Futboll Kategoria Superiore Sport

“FITORJA NDAJ KUKËSIT JA SHTON MË SHUMË VLERAT EKIPIT/ Mesfushori Aleksi: Teuta është super, e pësoj prej rolit që kam

Albano Aleksi shënoi një gol shumë të bukur në fitoren 3-2 ndaj Kukësit në “Elbasan Arena”, por mesfushori u ndëshkua sërish me kartonë të verdhë, duke e çuar në tre numrin e tyre pas vetëm katër javësh. Titullari i kampionëve, në një intervistë për “Panorama Sport”, e pranon se merr kartonë më shumë se duhet, por për këtë ia hedh “fajin” rolit që ka, pikërisht si mesfushor shkatërrues, paçka se në tri javët e fundit është aktivizuar në qendër të mbrojtjes.

Albano, fituat një ndeshje me përmbysje ndaj Kukësit, edhe pse fillimisht ishit ju që kaluat në avantazh Teutën…

Po, e vërteta është që e nisëm mirë, por më pas pësuam dy gola të shpejtë. Megjithatë, unë mendoj se bëmë një paraqitje të shkëlqyer, me intensitet, cilësi dhe shumë energji të harxhuara në 90 minuta. Është një fitore e rëndësishme që na gëzon, pasi skuadra i është përgjigjur gjithmonë edhe ndonjë momenti jo të mirë që ka pasur. Besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe absolutisht duhet të vazhdojmë kështu. Duhet të luajmë për të fituar çdo ndeshje, pasi jemi kampionët në fuqi. Jemi të lumtur që sezonin e kemi nisur aty ku e lamë.

Pësuat dy gola, çfarë ua bëri më shumë të vështirë këtë herë lojën?

Kjo fitore ndaj një rivali si Kukësit ia shton edhe më shumë vlerat ekipit. Duke qenë se në kalendar ishte ndeshje jashtë fushe, më vjen mirë që ia arritëm qëllimit për të marrë tri pikët pas dy barazimeve radhazi. Rëndësi kishte të fitonim, edhe pse nuk na vjen mirë që pësuam dy gola. Për këtë ka meritë edhe kundërshtari.

Në momentin që arbitri akordoi penallti për Kukësin me ndihmën e VAR, ju sërish u patë nervozë në fushë, duke marrë kartonë të verdhë. Si mund ta shmangni këtë situatë të përsëritur?

E kuptoj shumë mirë, por janë gjëra që ndodhin në futboll. Thjesht nuk më erdhi mirë për atë moment. Duhet edhe mirëkuptim, pasi roli që unë kam në fushë vetvetiu bën që edhe të marr ndonjë karton më tepër. Gjithsesi, do të mundohem të shmang sa më tepër këto situata.

Ju kënaq më shumë fakti që shënuat në këtë fitore apo kjo ka pak rëndësi?

Ishte gol i rëndësishëm, si për skuadrën, ashtu edhe për mua. Jam i lumtur që e ndihmova ekipin. Kishim ardhur për fitore dhe e morëm. Për mënyrën si shkuan gjërat, na kënaq.

Tashmë kampionati do të ketë një pauzë prej kombëtareve. Është kjo në favor të Teutës apo mendoni se nuk ishte momenti i duhur, duke parë edhe formën që po kalonte ekipi?

Për ne është mirë kjo ndalesë për shumë arsye. E para, sepse do të rikuperohen lojtarët e dëmtuar dhe së dyti, mendoj se gjendja e mirë psikologjike ndikon dhe do të na shërbejë që t’i përgatisim më të qetë ndeshjet e radhës, ku na pret një përballje me Tiranën pas dy javësh.

Related posts

NUK NDODHTE PREJ 23 VITESH/ Debutim ëndrrash me fanellën e Interit, sulmuesi Dzeko njësoj si “Fenomeni”

Delo.autor

RILTHIMI I BONUCCIT NGA MILAN TEK JUVE/ Zbulohen mesazhet me ultrasit: Ishte sulm për klubin jo për mua

Delo.autor

DERBI I “MADONINËS”/ Berlusconi tregon super sfidën e tij më të mirë kundër Inter

Delo.autor

Leave a Comment