Futboll Kategoria Superiore Sport

“KEMI MUNGESA POR NUK ËSHTË ALIBI”/ Longo: Presioni bie mbi Vllazninë, në derbi jam me…

Diego Longo nuk del asnjëherë nga vetja e tij dhe thuajse para çdo ndeshjeje e delegon presionin te kundërshtarët dhe deri më tani kjo strategji ka rezultuar e suksesshme.

Në daljen para mediave për të folur rreth sfidës me Vllazninë në “Loro Boriçi”, trajneri i verilindorëve vlerëson kundërshtarin, duke e konsideruar si një përballje të vështirë, edhe për vetë faktin se tani kanë një trajner që e njeh mirë kampionatin shqiptar.

“Është një ndeshje e vështirë, Vllaznia ka një ekip të mirë dhe trajneri i tyre e njeh mirë kampionatin shqiptar dhe ka një eksperiencë, por ne do të bëmë më të mirën”, u shpreh fillimisht Diego Longo, i cili ka besim se do të vijojnë me ecurinë pozitive edhe në këtë fundvit.

SITUATA – Trajneri u ndal edhe te gjendja e skuadrës, e cila ka të sigurt mungesën e Ardit Hilës për arsye kartonësh, por gjithsesi Longo nuk kërkon aspak alibi. Sipas tij, në skuadër janë 20 lojtarë dhe secili duhet të japë maksimumin nga vetja. “Jemi mirë, edhe pse kemi mungesa, por kjo nuk është një alibi. Kemi 20 lojtarë dhe secili që do të hyjë në fushë duhet të japë më shumë se 100 për qind nga vetja e tij, duke përfshirë edhe të rinjtë”, vijoi më tej tekniku, i cili vlerëson kontigjentin, duke u dhënë besim futbollistëve të tij.

PRESIONI – Në lidhje me presionin, Longo pohon se ai është në krahun shkodran, pasi Kukësi edhe nëse mundet, do të vijojë të mbetet i dyti, ndërsa në të kundërt kundërshtari mund të largohet me gjashtë pikë dhe e ka një detyrim fitoren. “Presioni është mbi Vllazninë dhe jo mbi ne. Janë tri pikë më pas dhe nëse humbin shkojnë në gjashtë pikë. Është shumë e vështirë të rikuperohen pikët në këtë fazë. Ne edhe nëse humbasim mbetemi në vend të dytë, ndërsa ata janë të detyruar të ftojnë”, pohoi tekniku, i cili njihet për vënien në presion të kundërshtarit para ndeshjeve, duke e larguar nga ekipi i tij.

DERBI – Italiani i pankinës së Kukësit ngacmohet paksa edhe për derbin, duke qenë se nga një ndalesë e Tiranës do të përfitonin vetë ata. Por, Longo bën tifo për Partizanin vetëm për faktin se ndajnë çdo ditë ambientet sportive bashkë dhe në njëfarë mënyre ka një miqësi midis tyre.

“Realisht nuk di nëse do ta shoh ndeshjen, por nëse më duhet të them një skuadër, është Partizani, ndoshta vetëm për faktin se kemi të bëjmë çdo ditë me ta në fushën stërvitore dhe kemi një marrëdhënie të mirë. Kjo është e gjitha, por nuk më intereson se kush e fiton derbin, ne shohim punën tonë”, përfundoi trajneri.

Related posts

Chris Bosh ende dëshiron t’i kthehet basketbollit

Isa.Autor

FORMULA 1/ Koronavirusi “infekton” edhe Ferrarin, “kokëkuqja” merr masën ekstreme

Delo.autor

“LEGJEONARËT”/ Sulmuesit Sadiku i rikthehet buzëqeshja, ja vlerësimi që merr në Bolivi pas dopietës… (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment