Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ DINAMOS/ Sadriu: Skënderbeu nuk e diskuton mbijetesën, jemi më mirë se vjet

Skënderbeu kërkon rikthimin menjëherë pas ndeshjes së humbur në transfertë ndaj Kastriotit. Korçarët po mundohen të harrojnë sa më shpejt këtë takim të humbur përballë një rivali direkt për mbijetesë dhe të reagojnë, duke filluar nga ndeshja e radhës. Në Korçë janë të bindur se diskutimi i një viti më parë për mbijetesën nuk do të jetë temë që do t’i shoqërojë përgjatë këtij sezoni.

I këtij mendimi është edhe Leard Sadriu, mbrojtësi i treshes kosovare të bardhekuqve. Për Sadriun, humbja e javës së fundit është një ndjesi mjaft e keqe dhe për këtë ekipi është ndier shumë i mërzitur. Por është koha, sipas tij, që të mos shohin pas, por të mendojnë reagimin në ndeshjen e radhës.

“Jemi shumë të mërzitur nga humbja e fundit në kampionat pasi është një ndeshje të cilën e kishim përgatitur mirë dhe kërkonim të merrnim maksimumin, por fusha tregoi tjetër gjë. Nuk bëmë asgjë për ta fituar atë takim dhe ishim në një moment mjaft të keq duke e lënë kundërshtarin që ta fitonte dhe të na kalonte në renditje. Jemi të mërzitur dhe u kërkojmë falje të gjithëve për këtë figurë të shëmtuar që bëmë. Por, tani është momenti për të menduar për ndeshjen e radhës. Kemi një takim tjetër të fortë në kampionat përballë Dinamos dhe duhet të mendojmë të reagojmë më së miri në këtë ndeshje.

Jam i bindur se ky ekip i ka mundësitë të reagojë menjëherë pasi i njohim cilësitë tona. Mjafton që të jemi të përqendruar dhe të luajmë si një grup i vetëm përballë çdo kundërshtari. Nuk duhet të shohim askënd si një ekip të kalueshëm, por duke bërë maksimumin duhet të marrim rezultatet e një pas njëshme. Kemi reflektuar shumë pas humbjes së fundit dhe në analizë kemi dalë në mendimin që në çdo ndeshje duhet të jemi në maksimum”, theksoi fillimisht Sadriu.

MBIJETESA – Mbrojtësi i ardhur në huazim nga Shkëndija e Tetovës në sezonin e dytë te korçarët nuk e diskuton aspak çështjen e mbijetesës. “Nuk jemi ne ekipi që do të biem nga kategoria apo që rrezikojmë të biem. Është shumë herët për të folur dhe menduar gjëra të tilla. Normalisht në pesë javë tri pikë janë pak, por po të shohim renditjen, të gjitha ekipet janë atje me pikë dhe mundësia e rikuperimit është mjaft e madhe.

Shumë ekipe janë shumë pranë njëri-tjetrit. Mjafton një fitore në ndeshjen e radhës dhe na ngjit lart në renditje. Për këtë them se nuk është një situatë e ngjashme me një sezon më parë. Skënderbeu nuk e çon në mend të përsërisë sezonin e shkuar, por jemi të bindur se ia dalim më së miri”, përfundoi mbrojtësi kosovar Leard Sadriu.

Related posts

“Griezmann qëndron në Spanjë”, Deschamps zbulon të ardhmen e sulmuesit

Sadik.Autor

Guardiola kërkon të rikthehet te Barcelona

Sadik.Autor

THYEN RREGUALLAT ANTI-COVID/ Organizuan “party” në kohë pandemie, pritet vednimi për 3 lojtarët e Juventus

Delo.autor

Leave a Comment