Tri ndeshje pa asnjë gol të shënuar janë realisht shumë për Skënderbeun, që këtë sezon kërkon të jetë në mesin “e artë” të renditjes. Korçarët, në javët e fundit, nga një ekip që shënonin janë shndërruar në një skuadër shterpë në repartin e avancuar. Kjo sigurisht që është reflektuar edhe në rezultatet e marra nga bardhekuqtë ku në këto tri takime numërojnë vetëm një pikë, në barazimin pa gola ndaj Vllaznisë, si dhe dy humbje, me Kastriotin dhe Dinamon.
Edhe pse ka shumë alternativa dhe lojtarë cilësorë në repartin e sulmit, të cilët pa dyshim mund të luajnë në çdo skuadër që synon kreun, korçarët nuk po arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës. Nga Alfred Mensah, Elvi Berisha, Ngisah Bismark dhe Belajdi Pusi pritet shumë. Mirëpo, pas gjashtë javësh kampionat, skuadra ka shënuar vetëm 4 gola. Berisha ka realizuar dy herë, ndërsa nga një gol kanë shënuar Zhan Viktor dhe Mensah.
Rastet nuk kanë munguar gjatë ndeshjeve, por lojtarët kanë shpërdoruar jo pak dhe kjo ka sjellë krizë rezultatesh. Korçarët shpresojnë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt pasi ky kampionat pritet të jetë mjaft i luftuar.
MENSAH – Pavarësisht shterpësisë së sulmuesve në ndeshjet e fundit, ganezi i repartit të avancuar të Skënderbeut ka dalë garant për kthesën në ndeshjen e radhës. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” sulmuesi Alfred Mensah është shprehur se mungesa e golit normalisht që ndikon në aspektin psikologjik të çdo lojtari. Por, duke parë volumin e lojës në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos, është i bindur se çdo gjë do të zgjidhet shpejt.
“Problemi i golave të shënuar është një shqetësim për të gjithë ekipin, jo vetëm për ne sulmuesit. Gjë që është parë edhe në ndeshjet e fundit te të cilat kemi humbur pa shënuar asnjëherë në portën e kundërshtarit. Pas ndeshjes me Kastriotin, ku nuk bëmë paraqitje të mirë, u kthyem në një lojë të mirë me Dinamon, por fati nuk ishte në anën tonë. Gjithsesi, jam i bindur se nëse tregojmë atë futboll që bëmë në ndeshjen e fundit, jemi në rrugën e duhur. Për sa i përket golave të sulmuesve, ne kemi element cilësorë në ekip dhe jam i sigurt se shumë shpejt do të zhbllokohemi dhe do ta kalojmë këtë ngërç”, mbylli prononcimin e tij, Alfred Mensah.
