Futboll Kategoria Superiore Sport

“DOTË QËNDROJMË ME KËMBË NË TOKË”/ Hakaj: Spektakël me Dinamon, me Kukësin për 3 pikët e radhës

Vllaznia ka dhuruar spektakël para tifozërisë së saj në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos, ku të besuarit e trajnerit Tomas Brdariç fituan me rezultatin 6-3 ndaj kryeqytetasve. Mbrojtësi i majtë i kuqebluve, shkodrani Esin Hakaj, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” nuk e ka fshehur kënaqësinë e fitores së arritur ndaj Dinamos. 24- vjeçari ka vlerësuar gritën dhe shpirtin e garës së treguar nga ekipi kuqeblu në këtë ndeshje, por edhe në këto javë të luajtura deri tani.

Hakaj kërkon përqendrim maksimal nga ekipi deri në fund, pasi deri tani nuk kanë arritur asgjë dhe gjërat do të vijnë duke u vështirësuar, aq më shumë që në Superiore nuk ka kundërshtarë dhe ndeshje të lehta. Tani është momenti që kuqeblutë të tregojnë vazhdimësi, gjë e cila do të kërkohet që nga takimi i radhës me Kukësin, ku verilindorët po bëjnë një kampionat konkurrues.

Një fitore me shumë gola dhe spektakël ndaj Dinamos, a jeni i kënaqur me atë që dha ky takim?
Jam shumë i kënaqur me fitoren e arritur si dhe atmosferën dhe gëzimin që krijuam për tifozërinë e mrekullueshme shkodrane. Bëmë një lojë shumë të mirë. Përmbysëm rezultatin e fillimit dhe treguam forcë e karakter në të gjitha aspektet. Ishte një fitore që pak kujt mund t’i shkonte ndërmend.

Pas kësaj paraqitjeje, a kanë arsye kundërshtarët e tjerë që të frikësohen nga kjo Vllazni?
Është fillimi i kampionatit dhe deri tani nuk kemi arritur asgjë. Do të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të përmirësohemi edhe më shumë. Nëse zhvillojmë lojëra të tilla, atëherë mund të themi se jemi në rrugën e duhur, por jo gjithçka shkon si në këtë përballje. Takimet ndryshojnë nga njëri-tjetri, por ne duhet që ashtu si me Dinamon të japim më të mirën si ekip, pastaj edhe rezultatet nuk do të mungojnë.

A ka vend për korrigjim skuadra, kryesisht në mbrojtje pasi edhe ndaj Dinamos pësuat 3 gola?
Ne mbrojmë të gjithë e sulmojmë të gjithë. Në një ekip futbolli, natyrisht që gjithmonë ka vend për përmirësime dhe korrigjime. Kemi shumë gjëra për të rregulluar. Ne duhet të mësojmë nga gabimet që bëjmë dhe të mos i përsërisim më.

A mund të themi se takimet që vijnë, sidomos dy të radhës (Kukësi dhe Tirana), janë një “malore” për Vllazninë?
Në këtë kampionat kemi shikuar se s’ka ekipe me diferenca të mëdha. Ne nëse bëjmë lojën tonë atëherë do ta kemi të lehtë ndaj çdo ekipi, në të kundërt gjithçka do të jetë e vështirë. Prandaj, çdo ekip duhet vlerësuar maksimalisht.

Si e shikoni përballjen me Kukësin në transfertë?
Dua të them se është ndër përballjet më delikate. Kukësi ka një skuadër të mirë dhe për këtë duhet vlerësuar maksimalisht. Megjithatë, objektivi ynë kryesor është që të marrim tri pikët e radhës.

Related posts

NDESHJA NDAJ ATLETICO MADRID/ Valverde me kritika: S’më pëlqen formati, nuk mendoj se…

Delo.autor

Arsenali dhe Liverpooli kthejnë sytë te Jan Oblak

Q.Autor

GAFA AMATORESKE E DE GEAS/ Shikoni çfarë goli i dhuron Evertonit të Ancelottit (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment