Futboll Ligue 1 Sport

NGA “DIVORCI” ME BARCELONËN TEK FAVORITI NË CHAMPIONS/ Messi rrëfen: Me Ronaldon shkruajtëm historinë

Premton se një ditë do të rikthehet në Barcelonë, vetëm pak muaj pasi i skadoi kontrata me katalanasit dhe u largua me parametër zero drejt PSG-së. Lionel Mesi, gjatë një interviste për gazetën “Marca” nga shtëpia e tij e re në Paris, diskuton ambientimin e tij në kryeqytetin francez, shanset që PSG-ja ka për të fituar Ligën e Kampioneve, por edhe zhvillimet në ish-klubin e tij dhe të qenit shok skuadre me Serxho Ramosin.

Ju keni fituar 8 herë “Këpucën e Artë” në Spanjë, një rekord në La Liga…
E vërteta është se është një çmenduri që kam fituar kaq shumë trofe. Dukej e pamundur që të arrija 6 “Këpucët” e Telmo Zarras dhe jo më ta kaloja atë. Është diçka spektakolare.

Ju duhet të largoheshit nga La Liga, por e thyet atë rekord dhe shumë të tjerë që ndoshta mund të mos thyen më kurrë, nuk mendoni kështu?
Sot, duke qenë në Paris, unë nuk i jap vlerën e vërtetë që ka. Kemi ndeshje çdo tri ditë dhe ti nuk ke shumë kohë për të menduar për këtë. Ti përqendrohesh te ndeshja e radhës dhe arritja e objektivave që i kemi vendosur vetes. Kur të tërhiqem, kur të nis të shoh të gjitha rekordet që kam pasur mjaftueshëm fat për të arritur, atëherë do t’i jap vlerën që ka me të vërtetë. Duke e kthyer kokën pas do të jetë diçka e jashtëzakonshme.

Dhe këtu në Paris ju jeni ambientuar tashmë, me një shtëpi dhe çështjen e shkollës së fëmijëve të zgjidhur. Ju shohim që dilni me Antonelën për darka.
Tani jam shumë mirë. Jam plotësisht i ambientuar që kur hymë në shtëpinë tonë të re dhe fëmijët nisën shkollën dhe rutinën e përditshme. Na u desh të bënim edhe shumë udhëtime në Argjentinë për kualifikueset, të cilat na penguan që të kishim vazhdimësinë e ndeshjeve këtu, por jam ambientuar mirë.

Si po e përballojnë fëmijët? Kanë nisur të mësojnë frëngjisht?
Ishte shumë më e thjesht sesa e kishim imagjinuar në fillim. Ne mendonim se do të ishte shumë më e vështirë për ta. Por në fund, ishin ata që u përshtatën më lehtë dhe më shpejt. Ata po shkojnë në shkollë dhe sigurisht që do ta mësojnë frëngjishten shumë shpejt, sepse kur vjen puna te të mësuarit, fëmijët fluturojnë. E gjithë kjo na ka qetësuar, si Antonelën ashtu edhe mua.

Me ju, Mbapenë dhe Nejmarin, por edhe të tjerët, a është e mundur që të mendoni se PSG-ja nuk është favoritja e madhe për të fituar Ligën e Kampioneve?
Të gjithë thonë se ne jemi favoritët e mëdhenj dhe unë nuk e mohoj këtë. Ne jemi një nga kandidatët në letër, por duhet të përmirësohemi ende për t’u bërë vërtetë një skuadër e fortë. Duhet të përfundojmë konsolidimin si skuadër dhe kemi avantazhin e të pasurit lojtarë të shkëlqyer për ta bërë këtë. Por, nuk jemi vetëm ne, ka ekipe të tjera të shkëlqyera kandidate.

Liga e Kampioneve është një kompeticion shumë i vështirë dhe kjo e bën kaq të bukur dhe special. Skuadrat më të mira luajnë këtu dhe ajo po bëhet gjithnjë e më e vështirë si turne. Po, jemi mes favoritëve, por jo të vetmit.

Cila skuadër mendoni se është kandidate për të fituar Ligën e Kampioneve?
Tani, Liverpuli është duke luajtur shumë mirë. Ata duken sërish si Liverpuli që fitoi Champions-in. Pastaj janë Mançester Siti, Bajerni i Mynihut, Reali dhe Atletiko e Madridit. Ka shumë ekipe që mund të luftojnë për Champions-in, që është një prej kompeticioneve më të ekuilibruara dhe rivalizuara këto vitet e fundit, sepse ka shumë skuadra që mund ta fitojnë.

Mendoni se ekipet spanjolle kanë ndonjë shans?
Reali i Madridit është gjithnjë konkurrues. E njëjta gjë vlen për Atletikon dhe këto të dyja do të jenë atje duke luftuar. Janë dy kundërshtarë shumë të vështirë në ndeshjet me eliminim direkt. Të dyja e njohin shumë mirë turneun dhe se si ta luajnë atë, prandaj janë padyshim dy prej favoriteve. Barcelona është duke kaluar një fazë rindërtimi me një skuadër ku gjenden kaq shumë lojtarë të rinj.

Sot unë mendoj se ka skuadra më të mira sesa Barcelona, por pavarësisht se ata japin këtë përshtypje në këto momente, kjo nuk do të thotë se në fazat e mëvonshme nuk do të jenë në gjendje që të luftojnë, sepse duhet të marrim parasysh ardhjen e Ksavit, entuziazmin e rinovuar dhe fuqinë për të rikuperuar disa lojtarë që tani nuk i kanë. Ata mund të vazhdojnë të përmirësohen dhe luftojnë.

Sevilja tani është në një situatë të vështirë në grupin e saj, por janë një skuadër konkurruese. Të gjitha skuadrat spanjolle janë të tilla dhe e kanë treguar gjatë viteve të fundit në Europë, si në Champions ashtu edhe në Ligën e Europës. Ato janë gjithnjë atje.

Çfarë mendoni për paraqitjet e Kristianos?
Mançester Junajtid është një skuadër shumë e fortë, me lojtarë të shkëlqyer. Kristiano e njihte klubin, por kjo ishte në një tjetër fazë dhe tani ai është ambientuar në një mënyrë të shkëlqyer. Që prej fillimit ka shënuar gola si gjithnjë dhe nuk ka pasur probleme me adaptimin. Në Premier Ligë, Junajtid nuk po shkon aq mirë sa ne të gjithë mendonim, por kampionati anglez është një kompeticion shumë i vështirë dhe i ekuilibruar. Pas dhjetorit mund të ndryshojnë shumë gjëra dhe gjithçka mund të ndodhë.

Na thoni të vërtetën, nuk ju mungojnë duelet direkte me Ronaldon?
Ka kaluar një kohë e gjatë që kur ne nuk luajmë më në të njëjtin kampionat. Kemi konkurruar individualisht dhe si skuadër për të njëjtat objektiva. Ishte një periudhë shumë e bukur për ne, por edhe për tifozët, sepse ata e shijuan shumë. Është një kujtim i bukur që do të mbesë në historinë e futbollit.

Nejmar, Kristiano, Mesi… përse La Liga po humbet superyje çdo sezon dhe çfarë duhet bërë për të tërhequr kampionë të rinj?
Shpresojmë që të mund të afrojmë lojtarë të shkëlqyer siç ka qenë në dekadën e fundit, 15 vitet e fundit apo historikisht. Ka qenë gjithnjë një prej kampionateve më të forta në botë dhe shpresoj që të bëhet sërish. Është e vërtetë që shumë yje u larguan për shkaqe të ndryshme. Por unë jam i sigurt se në të ardhmen La Liga mund të bëhet po aq e fortë sa gjithnjë.

Duke folur për yjet, e shikoni Mbapenë te Reali sezonin e ardhshëm?
E vërteta është se nuk e di. Vetëm ai e di çfarë ka në kokë dhe çfarë do të bëjë. Unë mund vetëm të them që jam i gëzuar që ai qëndroi këtu edhe këtë vit. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne që të luftojmë për objektivat që kemi. Është plotësisht i përqendruar në synimet tona. Dhe pastaj do të vendosë pasi të përfundojë sezoni.

A flet ai mirë spanjisht?
Flet në mënyrë perfekte. Por ai flet mirë shumë gjuhë: spanjisht, anglisht dhe sigurisht frëngjisht.

Si duket atmosfera në dhomën e zhveshjes? Thuhet se kaq shumë liderë nuk mund të bashkëjetojnë.
Unë isha me fat që erdha në një ambient me shumë lojtarë dhe njerëz të mirë. Kjo është gjëja më e rëndësishme. U përshtata shumë shpejt. Është e vërtetë që në fillim ishte shumë e çuditshme. Nga njëra anë, ekziston vështirësia e zhvendosjes në një vend të ri pas kaq shumë vitesh në të njëjtin vend. Por nga ana tjetër ishte shumë e thjeshtë, sepse unë njihja shumë lojtarë dhe atje flitet shumë spanjisht. Është një skuadër shumë e bashkuar. Kjo duket që nga jashtë, por është diçka që unë e konfirmova edhe nga brenda.

Si ndiheni që keni Serxho Ramosin në të njëjtën dhomë zhveshjeje pas gjithçkaje që keni përjetuar në Spanjë si rivalë?
Tani asnjë lloj emocioni, por në fillim ishte e çuditshme pas gjithë atyre viteve që ishim rivalë, duke qenë dy kapitenët e Barcelonës dhe Realit dhe shumë klasikeve të luajtura dhe kaq shumë zënkave në fushë. Por, të gjitha këto i takojnë së shkuarës dhe ne e kemi respektuar gjithnjë njëri-tjetrin.

Çfarë mund t’i japë Ksavi Barcelonës?
Mund të ndihmojë shumë. Ai është një trajner që di shumë, e njeh ambientin në mënyrë perfekte dhe ka jetuar në Barcelonë që fëmijë. I ka rikthyer shpresën Barçës, sepse është një figurë shumë e respektuar mes tifozëve dhe lojtarëve. Do të jetë një trajner shumë i rëndësishëm për lojtarët e rinj, sepse do t’i mësojë ata. Me të, skuadra do të rritet shumë, nuk kam dyshim.

Ksavi tha që ju i dërguat një mesazh ngacmues kur firmosi…
Flas shpesh me Ksavin. Jemi shokë dhe kemi ndarë kaq shumë gjëra bashkë. Dhe kur ai u largua i ruajtëm kontaktet. Nuk më kujtohet se çfarë i kam shkruar në mesazh, e urova për hapin e radhës dhe i urova suksese.

Mendoni se Barcelona e trajtoi në mënyrë të padrejtë Kumanin. Mendoni se kishte trajneri përgjegjësi për situatën e skuadrës?
Për trajnerët është gjithnjë e padrejtë. Ishte e padrejtë për Kumanin, për Valverden. Kur rezultatet janë të dobëta, gjëja më e lehtë është të shënjestrosh trajnerin, për të zëvendësuar atë dhe jo lojtarët. Kuman erdhi në një moment shumë të vështirë të klubit, në të cilin u larguan lojtarë, por ai arriti të sjellë shumë talente të rinj.

Për largimin tuaj nga klubi u tha se nuk kishte para për shkak të “Fair Play-t Financiar”. Duke kthyer kokën pas, mendoni se ka ndonjë arsye tjetër sesa ato që tha presidenti Laporta?
Nuk e di, por mbaroi. Unë u largova dhe ka kaluar kohë. Ajo që më thanë është se nuk mund të ma rinovonin kontratën. Nuk duhet parë për më shumë arsye për atë që ndodhi. Unë do t’i qëndroj asaj që ata më thanë dhe kaq.

Laporta tha pak ditë më parë se ai beson se ti dhe Iniesta mund të riktheheni në Barcelonë. Mund ta bëni këtë ëndërr realitet?
Si futbollist?

Nuk e specifikoi, edhe pse më vonë tha gjatë një interviste se nuk do të ishte si futbollist.
Unë e kam thënë gjithnjë se në një moment do të rikthehem, sepse Barcelona është shtëpia ime dhe unë do të jetoj atje. Dhe sigurisht që mund të kontribuoj dhe ndihmoj klubin që dua të rikthehet.

Related posts

“NË FIJE TË PERIT”/ “Me shpatulla pas murit”. Mediat kryqëzojnë Simone Inzaghi-n (FOTO)

F.autor

Zyrtari i federatës: Vllaznia skuadër pa grintë, e kishte parapërgatitur rënien nga kategoria

Sadik.Autor

Mjeku specialist lëshon ‘bombën’ për vdekjen e futbollistit: Ndodh 1 në 100 mijë raste

Q.Autor

Leave a Comment