Futboll Seria A Sport

ANALIZA/ Inzaghi ringjalli yllin Dzeko, por skemat i tij coptojnë repartet

Simone Inzagi e pranoi sfidën si trajner i Interit, jo vetëm sepse nuk është e lehtë t’u thuash jo kampionëve të saposhpallur të Italisë, por edhe për të sfiduar veten dhe për të konfirmuar veten. Me hijen e Kontes që duhej larguar, Inzagi duhet të arrinte edhe të zëvendësonte boshllëkun e lënë nga Lukaku, një largim i paparashikuar kur tekniku u ul në stolin e zikaltërve. Por trajneri deri tani po ia del të bëjë këtë të dytën, kurse sfidën për funksionalitetin e ekipit me ish-trajnerin, edhe pse me të njëjtin modul, duket se e fiton Konte.

RILINDJA E XHEKOS – Edin Xheko ka treguar se kur gjendja e tij psikologjike është e qetë, mund t’i bëjë 35 vitet e tij mbi shpinë të mos peshojnë. Meritë absolute për këtë ka Simone Inzagi, që i ka krijuar sulmuesit ambientin e duhur për t’u motivuar. Trajneri i ka besuar rolin e udhëheqësit të repartit ofensiv dhe numrin e Lukakut duke e bërë të ndihet lider dhe të rrisë brenda tij dëshirën për të bërë diferencën në çdo ndeshje, qoftë ato që nis nga stoli, qoftë ato si titullar. Një tjetër faktor i rëndësishëm është loja që i kërkon tekniku skuadrës të luajë: një gjithëpërfshirje për të krijuar sa më shumë raste duke e lejuar boshnjakun ta shprehë aftësinë e tij krijuese dhe një shok reparti aq i munguar në kryeqytet që i jep mundësinë Xhekos të luajë qoftë si pykë, qoftë si sulmues mbështetës, alternime që futbollistit i japin kënaqësi.

SKUADËR JOKOMPAKTE – Kur Barela vendoset në të djathtë, arrin të mbulojë thuajse gjithçka, por humbet funksionin e tij kryesor në mesin e fushës; kurse nga ana tjetër, Çalhanoglu vuan shumë dhe nuk i plotëson si duhet detyrat në mbulim dhe nuk garanton ekuilibër. Në këtë mënyrë, edhe Batoni është shpesh i detyruar të rrezikojë me ndonjë ndërhyrje, e cila nëse nuk rezulton e efektshme, hap një korridor të rrezikshëm për kundërshtarin drejt Handanoviçit.

E gjitha kjo detyron edhe De Vrajin të dalë më para dhe shpesh të lërë zbuluar prapavijën. Interi i Kontes mbronte shumë ulët, kurse ai i Inzagit shtyn më shumë para, sepse është më i orientuar drejt futbollit ofensiv. Ajo që tani rëndon është humbja e topit, rikuperimi i të cilit bëhet shumë i vështirë kur pjesa më e madhe e skuadrës ndodhet në gjysmëfushën kundërshtare. Inzagi tashmë duhet të gjejë balancën, sepse duket se mënyra si trajneri po i aplikon idetë e tij ka sjellë një çekuilibrim të reparteve dhe Interi nëse humbet kompaktësinë, që ka qenë tipari i tij kryesor, do ta ketë shumë të vështirë të mbrojë stemën trengjyrëshe në gjoks.

Related posts

Merkato/ Brandt mahnit gjigandët e Bundesligas, ‘lum’ ofertash për shërbimet e tij

Q.Autor

“AIR ALBANIA” KTHEHET NË MAKTH/ Partizani merr vendimin drastik, ja ku do të luajë ndaj “Durrsakëve” (FOTO)

Delo.autor

SKENARI I KAMPIONATIT NË SERIE A/ Interi mund të lërë “Kuqezinjtë” pa Champions, ja sfidat e mbijetesës

Delo.autor

Leave a Comment