Futboll Sport

ANALIZA/ Paparashikueshmëri dhe liri, tek Interi ndihet dora e Inzaghit

Interi i Simone Inzagit po ecën me ritmin e atij të Kontes: 28 pikë në 13 javë, kundrejt 30 pikëve të vjetshme, por me të njëjtin numër golash të realizuar: 32. Trajneri aktual duket se po e shfrytëzon trashëgiminë e lënë nga paraardhësi i tij për ta çuar një hap më tej dhe për të perfeksionuar mekanizmat, të paktën aq sa mund t’i perfeksionosh një skuadre që ka fituar Skudeton.

Me të njëjtin modul, por me ide të tjera, Inzagi i ka dhënë fytyrën e tij këtij Interi.

NDESHJA ME NAPOLIN
Konte priste, ndërsa Inzagi sulmon. Kjo u pa në ndeshjen me “Axurrët”, kur edhe pse mungonte De Vraji, zikaltrit nuk patën frikë të shtynin përpara duke e zgjatur skuadrën në 44.3 metra dhe duke zotëruar topin në pjesën më të madhe të kohës. 55.6% ishte kontrolli në pjesën e parë, ndërkohë që në fund, kur duhet të mbronin rezultatin, përqindja shkoi në 44.5, përsëri shifër më e lartë se ajo e vitit të kaluar kur mbajtja e topit shkonte në vetëm 41%.

Po ashtu këtë vit milanezët rikuperojnë më shumë topa, 57 ndaj 38 të vitit të shkuar. Po në ndeshjen me napolitanët u duk edhe filozofia e Inzagit, me ekipin që gjeti 7 herë kuadratin (vjet me Napolin 3 herë) e krosoi më shumë në zonë (12 ndaj 5). Siç shihet, panorama është e qartë, Inzagi kërkon një skuadër më konstruktive dhe dominante, që tregon kurajë ndaj kujtdo, qofshin këta kryesuesit e Serisë A.

ÇALHA DUBLON BROZON
Pa Lukakun e Hakimin zikaltrit kanë ngelur pa pika referimi, por kanë fituar paparashikueshmëri. Tashmë me Çalhanoglunë në mesfushë që shoqëron Brozoviçin, Interi kërkon më shumë cilësi në mesfushë dhe jo më nga krahët si bënte Konte vitin e kaluar. Gjithsesi, Perisiç e Darmian me Inzagin kanë pësuar një rritje personale që po e tregojnë me agresivitet në korsitë përkatëse.

MË SHUMË LIRI
Konte e disiplinoi Interin me dorë të hekurt brenda dhe jashtë fushës. Nga ana e tij Simone nuk është më aq i rreptë në idetë taktike dhe u siguron lojtarëve më shumë liri mes linjave dhe më shumë veprime individuale. Nuk është rikrijim i Interit, por një lehtësim i dogmave kontiane që, edhe pse sollën Skudeton, ishin shumë pak frytdhënëse në Champions. Tashmë Inzagi kërkon të thyejë mallkimin 10-vjeçar dhe të kalojë fazën e grupeve, duke e quajtur më në fund Interin të tij.

Related posts

ZYRTARE/ Arsenal ndërpret kontratën me mbrojtësin Papastadopulos, ja arsyeja…

Delo.autor

JO VETËM SHKURTAJ/ Partizani do edhe një tjetër SUPER LOJTAR nga Luftëtari

Isa.Autor

SKANDALI NË BRAZIL/ Gabimi i VAR-it i heq skuadrës titullin kampion (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment