Bundesliga Futboll Sport

“NAGELSMANN, BAST I FITUAR”/ Kahn për merkaton dhe objektivat: Bayern ka para për Haaland, por…

Oliver Kahn është nga qershori i 2021-shit CEO i ri i Bajernit të Mynihut. Ish-kapiteni i skuadrës më të titulluar në Gjermani tregoi në një intervistë për “SZ” të gjitha planet që ka me klubin e Bajernit, këtë herë në rolin e drejtuesit. Nga Halandi te Kimish dhe deri te Botërori me Gjermaninë.

Sa ndryshon Kahni i fushës nga ai i zyrës?

Vetëm nga veshja (qesh). Përgjegjësia është më e madhe në zyrë. Në fushë është më e lehtë për të gabuar pasi ka tjetër intensitet, por është diçka që e bëj me shumë pasion. Kam luajtur shumë vite me Bajernin dhe ndiej një përgjegjësi të madhe për këtë klub. Punoj me të njëjtin përkushtim dhe dëshirë si në ditën e parë që erdha këtu si lojtar.

Sa ka ndryshuar futbolli nga koha kur ishit lojtar?

Në shumë gjëra, është bërë më modern, por mund të them që atëherë ka pasur më shumë pasion. Rivaliteti ishte më i madh. Tani ka shumë gjëra për të bërë, atëherë futbolli ishte mundësia e vetme për disa që të dilnin nga rutina e javës. Kjo ka anë pozitive dhe negative. Por, në fushën e lojës mendoj që kjo është koha optimale për një lojtar.

Si do ta përshkruanit këtë vit që po lëmë pas?

2021 ishte një sfidë për të gjithë, jo vetëm për futbollin. Mendoj që njerëzimi do ta fitojë edhe këtë betejë të radhës, fatkeqësisht kemi humbur shumë jetë, por fatmirësisht shumë të tjerë ia kanë dalë të mbijetojnë. Ishte diçka që nuk ishte përjetuar më parë, të paktën jo në këtë shkallë. Sigurisht që si klub, ashtu si shumë klube të tjera, edhe Bajerni u prek si fizikisht ashtu dhe financiarisht. Ekonomia është një efekt domino, nëse dikush rrëzohet, i kap të gjithë. Por, mendoj që kemi arritur të mbijetojmë.

Çfarë do të thotë kjo?

Që Bajerni është një klub me financa të shëndosha. Nga ana ekonomike mund të përballojmë shumë gjëra, edhe pse për shkak të pandemisë që vazhdon, na duhet të qëndrojmë sërish mbyllur për sa u përket tifozëve në stadium. Është për të ardhur keq pasi sapo kishim nisur të luanim me stadium të mbushur plot. Por shëndeti vjen në radhë të parë.

Është Bajerni në gjendje të blejë një lojtar si Haland?

Nuk e di, por në ekonomi rregulli numër një është që aksionet blihen kur ato janë të lira, ndryshe nuk del me fitim (qesh). Për momentin nuk po mendojmë të shpenzojmë shumë të mëdha. Jemi duke kërkuar një zgjidhe për janarin, 1 ose 2 lojtarë për të përforcuar skuadrën dhe kaq.

Pra, Haland nuk vjen?

Ashtu siç e thashë, ekonomikisht nuk na pengon askush, por ne e kemi të zënë vendin në sulm. Robert Levandovski është një nga sulmuesit më të mirë në botë, që shënon 40- 50 gola në sezon. Jemi të mbuluar. Jam i bindur që Leva do të jetë në gjendje për të luajtur në nivele të larta edhe për shumë vite të tjera.

Për momentin është duke u folur shumë për largime të mundshme. Jeni në dijeni?

Lojtarët kanë kontrata dhe derisa ato të jenë të vlefshme, ata nuk do të largohen. Ne kemi detyrimet tona kundrejt tyre ashtu si dhe ata ndaj nesh. Nuk është e lehtë të largohesh nga një klub kur ke lidhur një kontratë, mund të duket e lehtë kur publikohet në lajme, por në realitet është shumë ndryshe.

Pra, Zyle do të qëndrojë?

Niklas është një lojtar yni deri në fund të sezonit. Ai ka vite që luan këtu dhe herën e fundit që fola ai ishte shumë i lumtur. Me Bajernin ai ka fituar shumë dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës ashtu si dhe ai ndaj nesh. Sigurisht që do të ulemi për të biseduar dhe për të vlerësuar situatën për sezonet e ardhshme.

Sane është shndërruar në blerjen më të mirë të këtij sezoni?

Cilësitë e Leroit nuk i kishim vënë kurrë në diskutim. Ajo çfarë i kishte munguar ishte vetëbesimi tek ajo që di të bëjë dhe sigurisht fati. Në futboll, ashtu si në çdo pjesë të jetës, fati është shumë i rëndësishëm. Tani ai është duke shijuar futbollin dhe kjo na fal shumë kënaqësi. Një meritë të madhe për këtë ka dhe trajneri.

Meqë jemi te trajneri, mendoni se Nagelsman do të ishte në këto pozita pas startit të dobët në miqësore?

Personalisht nuk kisha asnjë dyshim tek aftësitë e Julianit. Ne te Bajerni nuk i zgjedhim trajnerët nga rastësia. Nagelsman ishte i konfirmuar në Bundesligë dhe në sezonet e fundit kishte bërë mirë dhe në Champions. Mënyra e menaxhimit të lojtarëve dhe taktikat që përdor në stërvitje janë fenomenale dhe të mendosh që është vetëm 33 vjeç.

Mendoni se këtu, Nagelsman do të fitojë trofeun e parë?

Donit të thoshit të dytin, pasi i pari është fituar me Superkupën. Për momentin nuk kemi arritur asgjë pasi kampionati është vetëm në gjysmën e tij. Sigurisht që pikët në tabelë na japin qetësinë e duhur për të luajtur ndeshjet e radhës. Por tani kemi dhe Championsin, faza me eliminim direkt kërkon impenjim maksimal.

Kimish ka kaluar një periudhë jo të mirë për shumë arsye që dihen. Keni folur me të?

Rasti i Kimishit ishte shumë kompleks, sigurisht jo i lehtë për të gjithë, në veçanti për lojtarin. Joshua është një djalosh i zgjuar dhe e di se çfarë duhet të bëjë. Mendoj se shumë gjëra që ai tha për vaksinën u keqinterpretuan. Ai ishte një mungesë e madhe për ne në fushën e lojës. Shpresoj që t’i kalojë sa më parë problemet me mushkërinë dhe të jetë gati për fazën e dytë. 2022 do të jetë një vit i rëndësishëm për të si me Bajernin dhe me kombëtaren gjermane. Botërori është vetëm pak muaj larg dhe Gjermania do të ketë nevojë për të.

Në fund, çfarë u premtoni tifozëve të Bajernit për vitin e ri?

Në radhë të parë dua t’u uroj të gjithëve një vit sa më të shëndetshëm dhe të lumtur. Vitet e fundit nuk ishin më të mirat për të gjithë. Tifozët e Bajernit do të rikthehen shpejt në stadium, me ta do të festojmë titullin në maj dhe shumë trofe të tjerë. Më pas të gjithë së bashku do të bëjmë tifo për kombëtaren gjermane, djemtë dhe trajneri Hansi Flik do të kenë një mision jo të lehtë në Katar. Por, jam i bindur qe do t’ia dalim për të bërë një turne të suksesshëm dhe për të rikthyer Gjermaninë në majën e futbollit.

Related posts

Marek Hamsik: Dëshiroj të largohem nga Napoli!

Sadik.Autor

Luka Modric: Kroacia u motivua nga mungesa e respektit të ekspertëve anglezë

Sadik.Autor

ARSENAL NUK DORËZOHET/ Minus një pikë nga kreu. United në rënie të lirë

F.autor

Leave a Comment