Futboll La Liga Sport

NGA “GALAKTIKU” MBAPPE TEK ÇËSHTJA RAMOS/ Ja 10 ekuacionet që Reali duhet t’i zgjidhë në 2020

Fitorja kundër Getafes në ndeshjen e parë të vitit e ndihmoi Realin e Madridit që t’i bashkohej sërish kreut me Barcelonën. Në shtëpinë madrilene viti 2020 është shumë i rëndësishëm për të zgjidhur disa ekuacione. Gazeta “Marca” rendit 10 temat më të nxehta të këtij viti.

REAL MADRID

ZIDAN – Ai e di më mirë se kushdo që e ardhmja e tij varet nga rezultatet. I pati ato në aventurën e parë, ndërsa tani do ta fitojë vazhdimësinë vetëm duke sjellë trofe të rëndësishëm. Superkupa, e cila do të luhet pas një jave, nuk e shpëton sepse tifozët në “Bernabeu” duan patjetër Ligën e Kampioneve ose La Ligën. Francezi ka besimin maksimal të presidentit Perez, por ky i fundit e di mirë që duhen patjetër trofe.

 SERXHO RAMOS – Lideri i padiskutueshëm i skuadrës. Kapiteni madrilen do të festojë 34-vjetorin e lindjes në mars dhe rinovimi është mbi tavolinë. Kontrata e tij është deri në vitin 2021, por politika e Realit është për të mos rinovuar më shumë se një vit për futbollistët mbi 32- vjeçarë. A do të presë Ramos këtë gjë apo Reali do ta përmbysë politikën për një nga legjendat e tij?

LUKA MODRIÇ – Kroati është 34 vjeç dhe situata e kontratës është e njëjtë me mikun e tij Serxho. Ka kontratë deri në vitin 2021, por këtë sezon ka humbur vendin e titullarit në sfidat më të rëndësishme. Ai nuk ndihet komod dhe sigurisht që në merkaton e verës do ta rishikojë pozicionin e tij. Interi këmbënguli në vitin e kaluar, por ai nuk u largua. Në ndeshjen e parë të vitit tregoi se është i vlefshëm.

ODEGARD – Duket shumë e vështirë që norvegjezi të jetë pjesë e Realit të Madridit edhe në sezonin e ardhshëm, por nuk mund të flasim me siguri. Martin Odegard ka bërë një sezon të mirë deri tani dhe po fiton pikë në zyrat e “Bernabeut”, por ende nuk ka një vendim përfundimtar.

VINICIUS XHUNIOR – Pjesa e parë e sezonit nuk ishte aspak e mirë për brazilianin, i cili nuk po arrin ta bindë Zidanin. Rodrigo e ka parakaluar me minuta dhe Vinicius kërkon që të rikthehet sërish protagonist në këtë pjesë të dytë.

 HAZARD – Ky do të jetë ekuacioni më i vështirë dhe më kurioz për t’u zgjidhur. Kur dhe si do të rikthehet nga dëmtimi Eden Hazard, i cili u ndal në 26 nëntorin e vitit 2019? Klubi nuk e njofton ende datën e rikthimit të tij dhe në stërvitje ai shfaqet vetëm në palestër. Një tjetër e panjohur është rikthimi i Asensios. Dihet me siguri që do të luajë në vitin 2020, por nuk dihet ekzaktësisht data e tij.

HAMES RODRIGEZ – Kolumbiani më në fund është rikuperuar nga dëmtimi, por me momentin që po kalojnë mesfushorët e Realit të Madridit, do ta ketë shumë të vështirë që të luajë. U rikthye me bujë në verë dhe kontrata e tij përfundon në vitin 2021. Nuk duket se Reali ka në plan që t’i ofrojë rinovimin, por as nuk do ta humbasë me parametra zero.

JOVIÇ DHE GOLAT – Si do ta zgjidhë Reali i Madridit problemin e golit? Me Benzemanë në formë gjithçka është e lehtë, por francezi nuk mund të zgjidhë çdo ndeshje. Serbi Luka Joviç kushtoi 70 milionë euro dhe ai ka shënuar vetëm një gol. Shtyllat dhe VAR-i kanë qenë armiku i tij, por edhe forma që ka treguar deri tani nuk ka bindur.

MBAPE – Me kontratën deri në vitin 2022, ky mendohet se do të jetë viti i duhur për të transferuar Mbapenë. Francezi është objektivi kryesor i presidentit Florentino Perez, por PSG-ja për momentin dëshiron që t’ia rinovojë kontratën. Zidan e ka vlerësuar gjithmonë si një nga lojtarët më të mirë në qarkullim.

POGBA – Pol Pogba është fiksimi i trajnerit Zidan. Francezi dëshiron që të punojë me bashkëkombësin e tij dhe në vitin 2020 do të bëjë përpjekjet për të bindur Mançester Junajtidin. Opsionet janë dy: tani në janar ose në merkaton e verës.

Related posts

SYNOI PORTËN/ Futbollisti “BOMBARDOI” tifozen me goditjen BRUTALE (VIDEO)

Isa.Autor

PREMTON SE DO VJEDHË SHFAQJEN/ Florian Marku zbulon kundërshtarin e radhës, ja data e duelit

Delo.autor

VIDEO/ Nga Dinamo Zagreb te Sportingu i Lisbonës, ja katër ndeshjet që fundosën Skënderbeun

Sadik.Autor

Leave a Comment