Futboll Kategoria Superiore Sport

“NDAJ DINAMOS ËSHTË E VËSHTIRË”/ Portieri i Vllaznisë: Nuk ndalemi më, kreun e duam në fund

Bojan Zogoviç luan sezonin e tij të dytë radhazi me fanellën e Vllaznisë. Portieri malazez është konfirmuar një pikë shumë e fortë për kuqeblutë, ndërsa tashmë që e njeh mirë kampionatin shqiptar është i bindur se ky ekip do të shkojë larg.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai theksoi se situata në ekip është pozitive dhe kjo duhet shfrytëzuar për vazhdimësinë. Portieri beson te marrja e pikëve maksimale edhe në takimin ndaj Dinamos, por njëkohësisht ai bën apel se kundërshtari duhet vlerësuar në maksimum, pasi ka cilësi. Zogoviç është i bindur se Vllaznia është në rrugën e duhur drejt titullit.

Bojan, vazhduat serinë e fitoreve ndaj Skënderbeut. Si ju duk ndeshja ndaj korçarëve?
Po, ishte një fitore shumë e rëndësishme. Për ne nuk ishte një ndeshje e lehtë. Skënderbeu është një ekip i ri dhe i vështirë. Megjithatë, luajtëm mirë dhe me zgjuarsi, duke fituar me meritë.

Situata duket se ka ndryshuar tani pas këtyre rezultateve, çfarë prisni nga dy ndeshjet e mbetura?
Sigurisht, kur ekipi fiton, situata është menjëherë pozitive si në grupin e lojtarëve, ashtu edhe në klub. Duhet të vazhdojmë në të njëjtën rrugë dhe të besojmë te vazhdimësia. Unë mendoj se e kemi lënë pas përfundimisht krizën e rezultateve. Kemi luajtur mirë në shumicën e ndeshjeve, por na u desh një kohë për të kapur ritmin dhe tashmë jemi në rrugën e duhur.

Në ekip ka shumë rivalitet, veçanërisht në sulm. Si e shikoni ju këtë dhe çfarë ndodh në stërvitje?
Atmosfera është e mirë në ekip. Ne kemi shumë lojtarë dhe me siguri të gjithë mund ta ndihmojnë ekipin në momentin kur ata duhet të jenë në fushë. E rëndësishme është që të gjithë e kemi mendjen vetëm për një qëllim, që të japim maksimumin për Vllazninë.

Diferenca me kreun u reduktua ndjeshëm, kur mendoni se mund të kapni Tiranën?
Çdo ekip në kampionat ka momentet e veta të këqija. Kjo, sepse cilësia e skuadrave është e ngjashme. Shumë ekipe do të luftojnë për titullin dhe Europën. Tani kemi dy ndeshje të forta, por po shkojmë me besim për rezultate të mira.

Besoni se ky sezon do të jetë i duhuri për të fituar titullin?
Është shumë herët për të folur për të. E pamë sezonin e kaluar dhe tani është më mirë të shkojmë lojë pas loje dhe të mos premtojmë shumë. Pra, të vazhdojmë lojërat dhe rezultatet e mira.

Të premten ndaj Dinamos, si e shihni këtë sfidë, a do të jetë sërish me aq gola sa ajo e fazës së parë?
Mendoj se loja do të jetë ndryshe. Dinamo mund të mos ketë rezultate të mira kohët e fundit, por mendoj se është një skuadër e mirë dhe duhet të jemi qind për qind gati për lojën, sepse nuk do të jetë e lehtë. Unë besoj se do të jemi mirë dhe do të fitojmë. Në vend të tretë apo edhe më lart pas dy takimeve të fundit për këtë vit? Do të shohim. Varet nga këto dy ndeshje, edhe pse më e rëndësishmja është se në cilin vend do të jemi në javën e fundit.

Related posts

(VIDEO) Milan në avantazh ndaj Crotones, Bonucci e bën ‘sefte’ me kuqezinjtë

Q.Autor

Gattuso ndjen presionin, por Milani nuk heq dorë nga objekti madhor

Sadik.Autor

KORONAVIRUSI/ Presidenti i Lyon thuajse dorëzohet për rifillimin e sezonit!

Delo.autor

Leave a Comment