Futboll Kategoria Superiore Sport

U DËNUA NGA DISIPLINA/ Kukësi pa kapitenin në dy sfidat e radhës, Longon e shqetëson fantazisti

Kukësi ka lënë pas momentet e vështira dhe i është rikthyer normalitetit ditën e djeshme, teksa me skuadrën u është bashkuar përgatitjeve vetë Diego Longo. Italiani është përshëndetur sërish me ekipin, pas largimit nga Shqipëria pak ditë më parë për shkak të pushimeve dhe krisjes që pati me klubin.

Me sa duket, rikthimin e tij në fushë mezi e ka pritur edhe vetë italiani, i cili ka përzgjedhur një foto nga seanca e djeshme stërvitore për të shprehur kënaqësinë e tij. “Sërish në fushë”, shkruante Longo, i cili, me sa duket, atë që ndodhi pas humbjes me Teutën e konsideron si një histori të mbyllur.

SHQETËSIMI

Për dy javët në vazhdim Longo është i detyruar të bëjë pa kapitenin Gjelbrim Taipi, për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Teutës dhe dënimit me dy ndeshje nga Komisioni i Disiplinës. Nga ana tjetër, shqetësime ka shfaqur edhe fantazisti serb, Luka Milunoviç, i cili nuk ka qenë i pranishëm në stërvitje. Burime në klub tregojnë se nuk bëhet fjalë për një dëmtim serioz, por gjithsesi gjendja e tij do të shihet më konkretisht në ditët në vijim.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për problemet në mesin e fushës, duket shqetësimi më i vogël për Longon, pasi alternativat nuk i mungojnë dhe ka mundësi për të zëvendësuar lojtarët. Në rastin e kapitenit Taipi, zgjidhja është brenda shtëpisë, pasi atë rol e mbulon mjaft mirë edhe vëllai i tij, Shqiprimi. Gjithsesi, deri në ndeshjen me Partizanin ka ende kohë edhe për të parë kontigjentin e lojtarëve që do të ketë në dispozicion.

SITUATA

Javën e kaluar Kukësi pësoi edhe humbjen e parë në kampionat ndaj Teutës, duke lënë kështu edhe kreun. Gjithsesi, përpos këtij fakti, në skuadër nuk mungon optimizmi se do të bëjnë menjëherë kthesën në ndeshjet në vazhdim. Sfida e radhës është ndaj Partizanit në kampionat, por më herët verilindorët kanë për të luajtur edhe përballjen e kthimit për Kupën e Shqipërisë ndaj Maliqit më 14 tetor, ku ndeshjen e parë e kanë mbyllur në barazim pa gola.

Siç dihet, Kupa është një objektiv real i tyre, ndaj do t’i bëhet hyzmeti i duhur për të mos pasur ndonjë surprizë të pakëndshme, për më tepër që në këtë tur të kompeticionit. Ndërkohë, sa u përket rikthimeve, Longo mund t’i kënaqet atij të qendërmbrojtësit Bruno Lulaj, i cili javën e kaluar mungoi për shkak kartonësh. Të paktën, në repartin e mbrojtjes që është edhe “thembra e Akilit”, do ta ketë kontigjentin të plotë.

Related posts

Roma në finale? Italianët: Mrekullia që vjen për pesë arsye

Sadik.Autor

VIDEO/ Lazio thellon rezultatin ndaj Chievos, dopietë e Savic

Q.Autor

Nderuan shqiptarët/ Ja kujt ia dedikon triumfin futbollisti i SKËNDERBEUT

Isa.Autor

Leave a Comment