Futboll La Liga Sport

STOLI I KOEMAN NË RREZIK. Presidenti Laporta kërkon Martinez, pjesa tjetër duan… Xavin

Ronald Kuman do të vazhdojë të jetë trajner i Barcelonës, të paktën deri të dielën kur “blaugranat” do të presin Levanten. Por nuk përjashtohet as mundësia që bashkëpunimi mes palëve të vijojë edhe përtej takimit të së dielës. Të paktën kështu është rënë dakord mes tyre siç raportojnë mediat spanjolle.

Vendimi për ta mbajtur Ronald Kumanin në drejtimin e ekipit është marrë në avion, kur skuadra ka marrë rrugën e kthimit nga Kadizi drejt Barcelonës. Barça nuk shkoi më larg se një barazim zhgënjyes 0-0 dhe të premten në mëngjes të gjithë ishin bërë gati të prisnin lajmin për shkarkimin e holandezit. Por në fakt jo vetëm që nuk ka pasur shkarkim, por pas takimit në avion mes Laportës, Kumanit dhe drejtuesve të tjerë të Barcelonës është vendosur që holandezi të qëndrojë ende në detyrë.

Mediat kryesore pro Barcelonës, “Mundo Deportivo” dhe “Sport” raportojnë se në fillim janë takuar Laporta me trajnerin Kuman. Më pas, atyre u janë bashkuar edhe zëvendëspresidenti Rafa Juste dhe drejtori sportiv Alemani. Gjithçka ka shkuar qetë dhe drejtuesit e Barcelonës i kanë dhënë votëbesimin trajnerit, edhe pse bëhet fjalë vetëm për një votëbesim të përkohshëm. Gjithçka do të varet nga rezultati ndaj Levantes. Një fitore mund të ndryshojë gjithçka, por çdo rezultat tjetër do të vuloste fundin e holandezit në krye të klubit katalanas.

SHERR PËR PASUESIN – Drejtuesit e Barcelonës kanë vendosur t’i ulin tensionet duke ia falur trajnerit edhe hapin fals në Kadiz. Kalendari i ngjeshur, kostot financiare, mungesa e alternativave reale për pasuesin e Kumanit ka ndikuar në këtë vendim. Megjithatë, nga krahu tjetër përpjekjet vijojnë.

Madje çështja e trajnerit të ardhshëm të Barcelonës është kthyer në një pretekst për përplasjen në klub. Edhe pse ato nuk kanë dalë në sipërfaqe, mediat katalanase bëjnë me dije se situata nuk është aspak e qetë. Presidenti Laporta dhe pjesa tjetër e kupolës drejtuese të Barcelonës kanë opinione të ndryshme sa i përket trajnerit të ri.

Pjesa dërrmuese e klubit dëshirojnë ta shohin Ksavi Hernandezin në krye të klubit. Ndërsa presidenti është partizan për t’ia besuar stolin trajnerit aktual të Belgjikës, Roberto Martinezit. Madje, sipas “Mundo Deportivos”, Laporta ka nisur lëvizjet e para për të tunduar spanjollin. Ndërkaq “Sport” nga ana tjetër nënvizon se vetë Martinezi i ka komunikuar federatës belge të futbollit dëshirën për ta drejtuar Barcelonën pasi të mbyllen takimet e “Nations League”.

Related posts

KËRKOHET NGA SHUMË KLUBE/ Manchester United hidhet në sulm, zëvendësuesi i Pogba mund të vijë nga rivalët

Delo.autor

MERKATO E BUJSHME/ “Çmenduria” e Realit dhe Manchester Cityt, 170 milionë euro për këtë lojtar!

Delo.autor

Kimmich: Morata, kundërshtari më i fortë që kam hasur ndonjëherë

Q.Autor

Leave a Comment