Futboll Sport

CIKALLESHI-MANAJ/ Zbulohet plani kundër Hungarisë. Trajneri Reja i kthehet skemës “klasike”

Edi Reja nuk ka ndër mend të bëjë ndryshime nga formacioni që ka përdorur më shpesh në ndeshjet e shtatorit. Riaftësimi i mbrojtësit Ardian Ismajli ia ka thjeshtësuar gjërat trajnerit kuqezi, duke konfirmuar kështu pesë lojtarët që janë aktivizuar si titullarë në prapavijë edhe në takimet e fundit.

“Panorama Sport” zbulon se në seancat e fundit në prag të sfidës me Hungarinë, Reja ka provuar Elseid Hysajn në të djathtë dhe Lorenc Trashin në të majtë, ndërsa treshja e qendrës me Ismajlin, Marash Kumbullën dhe Berat Gjimshitin. Skema fillestare 3-5-2 praktikisht është një 5-3-2 kur skuadra mbron. Duket se shanset për Ivan Balliun titullar në krahun e djathtë dhe spostimin e Hysajt në të majtë janë zvogëluar, pasi Reja i beson më tepër Trashit (lojtar tipik për krahun e majtë).

Në mesfushë, aty ku mungojnë për dëmtime lojtarë si Amir Abrashi dhe Qazim Laçi, janë të sigurt për ta nisur nga minuta e parë Klaus Gjasula dhe Keidi Bare. Afër tyre, por i spostuar disi në të majtë, do të jetë Nedim Bajrami. Me skemën që do të luajnë kuqezinjtë kundër Hungarisë, fantazisti i Empolit nuk do të jetë në pozicionin e tij të mirëfilltë. Ndërkohë, dyshja e sulmit, aty ku lufta për një vend titullari është më e ashpër se kurrë, do të përbëhet nga dy lojtarët më të preferuar të Rejës në ofensivë: Sokol Cikalleshi dhe Rei Manaj.

Të paktën kjo është ajo që trajneri ka provuar në seancat e fundit, teksa kërkon shumë ekuilibra përballë një kundërshtari që e ka mundur, por këtë herë luhet në Hungari dhe vendësit do të kenë një tjetër mënyrë loje nga ajo në “Elbasan Arena”.

Uzuni dhe Broja janë gati për një vend, por Reja është i bindur për ta nisur me Cikalleshin që ka shënuar rregullisht, por edhe Manajn, që ka marrë më shumë minuta së fundmi te Specia.

DËMTOHET BALAJ – Në stërvitjen e djeshme në Durrës, krahas Erjon Hoxhallarit, që rezultoi pozitiv me COVID, mungonte edhe sulmuesi Bekim Balaj. Zyra për shtyp e FSHFsë konfirmoi se shkodrani nuk është stërvitur pasi ndien një shqetësim në muskujt e kofshës. Shtatlarti i është nënshtruar menjëherë vizitave dhe vetëm sot mjekët do të vendosin nëse do të jetë apo jo i gatshëm për ndeshjen ndaj Hungarisë.

Related posts

KRIZA EKONOMIKE PREJ COVID-19/ Real Madrid me plan të ri për rinovimet, ja vendimet për të ardhmen…

Delo.autor

Kishte rënë dakord me Man United, gjithçka u prish nga një PLUMB NË KOKË

Isa.Autor

Fiton 2-1 me Eintracht Frankfurt, Werderi jashtë rrezikut të rënies

Sadik.Autor

Leave a Comment