Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ TIRANËS/ Bajrami: Përballë “Bardhebluve” duhet të bëjmë një ndeshje të madhe për…

Melos Bajrami përtej gjithçkaje ishte heroi i Skënderbeut në transfertën e vështirë përballë kampionëve të Teutës. Mbrojtësi 20-vjeçar i Skënderbeut arriti të realizonte me kokë golin e barazimit pas vetëm 20 sekondash i futur në lojë dhe në topin e parë të prekur. Një histori mjaft e veçantë për talentin kosovar.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Bajrami ka treguar rreth eksperiencës së veçantë dhe satisfaksionit të marrë nga ky gol në një moment delikat të ndeshjes. Bajrami tregon se ekipi e kishte përgatitur mirë takimin dhe kishte udhëtuar drejt transfertës me Teutën me qëllimin e vetëm për të marrë maksimumin, ndaj edhe për këtë, por edhe për të tjera rrethana ky gol është tejet i rëndësishëm.

“Ishte një ndeshje që ne e kishim përgatitur mjaft mirë përgjatë gjithë javës dhe ishim tejet të motivuar për të dhënë maksimumin e mundshëm. Rezultatet e javëve të kaluara na jepnin një stimul besimi dhe kërkonim me çdo kusht të merrnim më të mirën. Në një ndeshje tejet delikate dhe të vështirë ishim nisur vetëm për fitore, por futbolli prandaj është i bukur, pasi i ka të tria rezultatet dhe është gjithnjë i paparashikueshëm. Këtë e tregon edhe mënyra se si shkoi ndeshja me avantazh dhe përmbysje rezultati. Ka qenë një nga ato takime ku edhe fitoren mund ta kemi merituar, por në fund dolëm me vetëm një pikë që në raport me ndeshjen besoj se është një pikë me vlera për ne.

Duke parë se si shkoi ndeshja, meritonim edhe më shumë, këtë e them me bindje. Në momentin kur hyra në fushë, situata në stol ishte disi e tensionuar, pasi kërkonim të drejtën tonë që na ishte mohuar. Trajneri më tha që t’u transmetoja shokëve të vijonim me të njëjtën intensitet dhe grintë lojën, të lëviznim sa më shpejt topin për të krijuar hapësira, me besimin e plotë se ne pa pikë nga ky takim nuk do të dilnim”, theksoi fillimisht mbrojtësi i Skënderbeut, Melos Bajrami.

GOLI – I ndalur më pas te goli i parë zyrtar me Skënderbeun, Bajrami përshkruan emocionet e këtij goli që për të do të mbetet gjatë në kujtesë. “Goli erdhi si një dritë në mes të natës. Ishte një moment jo fort i mirë për ne pas shumë pretendimesh dhe mohimit të një penalltie që do të mund të ndryshonte gjithë rrjedhën e lojës. Unë sapo hyra dhe pas 20 sekondash në kontaktin e parë me topin arrita të shënoja. Një emocion dhe gëzim i pamat pasi veç momentit të vështirë që ishte skuadra në ato çaste përkon edhe me golin tim të parë në këtë ekip. Është diçka e pakrahasueshme. Falënderoj edhe trajnerin për fjalët e mira që ka shprehur pas ndeshjes, pasi për mua janë një shtysë më shumë për të ecur përpara”, vijoi Bajrami.

ECURIA – Pas një pike të rëndësishme me Teutën, tani vjen një tjetër takim i vështirë me kryesuesit e Tiranës. Por për Bajramin, Skënderbeu duhet të niset nga motivimi i ndeshjeve të fundit për të dhënë dhe treguar më të mirën në fushën e lojës, pa hedhur sytë nga klasifikimi. “Ne jemi një ekip që mund të përballemi si të barabartë me cilëndo skuadër që kemi në këtë kampionat. Një gjë të tillë e them me bindje të plotë. Ndaj, edhe për këtë përballë Tiranës duhet të bëjmë një tjetër ndeshje të madhe për të treguar se jemi të aftë të shkojmë përtej pozicionit që kemi në renditje. Duhet të vijojmë të marrim më të mirën tonë ndeshje pas ndeshjeje dhe të japim gjithçka në fushë për të arritur objektivat. Tirana është një ekip tejet cilësor, por jam i mendimit se i kemi mundësitë të kërkojmë maksimumin edhe këtë takim pasi vijmë nga një moment i mirë dhe aspektin psikologjik duhet ta shfrytëzojmë në favorin tonë”, përfundoi prononcimin e tij mbrojtësi kosovar i Skënderbeut, Melos Bajrami.

Related posts

DERBI LIVERPOOL-EVERTON/ Shikoni veprimin e tifozëve në “Anfield” që po bëhet virale (FOTO)

Delo.autor

Xherdan Shaqiri lider i Stoke Cityt, “Sky Sport” e zgjedh si më të mirin

Q.Autor

LIVE/ Ka nisur takimi në “Olimpico”: Roma dhe Milani në kërkim të fitores

Q.Autor

Leave a Comment