Futboll Kategoria Superiore Sport

“KY PARTIZAN NUK KA CILËSI”/ Asani: Daja dha sinjale largimi? Besoj se…

Partizani vazhdon të kalojë një situatë shumë të vështirë dhe humbja në derbi e thelloi akoma më shumë krizën e tyre. Jasir Asani ishte në stadium për të parë këtë ndeshje, teksa dje ai ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”.

Ish-sulmuesi i të kuqve shprehet se këtij Partizani i mungon cilësia.

E mbajtët fjalën, në intervistën e fundit së bashku thatë se do të ishit shpejt titullar dhe do të shënonit rregullisht te Kisvarda dhe ia arritët…
Falë Zotit kam arritur të ambientohem dhe po bëj mirë. Ka qenë fillim shumë i vështirë sepse kampionati është shumë i fortë. Më në fund arrita të zë vendin e titullarit dhe të shënoj gola rregullisht. Tashmë po shkon gjithçka mirë. Ekipi po bën shumë mirë deri tani. Do të japim maksimumin për të arritur të dalim kampion.

Cila është “finalja” juaj në futboll, diçka që nëse do e arrinit, nuk do të bëheshit pishman edhe nëse do e linit menjëherë futbollin?
Dëshira ime është të arrij të luaj në një klub shumë të madh, por edhe nëse plotësoj ëndrrën, nuk e lë futbollin. Këtë do e bëj vetëm kur të më lënë këmbët. Për momentin kam akoma për të dhënë dhe do të bëj më të mirën.

Dje ishit në stadium dhe mbështetët Partizanin në derbi, si ju duk skuadra?
Derbi i djeshëm ishte një finalizim shumë i bukur i këtij viti. Ishte një atmosferë shumë e bukur. Gjithmonë derbi është emocion më vete. Partizani bëri mirë, por fati nuk ishte shumë me të. Do të ngrihen shpejt në vendin ku u takon.

Çfarë i mungon Partizanit për të qenë në luftë për kreun?
Kanë ndryshuar shumë lojtarë. Kjo skuadër duhet të jetë shumë më agresive. Partizani kërkon gjithmonë fitoren dhe për ta arritur këtë duhet më shumë këmbëngulje dhe agresivitet. Vitin e shkuar, por edhe kur skuadrën e drejtonte Skënder Gega, kemi qenë skuadër shumë më e fortë dhe ekip me më shumë cilësi në organikën e vet.

Daja, edhe dje në deklaratën pas ndeshjes, dha sinjale largimi. Mendoni se largimi i tij është zgjidhje?
Partizani do të bëjë merkato dhe i duhen afrime cilësore nëse duan të shkojnë përpara. Daja është trajner i mirë dhe unë besoj se do të qëndrojë. Nuk e di nëse ai dëshiron të largohet, por në fund vendosin drejtuesit sepse Daja është nën kontratë me Partizanin.

Disa thonë pëson gola kollaj, disa thonë nuk shënon shumë. Cili mendoni se është problemi i vërtetë i Partizanit?
Ndoshta mungon cilësia, por gjithashtu ata duhet të jenë një skuadër më e mbledhur, më e bashkuar në fushë. Nëse nuk punojnë së bashku, është shumë e vështirë të shënojnë dhe të mos pësojnë gola.

A ka shanse të ktheheni këtu? Nëse do të donit, kur do të dëshironit të ktheheshit te Partizani?
Unë jam i Partizanit sepse aty jam rritur. Them se një ditë mund të kthehem sërish këtu sepse është klubi im i zemrës. Më ka ndihmuar shumë të shkoj përpara. Kthimi është i sigurt, por se kur, le t’ia lëmë kohës sepse nuk i dihet se si shkon karriera.

Related posts

E BUJSHME/ Neymar ka zgjedhur skuadrën e re, ylli brazilian refuzon rinovimin

Delo.autor

HUDDERFIELD-ARSENAL/ “Topçinjtë” dyfishojnë shifrat, shënon Lacazette

Delo.autor

MBROJTËSI I NJOHUR/ CR7 dhe MESSI janë yje, por ja cili është lojtari më me ndikim në botë

Isa.Autor

Leave a Comment