Futboll Kategoria Superiore Sport

NOTAT E SUPERIORES/ Kampionët kthehen të shkëlqejnë, Dinamo fiton “me pikë” derbin

Ndeshjet e kësaj jave në Kategorinë Superiores kanë kthyer përsëri në majën e renditjes dy skuadrat që kanë fituar titullin në edicionet e fundit, Teutën dhe Tiranën. Falë fitoreve të tyre, të dy ekipet kanë bërë një hap të rëndësishëm para dhe nuk është rastësi që edhe në vlerësimet e “Panorama Sport”, renditen në majën e klasifikimit sa i përket lojës ekipore për javën e katërt.

TEUTA 8- Skuadra durrsake sërish ka treguar stofin e kampiones, ku ndaj Kukësit morën një fitore karakteri dhe force. Teuta vështirë të mundet, nuk dorëzohet edhe kur ndëshkohet, pasi arrin ta përmbysë kundërshtarin, siç bëri ndaj Kukësit të dielën. Kampionë të vërtetë.

TIRANA 7.5- Kur pritshmëritë janë të mëdha dhe gjërat nuk shkojnë si duhet, kritikat janë normale për një ekip tradite si Tirana. Edhe me luhatje, bardheblutë mbeten forca e parë e kampionatit dhe fitorja e fundit me Laçin erdhi si ilaç në kohën e duhur. Kohë për qetësi.

EGNATIA 7- Shkëndijat në tri javët e para, por edhe loja e mirë, i dhanë frytet e saj te rrogozhinasit e trajnerit Magani, ku në fundjavë morën fitoren e parë në Superiore për këtë sezon. Egnatia mposhti Kastriotin, rival direkt, dhe për momentin është komode në renditje.

DINAMO 6.5- Derbi mes Dinamos dhe Partizanit u kthye pas një mungese 12-vjeçare në Superiore, por u mbyll “X”. Gjithsesi, “nëndetësja” u paraqit më mirë se të kuqtë e kryeqytetit dhe mbase dalja me karton të kuq e Sofranak në pjesën e parë i kushtëzoi blutë në arritjen e qëllimit, ku në pjesën e dytë u ndëshkuan me penallti.

VLLAZNIA 6- Shkodranët shkuan në Korçë për të përsëritur finalen e Kupës ndaj Skënderbeut, por të besuarit e trajnerit Brdariç u larguan me një pikë. Një ndeshje e tensionuar që solli edhe daljen me karton të kuq të Adilit. Vllaznia ka potencial të madh, kryesisht në sulm, por mungesa e brazilianit Da Sivla pati ndikim te mungesa e golit.

SKËNDERBEU 5- Korçarët u pajtuan me pikën në shtëpi ndaj Vllaznisë, por duke ditur se për 45 minuta ishin me një lojtar më shumë, ekipi i trajnerit Memelli mund të kishte guxuar më tepër. Gjithsesi, çdo pikë e fituar ka vlerë për Skënderbeun e ditëve të sotme.

PARTIZANI 5- “Demat” edhe në javën e katërt ishin ekip pa busull. E habitshme është se si gabimet në mbrojtje vijojnë nga ndeshja në ndeshje, ku edhe në derbi e pësuan nga prapavija. Përveç mbrojtësve, të kuqtë duhet të zgjedhin manovrën e duhur, pasi rruga e golit është bërë shteg i mbyllur. Edhe me një lojtar më shumë morën një pikë në derbi.

KASTRIOTI 4- Krutanët po vuajnë në këtë fillim sezoni, pasi pas katër javësh ende nuk e kanë gjetur fitoren e parë. Kastrioti limitet i tregoi edhe në transfertën e Rrogozhinës, ku mbase humbja u kushtëzua edhe nga dalja me karton të kuq e mesfushorit Eneid Kodra.

KUKËSI 4- Verilindorët pësuan një humbje tronditëse këtë fundjavë, ku kampionët e Teutës u treguan forcën dhe i mundën me përmbysje. Ky dështim, por edhe faktorë të tjerë të brendshëm të padeklaruar, bënë që pas ndeshjes trajner i Kukësit, Diego Logo, të meditojë me largimin nga klubi. Kukësi është nga skuadrat që zhvillon futboll të bukur dhe atraktiv në fazën sulmuese, por mangësitë në mbrojtje e ndëshkuan.

LAÇI 4- Kurbinasit vazhdojnë rrugëtimin pa asnjë fitore në këtë fillim sezoni, por humbja e fundit me Tiranën ishte alarmante. Laçi u ndëshkua me dy autogola, por duket se trajneri malazez Vukiçeviç dhe lojtarët nuk po dinë si të kuptohen me njëritjetrin. Trajneri malazez surprizoi me zgjedhjet në fillim, por më pas edhe zëvendësimet nuk funksionuan.

Related posts

KUALIFIKUESET E BOTËRORIT/ Edy Reja i uritur, trajneri karikon Kombëtaren: Pres një seri fitoresh

Delo.autor

AKSIDENTI FATAL QË SHOKOI BOTËN/ Kobe Bryant, historia e pabesueshme e një “italiani” që dominoi NBA

Delo.autor

MERKATO E ANGLISË DREJT FUNDIT/ Christian Eriksen pranon ofertën e Manchester United, i hapet rrugë largimit të…

Delo.autor

Leave a Comment