Futboll Kategoria Superiore Sport

NOTAT E JAVËS NË SUPERIORE / Më të vlerësuarit janë rivalët e Tiranës, “bardheblutë” ngelës

Ndeshjet që mbyllën fazën në Kategorinë Superiore kanë rihapur praktikisht luftën në çdo front. Skuadrat që luajnë për mesin e tabelës janë ngjeshur, ashtu si edhe është ndalur arratia e Tiranës në kryesim. Në vijim janë notat e “PANORAMA SPORT” për çdo skuadër në bazë të paraqitjeve të javës së fundit:

KUKËSI 8 – Verilindorët kanë marrë një fitore bindëse ndaj Tiranës, duke treguar forcat ndaj një rivali direkt për titull. Për Kukësin është thënë shpesh se ka cilësi dhe zhvillon lojëra të mira, por nuk shmang dot luhatjet. Me trepikëshin ndaj kryesuesve, verilindorët arritën që të bënin edhe autokritikën e eliminimit nga Kupa.

VLLAZNIA 7 – Pas tri rezultateve jo bindëse, u desh të vinte dueli me Kastriotin që Vllaznia të kthehej te fitorja. Forma jo e mirë e shkodranëve ka ndukur edhe në humbjen e interesit nga tifozët shkodranë. Pozitiv në këtë ndeshje ishte rikthimi me dy gola i sulmuesit Ardit Hoxhaj, ndërsa mbrojtja vijon “të fusë ujë”.

EGNATIA 6 – Rrogozhinasit e trajnerit Gugash Magani sërish kanë vërtetuar se nuk janë ngjitur në Superiore për të qenë kalimtarë. Egnatia ka marrë një pikë në transfertë ndaj Dinamos, por nga ajo që dhanë skuadrat në fushë, fare mirë mund të thuhet se rrogozhinasit lanë dy pikë, ku peshon edhe penalltia e humbur nga Pedro.

SKËNDERBEU 6 – Korçarët kanë marrë një pikë të vyer në transfertë ndaj kampionëve në fuqi, por Skënderbeu ndihet i ndëshkuar nga gjykimi, pasi iu mohua një penallti. Ndonëse pozicionohen në zonën e ftohtë, pika me Teutën shikohet si shenjë shpresë për bardhekuqtë.

LAÇI 5.5 – Pas tri fitoreve radhazi kurbinasit nuk kanë shkuar më shumë se një pikë në transfertë ndaj Partizanit. Laçi i trajnerit Mirel Josa po vjen në ngjitje, por ende ka shumë për të bërë, pasi brenda një 90- minutëshi ekipi tregon disbalancim dhe luhatje në lojë.

PARTIZANI 5 – Skuadra e trajnerit Ilir Daja e mbylli fazën e parë me një bilanc negativ, një pikë për ndeshje. Kurrë nuk kishte ndodhur në epokën “Demi” që të kuqtë të kishin 9 pikë në 9 ndeshjet e para. Partizani vijon të mbetet një ekip amorf dhe pa busull në fushë.

DINAMO 5 – Skuadra dinamovite vijon të mos përligjë investimin dhe pritshmëritë. Ekipi është krijuar nga e para dhe pas përfundimit të fazës së parë i bie që të ketë mbaruar edhe faza e përshtatjes për të besuarit e trajnerit Bledi Shkëmbi. Superiorja po rezulton e vështirë për Dinamon, ndonëse ekipi ka cilësi në përbërje.

TEUTA 5 – Skuadra durrsake nuk është ajo e sezonit të titullit, ku mangësitë në fazën mbrojtëse kanë bërë që Teuta të vërë pikëpyetje mbi mbrojtjen e kurorës. Arritën ta përmbysnin provizorisht Skënderbeun, por në fund u kënaqën me një pikë. Durrsakëve u duhet që të përmirësohen në fazën mbrojtëse dhe në finalizimin e aksioneve.

KASTRIOTI 4 – Krutanët janë dorëzuar pa kushte në transfertë ndaj Vllaznisë, ku u mundën në shifrat 3-1. Trajneri Ndreu u tregua i qartë pas ndeshjes: shpresat e mbijetesës i ka te janari, kur pret 2-3 përforcime, pasi lojtarë të veçantë i shikon si hije në fushë.

TIRANA 4 – Bardheblutë janë dorëzuar më në fund. Tirana ka shijuar humbjen e parë në kampionat, por të besuarit e trajnerit Orges Shehi vijojnë të jenë në krye. Pa dyshim në këtë disfatë të parë ndikoi lodhja në Kupë, por edhe mungesat që patën për sfidën ndaj verilindorëve.

Related posts

Sukaj vë në presion Ernest Gjokën, zbulohet gjithçka pas dëmtimit…

Sadik.Autor

Presidenti i Napolit/ Ju tregoj pse nuk e bleva Ronaldon, Juventusi rrezikoi me një…

Sadik.Autor

PËRBALLJA ME ANGLINË/ “Dardanët” bëjnë atmosferë rrugëve të Londrës (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment