Futboll Kategoria Superiore Sport

DAJA-PARTIZANI/ Çfarë ndodhi pas “gjëmës” që shkaktoi derbi. Trajneri pritet në stërvitje, por…

Mbrëmja e së enjtes ishte shumë e ftohtë për Partizanin. Erdhi humbja e dytë radhazi në derbi ndaj rivalit historik dhe e dyta radhazi në Superiore, ndaj dy kundërshtarëve direktë. Në katër ndeshje ndaj Vllaznisë, Kukësit, Tiranës dhe Dinamos, të kuqtë grumbulluan vetëm tri pikë. Kjo situatë e bën humbjen e derbit akoma më të dhimbshme dhe e rëndon gjendjen në maksimum.

Dje, një ditë pas ndeshjes, kemi parë një tërheqje totale të klubit dhe trajnerit, e cila mund të ketë shërbyer për reflektim dhe ftohje emocionale. Presidenti Demi refuzoi të fliste pas ndeshjes, ndërsa Daja ishte i vetmi, që u shfaq para mikrofonave. Vetë ai nuk u nxitua të merrte vendime personale, por dha sinjal të qartë se është gati të largohet nëse drejtuesit vendosin që të emërohet një trajner tjetër në vend të tij. Gjithsesi, ditën e djeshme nuk ka pasur bisedime mes palëve për të ardhmen. I vetmi komunikim, që i është bërë skuadrës është se të hënën do të rinisë stërvitja.

Në fakt, parashikohej që pushimet të zgjasnin më shumë se tri ditë, por klubi ka vendosur ndryshe. Rikthimi i nxituar në stërvitje mund të jetë edhe një formë ndëshkimi për skuadrën, e cila nuk ka arritur të marrë rezultate pozitive në javët e fundit dhe në tërësi këtë sezon. Ky rikthim i shpejtë në punë mund të jetë edhe një mesazh i klubit për lojtarët se pas atij derbi nuk është shkatërruar gjithçka dhe misioni vazhdon. Në krye të ekipit do të jetë trajneri Daja, por kjo nuk konfirmon qëndrimin e tij. Mungesa e ndeshjeve në ditët e ardhshme i jep mundësinë palëve të reflektojnë mbi të ardhmen dhe ndoshta edhe të mendojnë për mënyrën e divorcit, pasi në nisje të aventurës është firmosur edhe një kontratë nga të dyja palët.

Duhet të themi se situata nuk është e paqartë vetëm për tifozët, por ndoshta edhe për vetë protagonistët. Drejtuesit dhe trajneri Daja kanë ende dilema në mendjen e tyre, që kërkojnë kohë të gjejnë përgjigje. Koha, fatmirësisht, është në dispozicion dhe ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të përcaktuar të ardhmen e stolit të Partizanit. Me siguri një takim i gjatë e një debat konstruktiv do i japë fund gjithë paqartësive, të cilat padyshim janë shtuar pas deklaratës, në të cilën trajneri e la në dyshim të ardhmen e tij në klubin e kuq.

Related posts

LIVE/ Superiore: Mbyllet ndeshja Vllaznia-Tirana. Rezultati 0-2

Delo.autor

ANALIZA/ Gjashtë gabimet që Anglia nuk duhet t’i përsërisë

Delo.autor

U LARGUA TEK CHELSEA/ Ultrasit e Inter-it nuk përmbahen. Shihni veprimin e tyre kundrejt Lukakut (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment