Futboll Premier League Sport

SOLSKJAER DREJT SHKARKIMIT/ Shkrihen akujt, CR7 bind Zidane për stolin e Manchester United

Zinedin Zidan ka nisur të shkrijë akujt dhe të “ngrohet” për idenë e marrjes së drejtimit të Mançester Junajtidit. Emri i ish-teknikut të Realit të Madridit është përfolur si një nga kandidatët për të zëvendësuar Ole Gunar Solskjaerin në “Old Trafford” në rast shkarkimi.

Por deri tani ai nuk kishte qenë shumë entuziast, duke preferuar më shumë një telefonatë nga kombëtarja e Francës. Zidan, i cili fitoi Botërorin “Francë 1998” si kapiten i “Gjelave”, konsiderohet kandidati favorit për të zëvendësuar Didie Deshampin në stolin e kombëtares në momentin që ai do të largohet.

Por sipas “Record Sport”, Mançester Junajtid ka bërë progres me përpjekjet për të tunduar Zizunë në “Teatrin e Ëndrrave”.

49-vjeçari, pa punë që prej muajit maj pas largimit për herë të dytë nga “Bernabeu”, ka nisur të joshet nga ideja se në Mançester do të gjente dy ish-kampionë të tij në Madrid, Kristiano Ronaldon dhe Rafael Varanin. Gjatë dy periudhave të tij në stolin e madrilenëve, ai fitoi 3 herë radhazi Ligën e Kampioneve, dy tituj La Lige dhe dy Botërorë Klubesh.

“Djajtë” kanë përdorur vetë yllin portugez për ta bindur trajnerin që të pranojë një ofertë të mundshme në të ardhmen dhe me sa duket, negociatat e CR7-ës kanë dhënë rezultat.

Gjithsesi, mediat angleze janë të sigurta se kandidati i parë i preferuar për të pasur norvegjezin është trajneri aktual i Lestërit, Brendën Roxhers. Vetëm në rast se irlandezoveriori nuk do të pranojë që të ndërpresë kontratën e tij me “Dhelprat”, do të shihen alternativat e tjera.

Një ndër to është edhe ajo e trajnerit të Ajaksit, Erik ten Hag, i cili ka edhe mbështetjen e ishmbrojtësit Rio Ferdinand:

“Çdo trajner në një klub të ri, dëshiron që t’u tregojë njerëzve menjëherë përse është aty. Unë përdor Konten si një pikë të mirë reference për këtë. Sa herë ai shkon në një klub të ri, nuk ka diskutime me të dhe ai u thotë: ‘Kjo është situata, ky jam unë. Nëse nuk jeni me mua, atëherë mund të largoheni’.

Mendoj se ky është mentaliteti që i ndan trajnerët e mirë nga më të mirët. Duhet të jesh në gjendje që të komandosh një dhomë zhveshjeje të mbushur me ego, personalitete dhe karaktere të forta. Tani unë nuk e njoh Ten Hagun personalisht, por ai është duke bërë një punë të shkëlqyer tek Ajaksi.

Mos harrojmë se Ajaksi nuk është një klub i vogël. Ata janë më të mëdhenjtë në Holandë. Por unë mendoj se ai i ka bazat për të menaxhuar një klub të madh”.

Related posts

PSG-ANGERS/ Icardi shënon golin e parë në kampionatin francez (VIDEO)

Delo.autor

CHAMPIONS LEAGUE/ Pse Papa Francesku bën tifo për Realin sonte…

Sadik.Autor

Barcelona uron Realin pas triumfit në finale të Ligës së Kampioneve, ja mesazhi i katalanasve…

Sadik.Autor

Leave a Comment