumë alkool në trup dhe zero minuta gjumë.

I mbylla sytë për një moment, vetëm një, as që e vura re. Pastaj një zhurmë, përfundova jashtë rrugës në mes të arave. Mund të kisha vdekur, por dikush më shpëtoi”. Jetonte në Brazil asokohe, teksa alkooli dhe birrat ishin dieta e tij. Nuk ishte i shëndoshtë, por i fryrë e aspak në formë.

Hallet që kishte nuk e lejonin të mendonte se mund të shpëtonte nëpërmjet futbollit. Zbarkimi në Europë ndryshoi këndvështrimin e situatës, teksa mbërritja te Krotone i mundësoi rilindjen.

FEJA – “Falë Zotit”, thotë gjithmonë, ai që në emrin Mesias përfaqëson fenë e tij të krishterë. “Miço” (nga portugalisht majmun), është nofka që i kanë vënë familjarët dhe miqtë e një jete. “E kisha mendjen te festat, por Zoti më shpëtoi. Jam besimtar në mënyrën më të thellë që ekziston”.

Pikërisht feja, që i shton besimin te vetja dhe aftësitë që zotëron, pavarësisht se dikur vuante edhe nga krizat e ankthit që u bashkëngjiteshin netëve të pagjuma kur po bëhej futbollist i nivelit të lartë.

E të mendosh që në vitin 2011, kur zbarkoi në Itali, gjeti strehim në periferi të Torinos e për të mbijetuar shkarkonte frigoriferë. Asokohe mendonte për punën, teksa futbolli ishte thjesht një argëtim në ekipin e lagjes, të përbërë nga një mori emigrantësh peruanë.

FAMILJA – Shumë nga vuajtjet sot janë thjesht një kujtim sepse Mesias ka gjetur rrugën e duhur falë besimit, por edhe rolit të tij si baba. Së bashku me bashkëshorten Tamiris kanë sjellë në jetë dy fëmijë, Migelin 8-vjeçar dhe Manuelin 5.

“Me ta përpiqem të ha në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t’i bëj të kuptojnë rëndësinë e stërvitjes, edhe nëse më pas luajmë shumë dhe gjithmonë përpiqem t’i argëtoj”.

Në shtëpi, por edhe duke e parë nga televizori kur shkelte fushat e Serisë A, tani do të mundohet ta bëjë me Milanin. Mesias ka besim.

Related posts

Chelsea i shet në “paketë”, kërkon… milionë euro për Courtois dhe Hazard

Isa.Autor

KUSHTOI 300 MIJË EURO DHE SHPËTOI KLUBIN E TIJ NGA KRIZA/ Kush është “vrasësi” i Liverpoolit në Champions

Isa.Autor

PO SHKËLQEN NË FRANCË/ Futbollisti shqiptar jep këtë asist “magjik” (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment