Futboll Seria A Sport

“DZEKON E DOJA QË KUR U LARGUA LUKAKU”/ Inzaghi rrëfen eksperiencën “Zikaltër”: Ka nisur epoka e Interit tim

“Tani dëgjoj Inzagi këtu e Inzagi aty, por titulli si kampion dimri na shërben vetëm si pikënisje”. Ka qenë kjo nisja e intervistës së Simone Inzagit për “La Gazzetta dello Sport”, në përfundim të fazës së parë, ku si dhuratë për tifozët zikaltër ka bërë një rrëfim të detajuar rreth muajve të tij të parë tek Interi dhe idetë e tij mbi futbollin.

11 pikë të rikuperuara ndaj Milanit dhe 14 ndaj Napolit në 7 ndeshje. Na tregoni si e arritët.

Shikoni, unë i qetë kam qenë edhe në tetor kur ishim akoma larg kreut. Takoja tifozë në Milano që më thoshin se skuadra u pëlqente e që vinin në stadium me kënaqësi dhe ky për një trajner është komplimenti më i bukur. Kjo më ka dhënë një shtysë më tepër, si mua dhe stafit tim. Por, ju tregoj se ne besonim që nga korriku, nga dita e parë e stërvitjes. Tani që e shohin gjendjen, të gjithë thonë se jemi favoritë dhe jemi një tank, por unë e dija që atëherë se do të bënim mirë.

Dakord, por duket se fitorja me Napolin ka shtuar diçka më shumë. Çfarë veçanërisht?

Ka shtuar ndërgjegjësim. Ishte një ndeshje që duhej fituar dhe më ka pëlqyer edhe si e fituam. Ishte një Inter që po njihej akoma, por edhe nëse do të përfundonte 3-3, nuk do të mërzitesha, sepse nga ajo që po shikoja në stërvitje, rrugën e kishim të shtruar.

Cilit i trembeni më shumë, Milanit apo Napolit?

Të dy kanë ndryshuar shumë pak. Napoli nuk ka shitur asnjë lojtar të rëndësishëm, kurse Milani ka ditur t’i zëvendësojë mirë, por në garën për titull unë do të citoja edhe Atalantën e Juventusin. Bardhezinjtë janë me pas nga sa pritej, por po kthehen. Kanë fituar 6 nga 8 ndeshjet e fundit dhe janë nga ata kundërshtarë që duhen marrë gjithmonë në konsideratë.

Tani ju presin dy muaj shumë impenjativë…

Eh, si fillim do të çlodhemi pak se kemi nevojë, por tashmë përgatitësit ua kanë dërguar programin djemve për t’u paraqitur si duhet në 30 dhjetor.

Një mendim për Liverpulin apo akoma po e shqyrtoni?

Në mendjen time Liverpuli dhe Mançester Siti ishin skuadrat për t’u shmangur. Do të jetë shumë e vështirë, por edhe shumë e bukur. Skuadra të tilla kanë gjithmonë diçka më shumë. Të japin idenë se mund të përballesh me to, t’u shënosh, pastaj të ndëshkojnë menjëherë. Gjithsesi, unë dhe Interi im do të jemi gati.

Ju ka dhënë besim ndeshja me Realin në Madrid?

Ne ishim superiorë si në Milano, ashtu dhe në Madrid, por kundër të mëdhave shkon gjithmonë kështu, vështirësitë rriten…

Ajo që dëgjojmë shpesh është: “Inzagi na ka dhënë liri”. Na e shpjegoni dot këtë koncept në detaje?

Futbolli i sotëm është mbi të gjitha zotërim i hapësirave. Unë me liri kuptoj që lojtarët të vendosin dhe të zgjedhin vetë momentin. Kjo, edhe për faktin që nga pankina, tani që është kthyer edhe publiku nuk arrin të ndikosh më aq shumë. Mund të organizosh fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese, por për atë jemi kujdesur tashmë në detaje gjatë përgatitjeve. Pastaj vendimet duhet t’u përkasin lojtarëve, në tri sekonda duhet të kuptojnë dhe të reagojnë me përgjegjshmëri. Ndeshja është shuma e zgjedhjeve të bëra nga një skuadër, ato të duhurat formojnë një skuadër të fortë, nga ato që fitojnë trofe.

Por vendosja e Bastonit lart me Torinon ishte zgjedhja juaj…

Pashë Buonxhornon, mbrojtësin e tyre që po markonte Vidalin te pankina ime. E dinim çfarë mund të ndodhte dhe studiuam kundërsulmin.

550 minuta që nuk pësoni gol, ndërkohë që ne fillim pësonit shumë. Çfarë keni modifikuar?

Këto vite kam kuptuar që pas një humbjeje del gjithmonë i fortë. Kjo na ndodhi ne me Lacion. Punuam shumë mbi mbulimet jashtë zone, mbi mbajtjen e skuadrës së shkurtër, mbi krahët që duhet të ktheheshin dhe gjeta gatishmërinë e gjithë ekipit.

Kush është lojtari që ju ka habitur më shumë?

Nëse duhet vetëm një emër, është Ranokia. Pa De Vrajin kundër Napolit dhe Shahtjorit që ishin të dyja sfida vendimtare, ka luajtur si një interist i vërtetë, jam krenuar me të. Por diskutimi prek edhe Galjardinin që gjatë stërvitjes e kam kuptuar se pse ka gjetur shumë hapësira si me Spaletin dhe me Konten.

Me Lukakun do të kishit luajtur në të njëjtën mënyrë?

Romelun e stërvita vetëm një javë në Apiano dhe është një lojtar i madh. Nuk e kishim parashikuar ikjen e tij, vetëm atë të Hakimit edhe sepse në ajër nuk kishte aromë lamtumire. Kur kuptuam se do të largohej, mbrëmjen e asaj dite i propozova Marotës e Auzilios emrin e Xhekos dhe ata m’u përgjigjën: “Xheko është plagë e hapur, duam prej kohësh ta marrim”. Edin është një sulmues që bën gjithë skuadrën të luajë mirë, por kemi shumë lojtarë cilësorë të tjerë.

Tani hapet merkatoja. Çfarë prisni nga Interi?

Tani duhet të arsyetojmë me kujdes dhe të mendojmë si mund të rritemi. Në verë duhet të mendonim për sigurinë e klubit, tani duhet të mendojmë të forcohemi. Prioriteti im është t’i mbaj të gjithë sulmuesit dhe të shikojmë ç’do të bëjmë me Satrianon, që është ende i ri. Pastaj do të dëgjojmë edhe pakënaqësitë e ndonjërit që ka luajtur më pak minuta.

E keni fjalën për Vesinon e Sensin?

E kam në përgjithësi. Dua që ata që rrinë me ne, të jenë të lumtur dhe të bindur për qëndrimin.

Sançez është një problem i zgjidhur?

Në muajin e fundit ka qenë kënaqësi ta shikoja të stërvitej dhe të luante. Kam folur me të, por nuk ishte problemi mes nesh. Sançez duhet të mendojë vetëm për të qenë mirë fizikisht. Jam me fat që i kam të katërt sulmuesit dhe dua t’i mbaj.

Ju pëlqen Nandez?

Është profil interesant, por nuk dua të flas për të. Shoqëria është vigjilente, nëse do të na jepet rasti do ta shfrytëzojmë.

Jashtë merkatos. Si e bëtë për vete grupin në dhomat e zhveshjes?

Grupi ka lojtarë kampionë që kanë triumfuar edhe në vende të tjera. Mua më pëlqen të flas shumë me ta, më pëlqejnë bisedat relaksuese me futbollistët e mi. Plus që në futbollin e sotëm është e detyruar kjo pjesë, motivimi bën diferencën.

Raporti juaj me presidentin Zhang?

Është gjithmonë shumë i kujdesshëm dhe më telefonon çdo javë për të më pyetur nëse ka ndonjë problem për të zgjidhur. Është raport shumë i mirë edhe pse nuk është pranë nesh fizikisht.

Flasim pak për individët. Çalhanoglu nuk ka qenë asnjëherë kaq mirë.

Roli i tij, ai i trekuartistit, është ai që i përshtatet më shumë. Është Luis Alberto ynë dhe të jem i sinqertë edhe Erikseni do të kishte bërë shumë mirë me mënyrën time të lojës.

Luis Alberto po rri ca si shumë në pankinë. Nuk ju duket e çuditshme?

Me mua nuk ka ndenjur, por nuk preferoj të mendoj për diçka që nuk është në dorën time.

Është ndonjë lojtar më i fortë se Brozoviçi në rolin e tij në Europë?

Si fillim, Brozo duhet ta hedhë atë firmën e rinovimit sa më shpejt. E tha Barela, atij i pëlqen Interi dhe ambienti, por mendoj se është në një fazë normale diskutimesh. Në fushë është i jashtëzakonshëm, prej vitesh është nga më të mirët e Interit.

Po Perisiçi, kur firmos?

Eh, shpresoj sa më shpejt. E dija që do të gjeja një kampion tek ai dhe ka qenë shumë i gatshëm për të bërë atë që skuadra ka nevojë, si sulmuesin e dytë dhe anësorin e djathtë, sa herë që ia kam kërkuar.

Keni folur me Konten sa keni qenë tek Interi?

Jo, por kemi shkuar gjithmonë mirë sa herë jemi përballur më parë. E vlerësoj shumë, është kënaqësi të flasësh për futboll me të.

Nga cili trajner keni mësuar më shumë?

Kam marrë pak nga të gjithë, por mendoj që Bepe Materaci ka qenë më i rëndësishmi. Nëse nuk do të ishte ai, nuk do të isha bërë futbollisti qe isha. Më dhuroi debutimin në Serinë A me Piaçencën, ndërkohë që kishte të tjerë me shumë eksperiencë në grup. Që nga ai moment kam kuptuar se me të rinjtë duhet të kesh kurajë dhe nëse e meritojnë duhet të luajnë, pavarësisht se dikujt në klub mund të mos i vijë mirë. Te Lacio kam bërë të debutojnë 15-20 lojtarë. Pastaj nëse flasim si teknikë, s’mund të lë pa përmendur Eriksonin dhe Mançinin.

Nga 1-10, sa besoni te titulli?

Nuk jap numra. Ky kampionat është i paparashikueshëm. Jemi në një pozitë të mirë, por ajo që kemi bërë deri tani, duhet të na shërbejë si stimul për të filluar me gazin në maksimum në janar.

Related posts

Gola nga penalltia dhe gabimet/ Fabregas “skanon” Ronaldon karshi Messit

Isa.Autor

“JE ARBITËR I DOBËT”! Stadiumi bosh dënon lojtarin me dy ndeshje skualifikim

Delo.autor

LIVE/ Po luhet ndeshja Juventus-Napoli, mbyllet pjesa e parë. Rezultati 2-0

Delo.autor

Leave a Comment