Futboll Sport

ANALIZA E KATEGORISË SË PARË/ Javë kontestimesh dhe akuzash, por Bylisi dhe Erzeni marshojnë

Sa shumë kontestime dhe akuza për javën e 13-të. Kur po afron fundi i fazës së parë, protagonizmi kalon përtej fushës. Në Luz dhe Cërrik nuk kanë munguar akuzat për gjykimin, ndërsa në Lushnjë ishte trajneri ai që mori vëmendje.

Ndeshjet e luajtura mes së martës dhe së mërkurës kanë prodhuar 18 gola dhe shumë histori. E megjithatë, vetëm një gjë nuk ndryshon: ecuria e pretendentëve për elitën. Bylisi dhe Erzeni po marshojnë të sigurta drejt objektivave madhore, ndërsa që të gjitha skuadrat e tjera kanë një lloj pasigurie edhe për mbijetesën. U luajt në terren të vështirë, por loja e bukur dhe luftarake nuk mungoi.

Erzeni mundi Besën, me një gol që hapi shumë polemika. Nëse anësori Xhulio Rroshi ngriti flamurin për të treguar se kishte pozicion jashtë ose ndonjë faull, kryesori Klodian Prenga as që ia hodhi sytë dhe sinjalizoi rrjetë. Shfryu trajneri Bubeqi direkt pas ndeshjes, por më së shumti shpërtheu kapiteni Muçaj në rrjetet sociale: “E kemi kyçur gojën duke mos u barazuar me këta palaço e ordinerë, por u bën shumë episode ndaj nesh! Është turp se si vijnë na vjedhin, tallen e ikin duke buzëqeshur. Kështu nuk ecën futbolli! Anësori jep ‘offside’ e kryesori gol. Ose ne jemi çmend, ose gjërat paravendosen. Turp, turp, turp”. Bylisi ka hedhur pas krahëve ndalesën në Pukë dhe është kthyer bindshëm.

Plot tre gola në portën e Tomorit, për të konfirmuar se janë ata që komandojnë. Beratasit vazhdojnë me luhatjet e tyre, duke qenë dukshëm larg synimeve të fillimsezonit. Ia doli edhe Besëlidhja. Përmbysi Butrintin dhe i jep shpresa vetes për t’u larguar nga zona e ftohtë në fund të 2021-shit. Edhe pse Nurja u dha avantazhin miqve, menduan Gjikolaj dhe Danaj për kthesën. Çudia ndodhi në “Gjorgji Kyçyku”, ku luhej derbi i juglindjes. Maliqi që kishte 11 javë pa fitore, mundi 2-3 Pogradecin. Një ndeshje me gola, shtylla dhe një mori me kartonë, që largoi nga fundi maliqarët.

Arjdan Abazaj nuk e kurseu mbrojtjen pas ndeshjes, duke kujtuar se kishte harruar edhe detyrat. Vendin e 16-të e mori Turbina, pasi barazoi në shtëpi me Tërbunin. Këta të fundit shpëtuan nga humbja 5 minuta para fundit, por ankohen për një penallti që iu dha vendësve. Edhe pse Hasaj gaboi në goditje, ishte Ahmetaj që nuk hoqi dorë dhe shënoi. Burrelit i mjaftuan 33 sekonda për të likuiduar Apoloninë dhe “heroi” ishte ai, Farruku. Bëri golin më të shpejtë të javës. Lushnja nuk mund dot as Vorën, që mbeti me një lojtar më pak. Kjo e detyroi Ilir Gjylën që të shpërthente si di vetëm ai, duke i quajtur hapur lojtarët “injorantë”. Në Peshkopi u mbyll kjo “xhiro”, atje ku Korabi mposhti Shkumbinin pa trajner. Vilson Mziu i nderoi dibranët në të  86-ën, duke i mbajtur në garë për ngjitjen.

Related posts

SFIDA ÇEREKFINALE ITALI-BELGJIKË/ UEFA cakton arbitrin që u arrestua në vitin 2020

Delo.autor

KRYEN TESTET MJEKSORE TEK KLUBI I RI/ Juventus zyrtarizon transfertën e radhës, ja emri i lojtarit (VIDEO)

Delo.autor

SHQIPËRI-KOSOVË/ Pas një kundërsulmi vrastar, Myrto Uzuni dyfishon shifrat (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment