Futboll Kategoria Superiore Sport

“KEMI BESIM TEK EKIPI”/ Brdariç: Ne duhet të jemi shumë të përgatitur për të pritur Kukësin

Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, pret një përballje të vështirë ndaj Kukësit, sot në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Në konferencën e zakonshme për mediat një ditë para takimit, gjermani ka thumbuar jo pak edhe trajnerin italian të Kukësit, Diego Longo, duke i kujtuar se i ndryshon shpesh mendimet. I ngacmuar nga gazetarët nëse fitorja e mundshme sot do të ishte si dhuratë për tifozët shkodranë, Brdariç theksoi se ekipi i tij do të bëjë gjithçka për t’i kënaqur. “Nuk jam Zoti, jam trajner. Premtoj vetëm që do ta fusim në stres Kukësin”, ka thënë ndër të tjera kreu i pankinës kuqeblu.

Ju pret një përballje e vështirë ndaj Kukësit, çfarë prisni?

Ne duhet të jemi shumë të përgatitur për të pritur Kukësin në stadiumin tonë. Skuadra duket me shumë vetëbesim dhe e gatshme për të bërë një punë me përqendrim. Qoftë ne, qoftë Kukësi, jemi ekip që duam të luajmë futboll. Duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe t’u tregojmë se nuk jemi të lehtë për t’i mundur.

Trajneri i Kukësit deklaroi se Partizani dhe Tirana janë ekipe më të mira. Keni një përgjigje për Longon?

Ai i ndryshon shpesh mendimet e veta. Për mua vendimtare është që të fitojmë ndaj Kukësit, pastaj secili mund të thotë çfarë të dojë.

Stadiumi “Loro Boriçi” duket sikur i sjell fat Kukësit…

Ata e shijojnë të luajnë këtu, sepse është një stadium i bukur. Ne duhet të jemi të fokusuar të marrim më të mirën ndaj tyre.

E ndoqët Kukësin nga afër në përballjen ndaj Partizanit?

Po, është bukur të shikosh rivalin nga afër. Kemi marrë më të mirat nga ajo ndeshje, sepse kemi bërë analizën e duhur të kundërshtarit.

Prisni një mbështetje më të madhe nga tifozët këtë herë?

Dua të them faleminderit për fansat, sepse na kanë mbështetur shumë. Ne duhet të jemi krenarë për ta dhe të japim një imazh të mirë me paraqitjet tona. Duhet të marrim fitore për ta, ndërsa në këtë fundit iu them faleminderit edhe mediave e analistëve.

Fitorja ndaj Kukësit është premtim si dhuratë për festat e fundvitit?

Nuk jam Zoti, jam një trajner. Ajo që premtoj është të japim maksimumin dhe të shkaktojmë stres te Kukësi.

Ky grup lojtarësh e përballon sezonin apo do të ndërhyni në merkato?

Kemi besim tek ekipi. Kemi lojtarë që janë të gatshëm për të treguar veten. Nëse kemi boshllëqe, jemi patjetër të hapur për merkato.

Related posts

KTHIMI I TOFOZËVE NË STADIUME? Ministri italian i Sporteve: E pamundur të ndodhë brenda muajit…

Delo.autor

Buxheti i bashkisë, 550 milionë lekë shkojnë për Vllazninë

Q.Autor

Bien spekulimet, Verratti i gatshëm të rinovojë kontratën me PSG-në

Delo.autor

Leave a Comment